Dora e mbuluar me xhemperin e tij, në të cilën vërehet menjëherë mungesa e shuplakës, është ndër gjërat e para që të bien në sy, sapo të jesh ulur përballë tij. Invalidi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), derisa flet për dramën e tij jetësore, tregon se si u kthye nga vdekja pas komës e cila zgjati për tri javë.
Imami i xhamisë së Shipolit, Fatmir Latifaj, në një intervistë për Telegrafin, tregon se si në moshën 18 vjeçare ishte bërë pjesë e UÇK-së, në Zonën Operative të Drenicës, me ç’rast ai në një pritë të forcave serbe plagoset keq, duke u detyruar më pas që ta amputojë shuplakën e dorës së djathtë.
Duke e vazhduar rrëfimin e tij, ai ka sqaruar për mënyrën se si ishte plagosur – kur me urdhër të eprorëve të tij, si i ngarkuar me përcjellje të disa detyrave ushtarake deri në Junik, niset nga zona e Drenicës për në zonën e Dukagjinit, ku edhe bie në një pritë të forcave serbe.
Tregimi i 37 vjeçarit, i cili me krenari thotë se “dorën ja fala Kosovës dhe prapë do ta bëja të njëjtën”, vazhdon të rrëfej për vështirësitë që i dolën pas këtij aksidenti.
“Kam qenë në koma për tri javë, dhe nuk më kujtohet asgjë. Ajo që e mbaj mend, është se kur i kam hapur sytë, kam qenë i shtrirë në një spital në Turqi. Diku 70 për qind të trupit e kam pasur jashtë funksionit. Vetëm Zoti e di sa e rëndë ka qenë adaptimi me rrethanat e reja. Kisha probleme me nofullën, e ajo që më shkaktonte problemet më serioze, ka qenë dëmtimi i gjëndrave pështymore, ku nuk kisha mund ta kontrolloja pështymën”, ka theksuar ai.
Latifaj tregon se edhe mjekët kishin hequr dorë dhe i kishin thënë “se duhet të pajtohesh me faktin se nuk mund të kthehesh përsëri në gjendje normale”.
“Më kujtohet si sot, se gjatë asaj kohe pata vendosur ta bëjë Umren – vizita e vendeve të shenjta (Meka dhe Medina) – ku iu pata lutur të Plotfuqishmit Zot, me thellësinë e zemrës, me këto fjalë: Ose do të më shërosh, ose unë nuk do të largohem nga ky vend. E, Krijuesi i gjithësisë, më pranoi lutjen, sa që kur shkova për vizitën e radhës të mjekët të cilët e trajtonin problemin tim, më thanë se nuk ka mundësi të ndodhë ky rikthim. Për njerëzit nuk ka mundësi, për Allahun asgjë nuk është e vështirë”, ka thënë ai.
Ai sqaron për Telegrafin se kthimi në Kosovë ishte me dilema, për arsyen e vetme “se nuk e dija si do të reagonin prindërit e mi kur do të më shohin në këtë gjendje”.
“Ata nuk e dinin se i biri i tyre do të ishte në një gjendje tjetër nga koha kur ishte larguar nga shtëpia. Ishin bërë muaj kur unë nuk isha parë më familjen. Dhe, kur u ktheva, nuk ka qenë aspak e lehtë për ata të më shohin me një mori telashesh. Besoj atë ndjenjë vetëm një prind mund ta di”, ka shtuar Latifaj.
Ai ka theksuar se në këtë kohë kishte edhe momente të gëzueshme: “unë po merrja trajtimin mjekësor, kur mora një lajm tepër të gëzueshëm, që ishte pranimi në Universitetin Islamik të Medinës, duke e forcuar rrugën time për tu bërë hoxhë”.
Ai vazhdimisht flet e sqaron situata dhe ndodhi që e kanë përcjellë atë, por me theks të veçantë dhe me doza të larta falënderimi flet për bashkëshorten, e cila sipas tij, është një heroinë për të.
