Debati në mes të zv-ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, dhe Policisë së Kosovës ka vazhduar edhe sot.
Dje gjatë ditës, Mustafa ka drejtuar akuza kundrejt policisë së Kosovës, ku ky kishte shprehur domosdoshmërinë e pastrimit të policisë nga korrupsioni dhe kriminaliteti. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i PK’së.
Policia e Kosovës, në reagimin e saj ka thënë se tendenca për të paraqitur PK-në, në mënyrë hipotetike dhe me gjasa të probabilitetit si institucion i korruptuar nuk kuptohet ndryshe veç se përbuzje, njollosje, dhe etiketim i vlerave që përfaqësojnë mijëra burra dhe gra, të cilët sakrifikojnë ditë dhe natë për sigurinë e qytetarëve të Kosovës.
E zv-ministri Mustafa, i është kundër përgjigjur reagimit të policisë. Ai në një letër publike ka shkruar se në postimin e mëparshëm ka folur për individ dhe se sipas tij në asnjë rast nuk i ka përgjithësuar të gjithë pjesëtaret e Policisë së Kosovës.
Mustafa ka thënë se që nga ardhja e tij në pozitën e zv-ministrit ka dërguar lavdata kundrejtë pjestarëve të Policisë së Kosovës. Por ai thotë se asnjëherë qytetarët e Kosovës nuk do ta dëgjojnë nga ai fjalën se ““Policia e Kosovës është policia më e mirë në Ballkan”, një kualifikim që e kishte përdorur Ministri Skënder Hyseni.
“Jo për tjetër, por edhe ju vet e dini se nuk jeni e tillë dhe se përvoja vetëm 15 vjeçare nuk ju ka mundësuar zhvillim të atillë profesional, aq sa të garoni panevojshëm me policitë e rajonit dhe më gjerë”, thuhet në reagimin e Nehat Mustafës.
Ky është reagimi i tij i plotë:
Kundër reagim ndaj reagimit sqarues ( pamfletit ) të Policisë së Kosovës
Republika e Kosovës nuk ka ligj që e konsideron “blasfemi” diskutimin mbi dukuritë eventuale negative që mund të jenë prezente brenda policisë.
Kundër reagimin tim po e filloj me vlerësimin tim të përgjithshëm për Policinë e Kosovës, të cilin mund ta shihni edhe në postimin e djeshëm : ” Policia e Kosovës në përgjithësi është shumë profesionale dhe që përbëhet nga pjesëtarë shumë të ndërgjegjshëm e shumë të moralshëm”. Pra, ky është mendimi im për shumicën e pjesëtarëve të PK. Në të njëjtën kohë i qëndroj konstatimit se ka shumë policë të korruptuar ( edhe sikur të flitet vetëm për 59 janë shumë), por fatmirësisht shumica janë të mrekullueshëm.
Përmes një postimi në FB (22.02.2017) , me qëllimin më të mirë të mundshëm kam shprehur opinionin tim dhe të shumë qytetarëve të Republikës së Kosovës lidhur me disa çështje që kanë të bëjnë me Policinë e Kosovës. Pra, po e ritheksoj se postimi është bërë me mirëdashjen më të madhe dhe asesi me ndonjë tendencë ndaj ndonjë individi të caktuar, e aq më tepër ndaj mijëra e mijëra zyrtarëve policor që me ndershmërinë më të madhe i përmbushin obligimet e tyre ligjore.
E lexova dhe rilexova edhe shumë herë të tjera postimin tim, në mënyrë që të gjejë se në cilin pasus, unë e paskam shprehur ( sipas reagimit të PK): “Tendenca për të paraqitur PK-në, në mënyrë hipotetike dhe me gjasa të probabilitetit si institucion i korruptuar nuk kuptohet ndryshe veq se përbuzje, njollosje, dhe etiketim i vlerave që përfaqësojnë mijëra burra dhe gra, të cilët sakrifikojnë ditë dhe natë për sigurinë e qytetarëve të Kosovës”.
Arrestimi i 59 policëve ( mesatarisht nga 15 në 4 Drejtoritë Rajonale) nuk është hipotetik, ndërsa konstatimi se sikur aksioni të ishte zhvilluar edhe në 5 drejtori të tjera , numri i të arrestuarve mund të rritej edhe për 75, mund të konsiderohet hipotetik. Por, kjo nuk do të thotë që në 5 drejtoritë ku nuk është zhvilluar aksioni nuk ka polic trafiku të korruptuar.
