-3.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Intervistë me Abdullah Klinakun: “Si e vlerëson procesin e Gjykatës Speciale dhe çështjet e tjera politike?”

Intervistë e zhvilluar me kryetarin e klubit “Demokracia Konservatore” Z. Abdullah Klinaku

Intervistoi: Fatijona Bajraj për PrishtinaPress

Abdullah Klinaku njihet si njëri ndër aktivistët më të shquar të Kosovës. Së fundmi, ai është kyçur në jetën publike përmes organizimit qytetar duke themeluar klubin “Demokracia Konservatore”. Vlen të theksohet se për suksesin e Klinakut në këtë fushë flet edhe fakti që ai u ftua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Lutjet e Mëngjesit, ku morëm pjesë shumë figura të shquara të politikës botërore. Klinaku idetë e tij po vazhdon t’i realizojë me shumë mund dhe përkushtim. Shihet qartë se Klinaku do të ketë një karrierë të bujshme politike dhe veprat e tij do të jenë shumë në interes të vendit tonë.

F.Bajraj: Jeni themelues i klubit “Demokracia Konservatore” çfarë nënkupton ky koncept?

A.Klinaku: Klubi “Demokracia Konservatore” është organizim qytetar dhe përpjekje për bashkimin e intelektualëve, aktivistëve dhe qytetarëve rreth vlerave që i kultivon demokracia konservatore, si koncept politik e kulturor. Është koncept i cili grumbullon rreth vetes individët që bashkohen rreth vlerave konservatore pa dallime partiake, fetare, krahinore apo nacionale. Klubi vepron si organizim qytetar me aktivitete sociale, kulturore e politike, por tani për tani nuk është organizatë partiake. Për çështje të interesave të përgjithshme që janë pjesë ideore e konceptit të demokracisë konservatore bashkëpunon me organizata jo qeveritare dhe parti politike duke synuar avancimin e këtyre koncepteve dhe mbrojtjen e kauzave.

Klubi “Demokracia Konservatore” është formuar për t’i promovuar vlerat e mira që burojnë nga besimi në Zot, nga tradita jonë kombëtare, fetare e kulturore, si dhe nga familja si qelizë bazë e shoqërisë sonë, vlera mbi të cilat forcohet e ardhmja jonë nacionale dhe ruhet kohezioni social në shoqërinë tonë.

Besojmë në një tërësi vlerash, të cilat kanë mbajtur dhe ruajtur kombin tonë në vazhdimësi dhe kemi ardhur në përfundim se këtë tërësi vlerash më së miri mund ta ruajmë, kultivojmë dhe ta avancojmë përmes konceptit ideologjik konservator, koncept, i cili ka qëllim të ruajë vlerat e mira nga që i ka kultivuar kombi ynë dhe t’i përzgjedhë vlerat e reja që lëvizin në kuadër të globalizimit.

Përmbledhur shkurt, konservatorizmi nënkupton ruajtjen e atyre vlerave që burojnë nga e drejta natyrore, pra, të drejta të dhuruara nga Zoti, siç është kombi që nënkupton shtet të fortë, familja që nënkupton shoqëri të shëndosh, vlerat kulturore e fetare që nënkuptojnë moral politik dhe prona që nënkupton zhvillim dhe mirëqenie ekonomike.

 F.Bajraj: Aktivitetet aktuale dhe të ardhshme të Klubit apo kësaj Lëvizje?

 Klinaku: Aktivitetin publik e organizativ e kemi nisur në fundin e tetorit të vitit të kaluar, pra të vitit 2022. Jemi fokusuar në trajtimin e disa temave të cilat prekin interesin tonë si shoqëri. Kemi ngritur disa kauza ose ju kemi bashkangjitur për t’i dhënë mbështetje disa të tjerave. Pra, po flasim për kauza që janë në kuadër të vlerave konservatore. Në varësi të rrjedhave shoqërore e politike në vendin kemi ofruar në diskursin publik edhe opinionet tona. Familja si vlerë e veçantë te kombi ynë ka qenë fokusi ynë fillestar. Kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi kundër çdo risie ligjore që cenon rendin e familjes tradicionale. Pra, kemi qenë pjesë aktive e mediave dhe aktiviteteve publike që kanë lobuar kundër draft-Kodit Civil i cili ka lejuar martesa brenda gjinisë. Kemi qenë dhe jemi kundër propozimit të ri që lejon fekondimin artificial të vajzave mbi 18 vjeç pa qenë të martuara. Vazhdojmë të flasim për rrezikun tjetër të madh që po e cenon familjen tonë e që është migrimi shumë i madh. Këtë të fundit jemi duke e ngritur si shqetësim shumë serioz dhe kërkojmë prej institucioneve që të marrin masat e nevojshme në kuadër të një plani pesë vjeçar që parandalon migrimin e madh.

