Në Han të Elezit u mbajt sot manifestimi përkujtimor “Eksodi Bllaca 99”, me ç’rast, “Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta” ndau çmimin “Hasan Prishtina” për 24 komuna, bashkësi lokale, shoqata humanitare, organizata joqeveritare e mediume nga RMV, që ndihmuan refugjatët kosovarë gjatë kohës së luftës të vitit 1998-99.
Kryetari i Shoqatës për kthimin e shqiptarëve, Jahja Lluka u shpreh se është obligim i të gjithëve për ta mbajtur gjallë Bllacën e viteve të 99-ta.
Lluka theksoi se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë me shumë për mirëmbajtjen e memorialit, pasi siç tha ai, pas një kohe mund të mos ekzistojë.
“E kemi për obligim ta mbajëm gjallë Bllacën e viteve 99-të, 440 mijë njerëz kanë kaluar nëpër Bllacë. Më e mira e Bllacës 99-të është pas fitores se pas UÇK-së është fitorja e refugjateve shqiptarë. Prishtina e ka për obgligim t’i ndihmojë Hanin e Elezit, memorialin, sepse Prishtina ka buxhet, të cilin nuk mund ta harxhojë, kështu që, është më mirë të harxhohet për një të mirë të përbashkët. Qeveria e Kosovës pa marrë parasysh kush vjen kryeministër, duhet të ketë interesim më të madh për mirëmbajtjen e memorialit, ashtu siç kerkon shteti të mirëmbahet njëjtë kërkon edhe memoriali, sepse ndoshta pas një kohe nuk mund të ekzistojë”, tha Lluka.
Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Pallazhi, në një fjalë rasti tha se Bllaca do të jetë përherë pjesë e historisë së Kosovës.
Pallazhi shtoi se si kryetar i komunës çdoherë është i gatshëm te ndihmojë për gjitha projektet për Bllacën e viteve të 99-ta.
“Bllaca është simbol i tragjedisë së shqiptarëve, por njëkohësisht dhe simbol i qëndrueshmërisë. Me angazhimin tonë Bllaca 99-të do të jetë përherë pjesë e historisë tonë, sepse vetëm duke i kujtuar do ta mbajmë gjallë ndjenjen e atdhedashurisë”, tha Pallazhi.
Ndërkaq, me rastin e 24 vjetorit të çlirimit dhe 60-vjetorin e fillimit të fotografisë të Asllan Krasniqit, ai nxori nga arkivi i tij për herë të parë pas 24 vitesh dhe hapi ekspozitë me 24 fotografi të “Eksodit’99 në Bllacë, Stenkoc dhe Çegran” Ekspozita u hap në Qendrën Përkujtimore Bllacë në Han të Elezit.
Po ashtu, në Bllacë u mbajt Orë letrare me poezi konkurruese të zgjedhura nga komisioni për “ 24 poet – 24 poezi – 24 vjetorin” përcjellur me Program artistik nga Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve “Shota” Prishtinë.
Sot, do të shënohet 24-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, ata janë detyruar nga forcat serbe të shpërnguleshin në Maqedoni. Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kanë kaluar kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës. Ata kanë qenë fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, ka arritur kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi).
Para dy vitesh, për të kujtuar ditët e shpërnguljes më dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit është inauguruar monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina”.
Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kanë kontribuuar në çlirimin e Kosovës, një vepër kjo artistike-monumentale që shpreh më së miri kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur. Eksodi i shqiptarëve shënohet edhe në Kukës, çdo 16 prill./PrishtinaPress/