Vërtet kjo është e turpshme dhe goditje shumë e ulët e ideatorëve të reagimit ( nuk po flas për ata që vetëm e kanë pas detyrë për ta shkrua e ta dërgojnë në media). Që nga ardhja ime në pozitën e zëvendësministrit në MPB, me dhjetëra herë kam folur për punën e madhe dhe sukseset që ka arritur Policia e Kosovës. Por, asnjëherë nuk do të dëgjoni nga unë se “Policia e Kosovës është policia më e mirë në Ballkan”. Jo për tjetër, por edhe ju vet e dini se nuk jeni e tillë dhe se përvoja vetëm 15 vjeçare nuk ju ka mundësuar zhvillim të atillë profesional, aq sa të garoni panevojshëm me policitë e rajonit dhe më gjerë.
Fakti që unë kam folur për kategorinë e policëve të inkriminuar në krim të organizuar dhe korrupsion, nuk do të thotë që unë jam “ përbuzës , njollosës dhe etiketues i vlerave që përfaqësojnë mijëra burra dhe gra,….”) . Përkundrazi, identifikimi i zyrtarëve policorë të korruptuar dhe marrja e masave nda tyre është shërbimi dhe respekti më i mirë që mund t`iu bëhet këtyre mijëra burrave dhe grave. Prandaj, mos spekuloni dhe mos tentoni të krijoni opinion të rrejshëm në këtë drejtim.
Është fakt që qytetarët kanë treguar shkallë të lartë të besueshmërisë ndaj PK dhe kjo na gëzon të gjithëve. Mirëpo, qytetarët asnjëherë nuk kanë thënë se nuk ka të korruptuar brenda policisë. Pra, edhe konstatimet e mija shprehin qëndrim e vet qytetarëve.
Nga Reagimi sqarues (pamfleti) i PK, me të drejtë kam pritur që unë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës të mësojmë më shumë se :
– a është shtruar përgjegjësia menaxheriale e policëve të arrestuar , sepse konsiderojmë që mosveprimi eventual i tyre në kohën e duhur ka bërë që policët e arrestuar të thellohen gjithnjë e më shumë në ujërat e korrupsionit ?
– a ka policë që shërbejnë si roje nëpër diskotekat ku supozohet përdorimi i lëndëve narkotike dhe se të miturve u shërbehen pije alkoolike ?
– A ka policë që janë frekuentues të kazinove ku shpenzojnë para shumë herë më shumë se të ardhurat e tyre mujore nga pagat ose bizneset e deklaruara ?
Pra, kam pritur që ju do jeni falënderues që unë , në cilësinë e Zëvendësministrit të MPB i kam ngritur për diskutim këto çështje dhe se është hera e parë që këto çështje ngritën publikisht nga një zyrtar i lartë shtetëror. Dhe në vend të falënderimit, unë përballem me një reagim plot mllef dhe plot arrogancë të bërë nga PK. Mos harroni një gjë, çështjet që unë kam ngritur janë shqetësime të qytetarëve , bile edhe të shumicës së policisë, por të cilët për një apo arsye tjetër nuk kanë pasur guximin ti deklarojnë.
Hapjen e këtyre çështjeve për diskutim, mos u mundoni ti kualifikoni si “shantazh dhe tendenca për ndërhyrje në pavarësinë operacionale”. Çfarë shantazhi ka këtu ? Ku po i shihni ato tendenca për ndërhyrje në pavarësinë operacionale ? Çështje të tilla kanë të drejtë ti ngritin secili qytetar i Republikës së Kosovës, shoqëria civile, deputetët, zyrtarët e lartë të shtetit, e mbi të gjitha ministri e zëvendësministrat e MPB.
Prandaj, me dashamirësin më të madhe ju sugjeroj që fillimisht ti lexoni e dëgjoni me vëmendje ato çfarë shkruajnë e thonë të tjerët për policinë, ti analizoni , zbuloni motivin eventual dhe tek pastaj vlerësoni se a duhet reaguar apo jo. Ndryshe bëheni qesharak dhe të njëanshëm. Kosova nuk ka nevojë për një polici që reagon në mënyre impulsive .
