0.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Publikohet Aktgjykimi që rrëzoi propozimin e Ministres Haxhiu në Sistemin Prokurorial

Gjykata Kushtetuese e ka publikuar sot Aktgjykimin e plotë, sipas të cilit bien poshtë ndryshimet e Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të hartuara nga Ministria e Drejtësisë dhe i miratuar me shumicë votash në Kuvend.

Gjykata ka theksuar se ndryshimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës i kishte paraprirë procesi i Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, që ka rezultuar në Strategjinë 5 për Sundimin e Ligjit 2021-2026, ku synohej “ngritja e llogaridhënies së sistemit gjyqësor dhe prokurorial”, ndër të tjera, përmes “zbatimit të masave të parapara, duke filluar me ndryshime ligjore në përbërjen e KGJK-së dhe KPK-së.

Në Aktgjykim thuhet se parashtruesit e kësaj kërkese, që janë deputetët e PDK-së dhe të LDK-së, pretendojnë se nenet 13, 16, 18 dhe 20 të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me nenet: 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Efektive], 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 109 [Prokurori i Shtetit] dhe 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës.

Tutje thuhet se parashtruesit e kësaj kërkese, ndër të tjera, theksojnë se paragrafi 4 i nenit 110 të Kushtetutës, përcakton që “Përbërja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe dispozitat për emërimin, shkarkimin, mandatin, strukturën organizative dhe rregullat e procedurës, rregullohen me ligj”. Sipas tyre, ky fakt ka mjaftuar që Qeveria të propozojë dhe Kuvendi të miratojë Ligjin e kontestuar, i cili përveç tjerash, ndryshon përbërjen e KPK-së dhe numrin e anëtarëve të tij, nga trembëdhjetë (13), sa ishte deri më tani në shtatë (7) sosh. Ndërkaq, sipas parashtruesit të kërkesës, arsyetimi i vetëm i këtij ndryshimi substancial të numrit të anëtarëve të KPK-së, në koncept-dokumentin që i ka paraprirë atij ndryshimi, është përmbledhur në një fjali të vetme dhe të shkurtër, përkatësisht “për qëllime të efikasitetit të punës së KPK-së”.

Një nga pikat e ligjit që parashtruesit e kanë konstestuar, sipas Aktgjykimit, është zgjedhja e dy anëtarëve jo-prokurorë të KPK-së me shumicë të thjeshtë të votave në Kuvend.

“Përkitazi me zgjedhjen e dy (2) anëtarëve jo-prokurorë, parashtruesit e kësaj kërkese, pretendojnë se dispozitat e Ligjit të kontestuar që përcaktojnë zgjedhjen e 2 (dy) anëtarëve jo-prokurorë me shumicë të thjeshtë të votave në Kuvend, ‘…rrisin rrezikun që anëtarët e KPK-së të emëruar nga Kuvendi, të jenë persona, që potencialisht përfaqësojnë politikat e shumicës në Kuvend dhe jo persona me autoritet dhe integritet që marrin besimin gjithëpërfshirës të përfaqësuesve të popullit’”.

Sipas parashtruesve të kërkesës, në mënyrën se si është përcaktuar zgjedhja e dy (2) anëtarëve jo-prokurorë nga Kuvendi, lehtësisht këta anëtarë mund të emërohen me vetëm tridhjetë e një (31) vota të deputetëve, që si përfaqësim është minimal për emërimin e personave në këtë institucion të rëndësishëm kushtetues.

“Në këtë kontekst, parashtruesit e kësaj kërkese vlerësojnë se zgjedhja e këtyre anëtarëve të KPK-së, duhet të bëhet me ligj, dhe me votat e së paku gjashtëdhjetë e një (61) deputetëve ose me dy të tretat (2/3) e deputetëve që votojnë në procedurën e zgjedhjes së tyre nga Kuvendi. Kjo, sipas parashtruesve të kërkesës do të ishte një garanci për emërimin e personaliteteve me reputacion dhe me integritet profesional, ashtu siç e meriton ky institucion i rëndësishëm kushtetues që përfshin një shtyllë të rëndësishme të sistemit të drejtësisë. Pra, parashtruesit e kësaj kërkese, vlerësojnë se votimi me shumicë të thjeshtë, përkatësisht nga shumica e deputetëve që janë të pranishëm dhe që votojnë, cenon pavarësinë dhe integritetin e këtij organi të pavarur kushtetues, duke i dhënë kështu secilës shumicë parlamentare mundësi të madhe për ndikim dhe kontroll politik mbi anëtarët jo-prokurorë në KPK”, thuhet në shpjegimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në Aktgjykim janë përfshirë edhe komentet e dorëzuara nga Këshilli Prokurorial, ku, ndër të tjera thuhet, “ndërmarrja e veprimeve të njëanshme nga Ministria e Drejtësisë për ta ndryshuar Ligjin nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pa filluar edhe me ndryshimet e tjera në ligjet bazike të sistemit të drejtësisë ashtu siç është paraparë me Strategjinë e Sundimit të Ligjit ka qenë tendencë për të ndërhyrë në pavarësinë e institucionit tonë”.

