Detaje të reja janë zbardhur nga atentati në Don Bosko, ku nga sulmi me armë në lokalin e të shumëkërkuarit Fatjon Murati mbeti e vrarë banakierja, Mimoza Paja.
Policia ka zbuluar ditët e fundit se një nga personat e dyshuar për masakrën e Don Boskos, ka udhëtuar një javë përpara krimit, nga Gjermania në Prishtinë dhe ka hyrë në vendin tonë, në fundjavë duke mos u regjistruar të TIMS.
Sipas hetuesve personi i dyshuar me rekorde të theksuara kriminale e ka bërë këtë lëvizje me qëllim për të fshehur gjurmët dhe përfshirjen në ngjarjen e rëndë. Policia thotë se ka siguruar të dhëna në rrugë konfidenciale, që mund të çojnë drejt identifikimit të autorëve të mundshëm të ngjarjeve.
Grupi i hetimit është fokusuar tek dy emra konkretë, njëri prej të cilëve i ka mbijetuar më herët një atentati, ndërsa tjetri është personazh jo shumë i njohur, por dyshohet të jetë përfshirë në këtë ngjarje për motive hakmarrje.
Ngjarja u shënua mbrëmjen e të dielës së 12 marsit, kur dy persona të armatosur me kallashnikov, qëlluan me breshëri mbi lokalin në pronësi të Fatjon Muratit në rrugën Anastas Shundi./PrishtinaPress/