Vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin e Naser Pajazitaj, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në nëntor 2015, ka shkaktuar shqetësim dhe reagime të shumta. Me vendimin nuk po pajtohet as familja e të ndjerës, e cila lirimin e të akuzuarit po e cilëson të padrejtë dhe të ndikuar.
Vëllai i të ndjerës, Donjeta Pajazitaj, Shkëlqimi ka thënë se vendimi i Gjykatës Supreme ishte i papritur dhe i padrejtë.
Ai tha se janë duke pritur vendimin kur ta marrin nga gjykata, dhe siç tha Pajazitaj rastin do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
“Ne e kemi kuptu vendimin prej mediave, as nuk kemi vendim nga gjykata, as kurrgjë. Ishte një vendim shumë i papritur. Nuk e di se si gjykata nuk i ka vlerësu të gjitha ato fakte. P.sh pse kur e ka pa herën e parë që ka kalu në Supreme, nëse ka pas diçka shkelje esenciale ose diçka, pse nuk e ka marrë këtë vendim, por e ktheu në rigjykim e veç me na maltretu. Nëse ka pa që diçka nuk është në rregull, kanë mujt herën e parë me marrë këtë vendim dhe me marr fund, e jo me na maltretu”, ka thënë Pajazitaj, per telegrafin.
I pyetur se si familje a do ta pranojnë këtë vendim, ai tha se po presim ta marrin vendimin nga gjykata.
“Do ta çojmë dhe në Gjykatë Kushtetuese. Edhe pse shpresat janë shumë të vogla me ndodh diçka në favorin tonë. Për mendimin tim, të gjitha gjykatat këtu janë një akt zinxhiror në sistemin e drejtësisë… Po zhgënjehem pasi ka pas fakte të kamerave dhe dëshmia e vajzës së tij kur ka dalë kundër tij.. Për ato kamera që janë marrë aty në një shtëpi në fshat. Aty ku ka hyp Donjeta në xhipin e Naserit”, tha Shkëlqimi për Telegrafin.
I akuzuari për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, kushëriri i saj, Naseri, është liruar të enjten nga burgu.
“Kolegji penal i Gjykatës Supreme në seancën e mbajtur me datë 06 prill 2023, e ka liruar N.P., nga akuza për vrasje. Pas përpilimit të aktgjykimit brenda afatit ligjor, i njëjti do të bëhet publik”,i ka thënë Telegrafit të enjten Antigona Uka-Lutfiu, zëdhënëse në Gjykatën Supreme.
Në qershor të vitit 2022 Gjykata Themelore në Ferizaj e kishte dënuar të akuzuarin Pajazitaj me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte ulur dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 35 vitesh.
Vendimi për lirimin nga akuza dhe burgimi i të dyshuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt ka ngjallur reagime të shumta.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është i papranueshëm vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin e të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.
Duke komentuar vendimin e Supremes, Haxhiu ka thënë se reformat e nisura nga Qeveria janë të rëndësishme dhe se qytetarët kanë më së shumti nevojë.
“Më lejoni edhe një herë të shpreh shqetësimin tim për një njoftim që sapo u bë publik nga Gjykata Supreme. Personi i dënuar nga shkalla e parë, pra me dënim të përjetshëm, Naser Pajazitaj dhe nga shkalla e dytë me 35 vite dënim, është liruar nga akuza nga Gjykata Supreme”, ka thënë ajo.
Ndër të tjera ato e vlerësuan të papranueshme se si vrasja e një gruaje vlen për gjykatat tona aq pak sa mund të kalojë pa u ndëshkuar askush, ose me një dënim minor.
“Për ne si Grup i Grave Deputete është e papranueshme që jeta e një gruaje vlen për Gjykatat tona aq pak sa mund të kalojë pa u ndëshkuar askush. Ose me një dënim minor.”, kanë shkruar Grupi i Grave Deputete.
Edhe organizatat joqeveritare, Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës -RRGK. Qendra Kosovare për Studime Gjinore – QKSGJ, INJECT, Youth Initiative for Human Rights Kosovo – YIHR KS, Artpolis, Qendra për Informim dhe Përmirësim Social -QIPSCEL dhe SGK kanë kërkuar që të vihet drejtësi për rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt, si dhe kanë kërkuar përgjegjësi institucionale për këtë rast.