Më 19 korrik 2022, Ministria e Drejtësisë i dorëzoi në Gjykatë komentet e saj ndaj pretendimeve të parashtruesve të kërkesave, ku fillimisht theksoi se kërkesat e parashtruara janë “plotësisht të pabazuara”. Më tej, lidhur me iniciativën për ndryshimin e Ligjit bazik, Ministria e Drejtësisë, ndër të tjera, theksoi se nga Strategjia për Sundimin e Ligjit 2021-2026, rezulton në të gjetura përkitazi me funksionimin e KPK-së, duke filluar nga: “…përbërja, ku ka kritere kufizuese për anëtarësimin e personave jashtë sistemit prokurorial dhe se veçanërisht numri i prokurorëve në KPK është mjaft i madh, duke nënkuptuar se kriteret ligjore mundësojnë përfaqësim jo kualitativ dhe jo domosdoshmërisht të pavarur nga politika”.

Lidhur me ndryshimet në përbërje të KPK-së që rezultojnë përmes Ligjit të kontestuar, Avokati i Popullit, ndër të tjera, thekson se është me rëndësi që Gjykata të vlerësojë nëse të njëjtat janë në pajtim me dispozitat kushtetuese dhe nëse: “…cenohet pavarësia e Avokatit të Popullit sipas nenit 132 të Kushtetutës, po ashtu nëse cenohet ndarja e pushteteve,” si dhe funksionimi i pavarur i KPK-së, siç garantohet edhe me nenin 110 të Kushtetutës.

Sipas Avokatit të Popullit, mundësia që Avokati i Popullit të caktojë një (1) anëtar të KPK-së “…eventualisht do të mund të shihej si cenim i pavarësisë së Avokatit të Popullit, por edhe i asaj të KPK-së”.

Sipas Avokatit të Popullit, kjo kompetencë e re e cila parashihet me Ligjin e kontestuar, nuk buron as nga Kushtetuta dhe as nga Ligji për Avokatin e Popullit, dhe bazuar në këtë, Avokati i Popullit “…e vlerëson si shumë të rëndësishme që Gjykata Kushtetuese të vlerësoj kushtetutshmërinë e përcaktimit të kompetencës së Avokatit të Popullit në caktimin e një anëtari të KPK-së, në aspekt të cenimit të pavarësisë së tij”.

Në vlerësimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka përfshirë dy Opinione, të cilat i ka dhënë Komisioni i Venecias për draftligjet e hartuara nga Ministria e Drejtësisë.

Në Aktgjykim thuhet se, sipas Opinionit të parë të Komisionit të Venecias, “asnjë nga këto modele nuk është pa të meta”, sidoqoftë, (i) “çfarëdo modeli pluralist, është më i mirë se një model ku këshillat prokurorial janë të dominuar nga një grup monolitik i anëtarëve prokurorë, të nënshtruar ndaj Kryeprokurorit të Shtetit, ose një grup monolitik i të emëruarve politikë që i janë besnikë shumicës qeverisëse”; dhe (ii) është e rëndësishme që përbërja e KPK-së të jetë mjaftueshëm “pluraliste” për të siguruar që prokurorët të mos mund të qeverisin të vetëm dhe në të njëjtën kohë, që anëtarët jo-prokurorë, zgjedhja e të cilëve është bërë me votat e shumicës që përfaqësojnë shumicën qeverisëse, “të mos mund t’i mbivotojnë lehtë ata”.

Pasi ka bërë shqyrtimin e ankesave të parashtruesve dhe komentet e marra nga të gjitha palët e përfshira, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë ankesën e partive opozitare, duke konstatuar se pikat e kontestuara të Ligjit nuk janë në përputhje me disa pika të Kushtetutës. Si përfundim, me atë të këtij Aktgjykimi, Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për KPK-në shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img