-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Gjykimi i krerëve të UÇK në Hagë, Osmani: Do të triumfojë drejtësia, UÇK ka bërë luftë çlirimtare

Në një intervistë për gazetën austriake “Diee Presse”, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, duke folur për procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish krerëve të UÇK-së, ka thënë se “në fund të këtij procesi do të konfirmohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë çlirimtare për mbrojtjen e njerëzve të pambrojtur”.

“Jam e sigurt se drejtësia do të triumfojë. Dhe se në fund të këtij procesi do të konfirmohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë çlirimtare për mbrojtjen e njerëzve të pambrojtur. Ata mbrojtën vendin dhe popullin e tyre kundër regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit”, ka thënë Osmani.

Ajo ka folur edhe lidhur me marrëveshjen në bazë të Planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe nëse kjo do t’i afrojë dy vendet.

“ Jo më afër njëri-tjetrit, por më afër BE-së. Suksesi në procesin e udhëhequr nga BE-ja do të sjellë më shumë stabilitet në rajon. Marrëveshja trajton Kosovën dhe Serbinë si palë kontraktuese të barabarta për herë të parë. Përmes saj, Serbia e njeh integritetin tonë territorial në përputhje me Kartën e OKB-së dhe marrëveshja e siguron njohjen reciproke të dokumenteve dhe simboleve kombëtare. Më e rëndësishmja, në marrëveshje thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë më anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

Osmani gjiothashtu ka thënë se ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë së fundmi në Vjenë se Serbia nuk do të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Kjo është një shkelje e qartë e marrëveshjes. Neni 4 i marrëveshjes e bën të qartë se Serbia nuk do ta pengojë pranimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Por, ne e dimë se kush është pengesa e vërtetë: nuk është Serbia, është Rusia. Për shkak të drejtës së vetos, është Rusia e cila mund të shkaktojë probleme me pranimin e Kosovës në OKB. Me kalimin e kohës do ta zgjidhim edhe këtë. Aktualisht prioritetet tona janë anëtarësimi në NATO, anëtarësimi në organizata si Këshilli i Evropës dhe sigurisht integrimi në BE”.

Ajo më tej tha se “Daçiq ka thënë në Vjenë se Kosova duhet së pari të zbatojë marrëveshjen e vjetër për krijimin e asociacionit të komunave serbe. Vetëm atëherë Beogradi do të ndërmarrë hapat e ardhshëm në zbatimin e planit të normalizimit. Një plan i tillë nuk është i përfshirë në marrëveshjen që kemi arritur me Beogradin në Ohër. Por nuk mendoj se shumë njerëz në bashkësinë ndërkombëtare e marrin seriozisht Daçiqin dhe atë që ai bën. Ai tashmë në karrierën e tij politike ka treguar se ndryshon pozicione çdo ditë.

Lidhur me problemin që mund ta ketë Kosova për zbatimin e marrëveshjes që ka të bëjën me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Osmani tha se problemi kryesor është Serbia.

“Për shembull, nëse Austria do ta kërkonte një shoqatë të veçantë për austriakët në Kosovë, ne nuk do të shqetësoheshim aq. Austria e njohu Kosovën si shtet. Nuk është qëllimi i Austrisë ta minojë pavarësinë tonë. Serbia nuk dëshiron të avancohen të drejtat për serbët në Kosovë. Përkundrazi, ajo përdorë strukturat e saj ilegale në veri të Kosovës për t`i kërcënuar serbët që jetojnë atje. Ata thjesht duan ta bëjnë Kosovën jofunksionale si shtet, siç kanë bërë me Republikën Srpska në Bosnje e Hercegovinë. Ata duan një Milorad Dodik të dytë (President i Republikës Srpska) në Kosovë”, tha ajo.

Osmani ka thënë se nëse Kosova i respekton zotimet në kuadër të marrëveshjes, do të kujdeset të veprojë në përputhje me kushtetutën.

“Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese po ashtu përmendet nevoja për respektimin e parimit të multietnicitetit. Një shoqatë e komunitetit serb do të duhej gjithashtu të respektonte të drejtat e grupeve të tjera etnike që jetojnë aty. Ne e kemi një vijë të kuqe: nuk duhet të ketë të drejta ekzekutive për një strukturë paralele administrative serbe. Por në të njëjtën kohë, natyrisht, ne do t`i zbatojmë të gjitha të drejtat dhe liritë e pakicave sipas standardeve evropiane. Kjo duhet të shkojë paralelisht me zbatimin e pikave të tjera të marrëveshjes, siç është njohja e simboleve kombëtare. Serbia ka treguar se nuk dëshiron ta zbatojë këtë. Ne presim që edhe nëse Serbia vazhdon me bllokada, partnerët tanë do të mbështesin integrimin ndërkombëtar të Kosovës”.

Lidhur me vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, presidentja Osmani tha se “në takimin e radhës në prill duhet të merremi kryesisht me personat e zhdukur në luftë”.

“Si presidente e Kosovës, jam e përkushtuar që këtë ta bëj prioritet të dialogut. Na duhet një marrëveshje përmes së cilës Serbia i hapë arkivat e saj për ta sqaruar fatin e të  zhdukurve me dhunë. Bëhet fjalë për më shumë se 1600 persona, përfshirë gra dhe fëmijë”.

Osmani ka folur edhe për ndikimin e agresionit rus në Ukrainë në Kosovë dhe në rajon.

“Rusia ka një ndikim negativ në rajon, të cilin po përpiqet ta destabilizojë me ndihmën e aleatit të saj, Serbisë. Sa herë që ka një krizë në Ballkan, ne duhet ta shohim nga një prizëm më i gjerë: respektivisht, pretendimet e Rusisë për hegjemoni mbi Evropën. Duhet të kemi shumë kujdes që ky ndikim i dëmshëm të mos përhapet. Kosova aspiron të jetë në anën e duhur të historisë, jo vetëm ekonomikisht por edhe politikisht. Ne e mbështesim Ukrainën. Në të njëjtën kohë, Rusia do të përpiqet ta destabilizojë Kosovën me ndihmën e Serbisë”, tha ajo.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img