-2.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Haxhiu për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit: Kushdo që e ka bërë këtë vepër, ka bërë veprime kriminale

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur për problematikat brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) si dhe për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit në këtë institut.

Haxhiu lidhur me rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, tha se kushdo që e ka bërë këtë vepër, ka bërë veprime kriminale.

“Kam qenë jashtëzakonisht e shqetësuar se si mund të arrij dikush të bëj veprime kriminale. Kushdo që e ka bërë ka bërë veprim kriminal. Unë nuk kam qasje në këtë institut tek pjesët e ndjeshme. Sa herë kam bërë vizita në këtë institut, kam takuar drejtorin e IML-së dhe në një takim të përbashkët me gjithë stafin. Sepse nuk ia lejoj vetes time që të ndërhyj në punët e dikujt tjetër, pra jashtë mandatit tim dhe të kem qasje në pjesë ku konsiderohen që janë të ndjeshme.

Në dhomën ku ruhen mostrat kanë pasur qasje vetëm tre persona. Unë kam kërkuar që së pari të merren masa ndaj personave në fjalë me anë të komisioneve. Komisioni disiplinor i ka suspenduar dhe fatkeqësisht pas ankesave, Komisioni i ankesave i ka rikthyer. Për mua kjo nuk ka asnjë justifikim…dhe në asokohe kur këta janë rikthyer kanë thënë që ende këta nuk janë nën cilësinë e personit të dyshuar. Dhe në momentin kur kemi dyshim si person i dyshuar, atëherë do të njoftohet IML-ja”, u shpreh e para e MD-së.

Ajo tha se ky rast po trajtohet nga Prokuroria Speciale, sikurse vrasja e Astrit Deharit dhe zhdukja e mostrave, ndërsa u shpreh se pret që rasti të trajtohet me seriozitet.

Haxhiu tutje u shpreh se nuk guxojnë të lejojnë dhe të tolerojnë që individë që kanë qëllime të këqija të tentojnë ta shkatërrojnë këtë institucion.

“…jam e pakompromis për këtë. Prandaj, i bëj thirrje institucioneve përgjegjëse, policinë dhe prokurorinë që të kenë vigjilencë sidomos në raste të tilla”, tha ndër të tjera ministrja e Drejtësisë.

Haxhiu shprehu shqetësimin e saj për këtë institucion, pasi siç u shpreh ajo IML-ja është një nga sfidat më të mëdha e që është nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa theksoi se ka përshtypjen se në këtë institucion ka probleme më shumë dhe se duhet ta ketë vëmendjen më të madhe se sa Shërbimi Korrektues i Kosovës.

“Kam gjetur shumë probleme dhe më besoni, jo vetëm që s’ka pas përpjekje të ish-ministrave të drejtësisë që t’i zgjedhin problemet, por në fakt ata kanë shkaktuar probleme të shumta duke tentuar të krijojnë grupe dhe individë të fuqishëm brenda IML-së”, tha Haxhiu

Sipas saj, në momentin kur e kanë kuptuar që ka shumë probleme kanë filluar menjëherë me adresimin e tyre.

Haxhiu tregoi se kanë ndaluar 1 milion euro të kompensimeve të paligjshme të ekspertëve mjeko-ligjorë.

“Sigurisht që sfida më e madhe ka qenë që të gjejmë persona me vullnet e t’i adresojmë këto probleme, duke nisur nga adresimi i rregullores, digjitalizimin, ndaljen e paligjshmërive, sepse siç e dini ne kemi bërë publike që diku rreth 1 milion euro ka qenë kompensimi i paligjshëm i ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, të cilën ne e kemi ndal. Tash, sigurisht kur futesh në reforma të tilla mund të ketë edhe probleme”, u shpreh ajo, duke shtuar se nuk përfshihet në aspektet profesionale të ekspertëve të mjekësisë ligjore.

E pyetur pse në laboratorin e Toksikologjisë nuk kryhen analizat kuantitative të substancave narkotike dhe medikamenteve mjekësore, ajo tha: “Nuk dua të kem ndikim në aspektet profesionale të ekspertëve të mjekësisë ligjore se çfarë analiza bëhen, sepse mendoj që është përtej mandatit tim. Pra, nëse ekspertët e fushës kanë vlerësuar që nuk duhet të bëhen, sigurisht që ata vlerësojnë profesionalisht. Sa kam informacione analiza të tilla kryhen, por do të marr informacion shtesë që të njoftohem nëse bëhen apo jo. Por, ka aq shumë thashetheme dhe fjalë brenda këtij instituti sa që e ke përshtypjen që nuk mund të mbërrish asnjëherë tek e vërteta”.

Ministrja ritheksoi sërish se një nga institucionet që ka më shumë probleme është IML, dhe siç theksoi ajo “ kjo është për keqardhje”.

“…një nga institucionet që kam më shumë kërkesa për takim është ky institucion. Takimet që unë i mbaj në Institutin e Mjekësisë Ligjore adresojnë çështjen e problemeve të përgjithshme në institut, kryesisht ndërlidhen me interesat personale, individuale dhe kjo është për keqardhje”, tha ajo.

Haxhiu tutje gjatë intervistës tha se duhet të ketë një unifikim se si të rregullohet imazhi i IML-së para qytetarëve.

“Kur zhduken mostrat në këtë institut, apo kur ka problem të natyrave të tjera, sigurisht që ulet besimi i qytetarëve në këtë institucion. Çka do të thonë familjarët e personave të pagjetur, çka do të thonë familjarët kur kërkohen ekzaminime, apo autopsi që kryhen nga ky institucion.

Prandaj, dhe në takimin e fundit që kam pasur kam kërkuar vigjilencë, respekt të ndërsjelle ndaj njëri tjetrit dhe punë me përgjegjësi të lartë. Tani instituti drejtohet nga Ditor Haliti, që është duke bërë përpjekje maksimale që t’i adresoj problemet që edhe vet i ka trashëgua, nuk i ka bërë por i ka trashëgua. E ka mbështetjen time për punën e mirë që po tenton ta instaloj në IML”, tha Haxhiu.

Ajo më tej deklaroi se “Një gjë duhet ta kenë të qartë, unë nuk bij pre as e shantazheve, kërcënimeve, e presioneve të njerëzve brenda IML-së. Jam shumë e hapur që t’i tejkalojmë problemet të cilat mund të jenë të tejkalueshme. Mirëpo, kanë kërkesa të cilat unë nuk mund t’i adresojë dhe ato nuk mund t’i shtyj përpara”./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img