“Unë në vitin 2002 jam martuar. Ka qenë moment tepër me rëndësi në jetën time, për arsye se nuk isha sikurse të gjithë të tjerët. Mungonte diçka, po flas në aspektin fizik. Por, mrekullia e Zotit është se ai më begatoj më një grua fisnike dhe burrërore, e cila nuk kishte ngurruar që ta pranoj një bashkëshort me ‘mungesa’ si unë. Unë shpeshherë e them metaforiksht se ajo është ‘Shota ime’”.
Invalidi i UÇK-së, duke folur për periudhën e luftës, e përmend me lot në sy, dëshmorin e kombit, Ilaz Kodra – komandant i tij, për të cilën thotë se “pak nana lindin asi burra”.
Imami Latifaj, dramën e luftës – pavarësisht dhimbjeve – thotë se e kujton me krenari, dhe se dashurinë për vatanin në periudhën e paqes, e ka transformuar në një mision të cilit ai thotë se do t’i shërbej deri në frymën e fundit.
“Ata që më njohin, kryesisht në qytetin tim, e dinë se ‘Mulla Fatmiri’, është adresa ku drejtohen njerëzit që kanë ngatërresa, gjaqe e probleme ndërnjerëzore. Unë bëj përpjekje me autoritetin tim si hoxhë – i cili ende respektohet në shoqërinë tonë – t’i zbusë zemrat e t’i pajtoj shqiptarët”, ka theksuar ai.
Imami nga Mitrovica thekson se “në një klimë aspak të këndshme, të gjendjes së rëndë sociale dhe ekonomike, e dalldisë së rinisë tonë pas disa ‘vlerave’, që nuk janë tonat”, sipas tij, “na është shtuar edhe një brengë, ajo e vëllavrasjes, gjakmarrjes dhe e ngatërresave për motive banale”.
“Fatkeqësisht na ka humbur orientimi, dhe pasojat po i shohim dita–ditës, dhe kam drojën se do të jetë vonë nëse nuk i parandalojmë disa fenomene që na kanë pllakosë si shoqëri”, ka shtuar ai.
Latifaj thekson se nga paslufta në vend, janë rreth 1 mijë raste të vrasjeve, duke përfshirë gjakmarrjen, vrasjet për arsye të ulëta, etj.
“Shkurt e shqip, këtu një shqiptar e ka vrarë një shqiptar tjetër. E tmerrshme. Problem social i cili është barrë që nuk mund ta durojë kjo shoqëri”, ka theksuar ai.
Ai ka thënë se e falënderon Zotin për frymëzimin që ia ka dhënë, që ai të jetë ura lidhëse që shumë familje të pajtohen, e shumë ngatërresa të zgjidhen, duke shtuar se burim frymëzimi i ka fjalët e Allahut, porositë e profetit Muhamed, dijetarëve e imamëve të mëdhenj, duke përfshirë këtu sipas tij, edhe hoxhallarët shqiptarë, “të cilët u grinë, u prenë, e u treten në shërbim të kësaj toke”.
“Mjafton si kujtim Mulla Idriz Gjilanin, që ka qenë halë në sy për Jugosllavinë dhe komunistët. Luftëtar që se ka pasë shokun. Hoxhë Idriz Kokrrukin, njeri i urtë e pajtues i madh. Do të më mjaftonte t’i ngjasoja atij”, ka theksuar Latifaj.
Ai thotë se “e ka nisë këtë mision për hir të Zotit, e beson fuqishëm se nuk do të zhgënjehet”. “Unë dua ta sqaroj se jam ‘pajtues’ dhe jo person i cili merr vendime ekzekutive, sepse ato i kryejnë organet gjegjëse. Unë vetë jam krah i institucioneve të vendit”, ka shtuar Latifaj.
Imami i xhamisë së Shipolit, ka thënë se frymëzimi i mbjellur prej Zotit dhe puna e vazhdueshme në këtë drejtim, kanë bërë sipas tij, që ky angazhim të mos i shkaktojë lodhje dhe mërzi.