Po ashtu kemi qenë dhe jemi pjesë aktive e fushatës kundër konsumimit të produkteve serbe. Fushatë e nisur që më herët nga njerëz të mirë që e duan vendin dhe prodhimin vendor. Në kuadër të kësaj fushate kemi qenë pjesë aktive së bashku me anëtarë të Këshillit Qendror nëpër shumë emisione televizive, kemi organizuar shpërndarjen e fletushkave në sheshin e Prishtinës dhe kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës vendosjen e masave ndaj produkteve serbe, kontrollin e tyre dhe subvencionimin e prodhimit vendor krahas bojkotimin tonë si qytetarë.

Në kuadër të aktiviteteve kemi realizuar takime të ndryshme me grupe politike e qytetare në Kosovë si dhe kemi krijuar raporte të mira me diplomaci të disa shteteve mike të Kosovës, me theks të posaçëm me SHBA dhe Turqinë. Në kuadër të kësaj përherë të parë si profil konservator kemi qenë pjesë zyrtare e vizitës në SHBA, ku kemi takuar shumë njerëz me ndikim të madh atje, qofshin shqiptarë apo amerikanë dhe kemi trajtuar tema mbi të cilat ndajmë vlera të përbashkëta. Po ashtu kemi qenë pjesë aktive e programit të Lutjeve të Mëngjesit në kuadër të liderëve dhe autoriteteve pjesëmarrëse nga rreth njëqind shtete të botës. Për këtë vizitë dhe mbështetje falënderoj miqtë tanë në SHBA dhe do të ju jemi mirënjohës gjithmonë.

F.Bajraj: Keni mbështetur Marshin për Drejtësi, si e vlerësoni procesin e Gjykatës Speciale?

A.Klinaku: Unë besoj në një tërësi vlerash kombëtare të cilat duhet të jenë të pakontestuara dhe duhet respektuar nga të gjithë. Një nga këto vlera të pakontestuara është edhe lufta çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky proces gjyqësor në kuptimin juridik është çudi shumë  e madhe se si e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese dhe amendamentet janë trajtuar si kushtetuese. Në fakt është një trup i huaj në kuadër të një rendi juridik të pa precedent deri më tani. Po ashtu edhe në kuptimin politik është keqardhje presioni ndërkombëtar i asaj kohe për formimin e dhomave të specializuara si dhe votimi pro themelimit të tyre nga Kuvendit i Kosovës. Megjithatë janë procese që tani më nuk zhbëhen.

Duke besuar se UÇK është vlerë kombëtare, e kemi vlerësuar jashtëzakonisht mirë organizimin e Marshit për Drejtësi të organizuar nga platforma Liria ka Emër. Ka qenë një organizim i shkëlqyeshëm. Një pjesëmarrje masive dhe një mbështetje e drejtë e luftës sonë çlirimtare. Efekti juridik e politik i këtij marshi fatkeqësisht nuk është i mundshëm, por efekti moral dhe patriotik ka qenë shumë i madh. Organizimet sikurse këto dëshmojnë se shoqëria jonë ka një tërësi vlerash të cilat synon dhe dëshiron ti ruaj me fanatizëm.

F.Bajraj: Keni pas deklarime publike sa i përket Marrëveshjes politike për normalizimit e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, si e vlerësoni?

