10.3 C
Pristina
Sunday, September 29, 2024

Buy now

spot_img

Gërvalla: Se Daçiqi rrenë, s’ka nevojë për dëshmi, ai ka 30 vjet që e bën

Ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla, në raportim para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, ndër të tjera, foli edhe për sfidën në raport me pesë vendet e BE-së, mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës.

Ministrja Gërvalla tha se pavarësisht këtij fakti, me disa prej tyre, Kosova ka marrëdhënie të mira tregtare dhe kulturore. Madje, ajo u shpreh se prej Greqisë, pret që së shpejti të lëvizë nga qëndrimi i saj.

“Pres që Greqia së shpejti mund të lëvizë drejt njohjes, sepse nuk shoh dileme nëse Kosova dhe Greqia janë shtete partnere”, tha ministrja Gërvalla, duke shtuar se -“natyrisht që ne nuk mund t’i imponojmë vullnetin tonë asnjë shteti të pavarur dhe sovran”.

Gjatë raportimit para Komisionit, ministrja Gërvalla tha se është bërë përparim në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës.

Kosova ka aplikuar për antarësim në maj të vitit të kaluar, kurse Gërvalla tha se shpreson që ky proces të jetë çështje muajsh, e jo vitesh.

“Një pjesë e madhe e punës gjatë këtij viti do të jetë e fokusuar në anëtarësimin në Këshillin e Europës ku kemi bërë një progres të mirë deri tani”, tha Gërvalla.

“Presim hapa të tjerë të rëndësishëm me shpresën që anëtarësimi i plotë të jetë çështje muajsh dhe jo çështje vitesh”.

Ndërkaq, për aplikimin në Bashkimin Europian, Gërvalla tha se duhet të bëhet lobim edhe pse thotë se si proces do të zgjasë, siç ndodh edhe me vendet e tjera, duke shtuar se përafrimi me NATO-n mbetet prioritet kryesor.

Ministrja tha se tashmë ambasadorët nuk paguhen njësoj, por sipas standardit dhe indekseve ndërkombëtare.

“Por hapi është i duhur. Ambasadori në Podgoricë e ai në Tokio, nuk mund ta kenë pagën e njëjtë”, tha Gërvalla, duke shtuar se është rishqyrytaur kjo çështje, por duhet punuar edhe më tej.

Gërvalla u pyet edhe për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili raportohet në mediat sllovene si person i përfshirë në transakione të dyshimta.

Por ministrja Gërvalla, duke iu drejtuar deputetes Time Kadrijaj nga AAK, që e parashtoi këtë pyetje, u shpreh se -“do të vijë dita që ju do të skuqeni për këtë që po i bëni ambasadorit Berishaj”.

Ajo tha se nuk ka asgjë të vërtetë dhe se është një media në Slloveni që merret me këtë temë dhe që e njëjta ngjarje ripërtypet në Kosovë.

Sa i përket çështjes së çnjohjeve nga vende të ndryshme të raportuara nga Serbia dhe lobimit që ky vend bën në dëm të Kosovës, ministrja Gërvalla tha se të gjitha do të demantohen një nga një.

“Jemi duke punuar me secilin shtet veç e veç, si ne ashtu edhe partnerët ndërkombëtarë për të parë nëse ka ndonjë lëvizje, por deri më tani nuk ka asnjë indikacion për çnjohje të pretenduara”, tha Gërvalla.

“Se Daçiqi rren, kjo nuk besoj se duhet dëshmuar sepse ai ka 30 vjet që e bën këtë. Nga një person që ka qenë pjesë e regjimit të Millosheviqit, nuk ke çfarë të flasësh për të”.

Ministrja Gërvalla kërkoi mirëkuptim që për shkaqe të kohës, të mos zgjatet raportimi më shumë se një orë, kurse javën tjetër tha se do të mund të raportonte më gjatë./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img