5 C
Pristina
Tuesday, October 1, 2024

Buy now

spot_img

Tensionet në veri, a mund të përshkallëzohet situata? Flasin ekspertët e sigurisë

Situata në veriun e Mitrovicës vazhdon të jetë e tensionuar. Në ditët kur po afrohet data e zgjedhjeve për katër komunat serbe në veri, 8 vetura të serbëve lokal, të regjistruara me targa RKS janë djegur.

Lidhur me këto incidente dhe për situatën në veri të vendit, për Front Online ka folur eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, i cili ka thënë se kjo është një formë e luftës përmes akteve terroriste.

“Është një formë e luftës speciale përmes akteve terroriste për të frikësuar civilët serb për tu integruar në jetën shoqërore dhe shtetërore kosovare”, ka thënë Kajtazi.

I pyetur nëse tensioneve në veri i ka kontribuuar edhe përcaktimi i Listës Serbe që të mos marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar të katër komunave të veriut të Kosovës, të shpallura për datën 23 prill, Kajtazi ka thënë se kjo listë nuk është kontribuuese por zbatuese e veprimeve që krijojnë tensione ne Kosovë, pasi që sipas tij, ajo vetëm i zbaton urdhrat.

“Lista Serbe është ekspozitur, apo rezidentur e qeverisë serbe në Kosovë, përmes së cilës realizohen të gjitha aksionet subversive serbe në drejtim të Kosovës. Ajo vetëm zbaton urdhrat e qeverisë serbe, ajo nuk është kontribuuese, por zbatuese e veprimeve që krijojnë tensione në Kosovë”, është shprehur ai për Front Online.

 

“Diplomacia jonë dy vitet e fundit është inekzistente, çështja e veriut do të zgjidhet përmes vendimeve politike”

Kajtazi ka deklaruar se zgjidhja për çështjen e Veriut do të bëhet përmes vendimeve politike, të cilat janë të imponuara nga fuqitë e mëdha duke shtuar se për shkak se diplomacisë kosovare, pala serbe po paraqitet e virgjër ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

“Zgjidhja e çështjes së Veriut do të bëhet përmes vendimeve politike, të cilat do të imponohen nga fuqitë e mëdha. Tani Kosova dhe Serbia janë akter të cilët përmes diplomacisë do të tentojnë që secila palë të përfitoj më shumë. Fatkeqësisht, diplomacia e jonë në këto dy vitet e fundit është inekzistente, duke bërë që ajo serbe të fitoj terren. Kjo ka ndikuar që tani të kemi një situatë ku Serbia të paraqitet e virgjër para bashkësisë ndërkombëtare, duke ja dal që të fshijë fajësinë për gjenocidin në Bosnje dhe Kosovë, ku pjesëmarrëse ishte edhe kjo klasë politike që përfaqësohet nga Vuçiq”.

Kajtazi ka komentuar edhe deklaratat e Kryetares së Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së, Ganimete Musliu e cila tha se kanë informacione se në Rashkë po bëhen ushtrime për të destabilizuar Veriun.

Eksperti i sigurisë, në një përgjigje të shkurt për Front Online e konsideron të rrezikshme këtë situatë.

“Natyrisht se është rrezik, por për këtë punë janë organet shtetërore të cilat duhet ta vlerësojnë shkallën e rrezikut e pastaj të marrin masa, për të cilat kujtoj që adekuate janë ato diplomatike”, ka deklaruar Kajtazi për Front Online.

Lidhur me këtë çështje për Front Online është deklaruar edhe profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami.

Ai ka theksuar se Serbia vazhdon ta mbaj në tension situatën në pjesën veriore të Mitrovicës, duke maltretuar vazhdimisht qytetarët serbë.

“Qeveria serbe në vazhdimësi është duke e mbajtur të tensionuar situatën në veri të Kosovës. Vetëm në ditët te fundit kemi parë djegien e veturave serbe të qytetarëve të cilat bartin tabela RKS. Pjesa dërmuese e qytetarëve serbë në veri janë duke u maltretuar dhe duke u shantazhuar. Kemi parë rastin para dy ditëve, kur një qytetar serb mori guximin dhe doli me një pankartë që të mos digjen veturat, duke treguar me këtë se janë kundër listës serbe dhe kundër veprimeve për shantazhimin e qytetarëve serbë”, ka thënë ai.

Duke folur për tensionet në atë pjesë, Islami përmend edhe çështjen e zgjedhjeve.

Ai ka thënë se mos pjesëmarrja e Listës serbe në zgjedhjet e 23 prillit është veprim kriminal.

“Është ditur se në një të ardhme të afërt do të mbahen zgjedhjet, dhe dihet se lista serbe nuk është e interesuar të marr pjesë. Kësisoj pjesëtarët e saj janë duke kryer veprime kriminale, madje mund të quhen edhe veprime terroriste për shkak se ato janë duke e rrezikuar rendi dhe sigurinë publike në vendin tonë”.

 

Islami: S’mund të ketë destabilizim në veri, marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë

Por a do të ketë rrezik të shtuar për gjendjen në veri të Mitrovicës, Islami nuk beson një gjë të tillë, duke i komentuar edhe deklaratat e fundit të deputetes Ganimete Musliu për informatat që në Rashkë ushtria serbe po kryen ushtrime me qëllim të destabilizim të vendit.

“Nuk pres që të ketë një ngjarje të tillë, për shkak se marrëveshja e Ohrit tregon se të dyja palët janë të obliguara që t’i përmbahen marrëveshjes dhe nëse nuk përmbahet, atëherë pasojnë sanksionet ndaj të dy shteteve”.

Ai tha nëse Serbia së bashku me listën serbe dhe me grupet kriminale dëshirojnë ose tentojnë te sjellin destabilizim të vendit, pasojat do ti bartë vet qeveria e Serbisë

“Pavarësisht se Qeveria serbe është duke e përdorur luftën hibride në raport me Kosovën, tashmë dihet që marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme për te dyja palët edhe në rastin konkret, unë mendoj që veriun e Kosovës nuk e destabilizojnë këto veprime, duke marrë parasysh disa incidente të vogla që mund të ndodhin. Por, nëse eventualisht qeveria serbe së bashku me listën serbe dhe me grupet kriminale dëshirojnë ose tentojnë te sjellin destabilizim të vendit, pasojat do ti bartë vet qeveria e Serbisë”, tha ai për Front Online.

Kujtojmë se dje në Bruksel u zhvillua takimi mes dy kryenegociatorëve të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar lidhur me marrëveshjen e Ohërit.

Pas takimit, Petkoviq tha se janë pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, e cila, sipas tij, do të miratohet zyrtarisht në një takim të nivelit të lartë – mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img