A.Klinaku: Qeveria e Kosovës, e cila ka dal nga shumica e votës së qytetarëve, për bindjen time ka qenë dashur ta vendos prioritetin numër një procesin e përmbylljes së dialogut me Serbinë, për dy arsye. E para, për shkak të pretendimeve për raporte të mira të Qeverisë së Kosovës me Administratën Biden, duke pasur parasysh thirrjen publike të z. Kurti drejtuar shqiptarëve që jetojnë në SHBA për të votuar kandidatin demokrat Biden, si dhe për shkak të situatës globale të krijuar pas luftës së Federatës Ruse ndaj Ukrainës. Qeveria e Kosovës nëse do ta kishte lexuar drejt realitetin politik dhe do të kishte vepruar me përgjegjësi shtetërore e jo elektorale, besoj, se prioritetin numër një e kishte vendosur përmbylljen e negociatave me Serbi si mjet për të arritur qëllimin e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë.

Anëtarësimi në NATO, njohja reciproke, njohja nga pesë shtetet anëtare të BE-së, do të duhej të ishin tri kushtet dhe qëllimet kryesore të këtij procesi. Rrjedhimisht nëse arrihet pajtimi midis dy shteteve që janë në konflikt atëherë edhe anëtarësimi në OKB do të ishte proces i pashmangshëm.

Vlerësimet e mia kanë qenë që para dhjetë muajsh se si është konceptuar kjo pjesë e dialogut ne nuk do të kemi mundësi të arrijmë te njohja. Konsideroj se Kosova ka humbur shumë kohë, dhe kjo humbje kohe dhe shpërfillje e miqve ndërkombëtar na e ka sjellë një marrëveshje jo kualitative. Megjithatë edhe përkundër gabimeve shumë të mëdha që janë bërë gjatë këtyre viteve në procesin e dialogut pranimi i planit franko-gjerman në parim është mundësi e mirë për ta dëshmuar konstruktivitetin tonë si palë në procesin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Madje përfitimet e Kosovës nëse kemi plan e kujdes mund të jenë shumë pozitive për të ardhmen tonë. Në të kundërtën do të kemi një deja vu të negociatave të pa kuptimta mbi dhjetë vjeçare.

F.Bajraj: Si i vlerësoni qëndrimet e partive politike opozitare ndaj marrëveshjes?

A.Klinaku: Partitë politike kanë të drejtë të mbajnë qëndrimin e tyre politik në varësi të pozicionit të tyre por duhet në të njëjtën kohë të mbajnë qëndrime parimore kur është në pyetje interesi i vendit. Ky proces ka vend për kritika, disa i potencova më lartë edhe vet. Megjithatë refuzimi i këtij plani do të ishte me pasoja të pariparueshme për vendin tonë. Duke mos dashur të komentoj pozicionin e faktorit ndërkombëtar karshi Kosovës dhe Serbisë, megjithatë edhe këtë aspekt duhet menduar dhe gjykuar. Presioni i madh po vazhdon të bie mbi Kosovën. Prandaj, në pranimin dhe gatishmërinë e Qeverisë për pranimin e këtij plani duhet vlerësuar dhe mbështetur, pa marr parasysh pozicione partiake apo politike.

F.Bajraj: Sa është i nevojshëm uniteti politik në sfidat e mëdha që e presin Kosovën?

A.Klinaku: Kosovën krahas pranimit të këtij plani jo krejt të favorshëm e pret një sfidë shumë e madhe në zbatimin e tij dhe të marrëveshjeve paraprake. Mënyra, kompetencat dhe organizimi i mekanzimit vetëmenaxhues të komunave me shumicë serbe është sfidë shumë e madhe për rendin tonë kushtetues e politik. Procesi i vështirë i forcimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare është po ashtu sfidë shumë e madhe për vendin tonë. Si dhe po ashtu është sfidë shumë e madhe procesi i anëtarësimit të Kosovës në NATO si mjeti më i rëndësishëm i sigurisë sonë kombëtare e shtetërore. Për projekte të mëdha sikurse këto e që janë sfidat tona të së ardhmes duhet domosdo një unitet politik i faktorit vendor dhe atij brenda kombëtar, Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut. Ky unitet i yni politik një gjendje jo të favorshme për vendin tonë do ta kthente në gjendje të favorshme dhe shpresëdhënëse për të një të ardhme të mirë dhe më të ndritshme për vendin tonë.

F.Bajraj: Falemnderit shumë.

A.Klinaku: Falemnderit shumë juve dhe suksese!

/PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img