Në të ardhmen, unë apo edhe ndokush tjetër mund të hapim për diskutim edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me Policinë e Kosovës, si p.sh : të gjeturat e raportit të auditorit të përgjithshëm; Struktura organizative ; inkriminimi eventual i ndonjë zyrtari policor në krim të organizuar ; Komoditeti në punë i strukturave të larta komanduese dhe kushtet jo të mira e që lënë shumë për të dëshiruar për stafin më të ulët; shfrytëzimi 24 orësh i veturave nga dhjetëra eprorë të lartë policie, në kohën kur shumë stacione policore kanë mungesë veturash; divergjencat në paga ne mes stafit të lartë, të mesëm dhe të ulët, etj.
Nëse eventualisht hapen për diskutim këto dhe shumë çështje të tjera, ju sugjeroj që mos ti trajtoni si qëndrime kundër Policisë së Kosovës të X apo Y personit. Debatet e tilla duhet ti shërbejnë për të mirë Policisë së Kosovës , e cila tani e tutje duhet ta shohë veten si të gjitha institucionet tjera për të cilat debatohet. Në fund të fundit , çdo kush ka të drejtë të shprehë mendimin e tij, pra edhe në rastet kur bëhet fjalë për Policinë e Kosovës, sepse Republika e Kosovës nuk e ka një ligj që e konsideron “blasfemi” diskutimin mbi dukuritë eventuale negative që mund të jenë prezentë brenda policisë.
Titujt e lartë shkencor të zyrtarëve të lartë policor, nuk tregojnë aspak shkallën profesionale. Po keni të drejtë, në këtë drejtim jemi më të mirët në Ballkan e më gjerë, sepse nuk besoj që ka askund në botë ndonjë institucion policor me numër aq të madh “shkencëtarësh” se sa që ka PK. Mirëpo, edhe vet ideuesit dhe hartuesit e pamfletit në fjalë e dinë se kur kam folur për eprorët që sillen universiteteve publike e kolegjeve private, nuk kam menduar për ata që punojnë e ligjërojnë në këto institucione, por për një kategori krejtësisht tjetër. Kush e di, mund të ndodhë që shumë nga këta “shkenctarë” të PK ndoshta punojnë edhe me diploma të panostrifikuara, por kjo le të mbetet çështje e MAShT dhe vet PK.
Përfundim: Tentimi për ta treguar të fortin , përmes një reagimit sqarues (pamfletit) arrogant, tek unë ka pasur efekt ZERO. Por, ky mund të jetë mesazh shumë i keq për qytetarët në rast se ata denoncojnë dukuritë negative;
Jo rrallë herë kam përcjellur në PK letra të ardhura në adresën time nga qyterarë të ndryshëm të vendit, e të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre;
Së shpejti do të bëhet publik vlerësimi im ( në cilësin e Kordinatorit Nacinal kundër Narkotikëve) mbi gjendjen në të cilën ndodhet Republika e Kosovës në luftën kundër narkotikëve, rezultat e arritura, dështime, dhe shkallën e vogël të konfiskimit ( e gjetur edhe e raporteve ndërkombëtare);
Reagimi publik , i njënahëm dhe arrogant i Policisë së Kosovës është një mundësi e mirë për diskutim tanimë të hapur të temave të ngritura. Personalisht shprehë gatishmërinë time që ti përgjigjem çdo debati me PK , në cilin do prej mediumeve, me të vetmin kusht që PK të përfaqësohet nga strukturat e larta të PK ( drejtor dhe zv.drejtor të përgjithshëm);
Fakti që reagimi sqarues i PK ndaj postimit tim nuk ofroi asnjë kundëragument, më bënë që ta kualifikoj më shumë si një pamflet se sa si një reagim i mirëfilltë.
Është e pabesueshme se sa pozitive kanë qenë reagimet e qytetarëve , duke përfshirë edhe shumë e shumë pjesëtar të PK ndaj postimit tim të djeshëm. Kjo është dëshmi që tregon se qytetarët e kanë kuptuar drejt debatin e hapur dhe se kjo bëhet në të mirë të policisë. Ne që debatojmë, nuk do thotë që e duam dhe vlerësojmë më pak Policinë e Kosovës se sa autorët e pamfletit.
Prishtinë , 23.02.2017 Nehat Mustafa – Zëvendësminister në MPB