2.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Dakordimi me Petkoviqin në Bruksel, Bislimi e kamufloi hapin që bëri për Asociacionin

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pardje udhëtoi drejt Brukselit për takimin e parë të nivelit teknik me palën serbe që nga arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Puna e tij ishte e planifikuar nga ora 9 e mëngjesit me takime fillimisht bilaterale me emisarin e BE-së Miroslav Lajçak dhe më pas edhe në atë trilateral me kryenegociatorin serb Petar Petkoviq.

Tek pasdite, Bislimi u deklarua për media për rezultatet e takimeve gjatë tërë ditës.

E përmendi se në takim ka pasë dakordim që të prezantohet një draft-statut për Asociacionin, por këtë e bëri duke e kamufluar në deklaratën para gazetarëve në Bruksel.

Kryenegociatori kosovar iu shmang fjalës Asociacion në prononcimin e tij. Ai tha se është folur për një “grup të menaxhmentit”, që do ta hartojë draft -statutin për mekanizmin për të drejtat e serbëve.

“Ideja është në këtë datë [takimi i nivelit të lartë] të prezantohet një draft fillestar i grupit të menaxhmentit. Ka pak paqartësi mbi atë se si duhet të ecë procedura, kujt duhet t’i dërgohet drafti paraprakisht dhe si duhet të prezantohet”.

Takimi i tij me Petkoviqin dhe ndërmjetësin europian duhet të pasojë takimin mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb. Bislimi këtu njoftoi për detajet e vendosjes së datës për këtë takim të nivelit të lartë.

“Pati një dakordim fillestar që takimi i radhës në nivelin e lartë politik të mbahet më 22 prill. Por, kjo në momentin e fundit nuk është edhe aq e sigurt për arsye se ka indikacioni që presidenti i Serbisë nuk është i gatshëm apo nuk mund të vijë në këtë datë. Kështu që jemi duke shikuar për ndonjë datë alternative”, tha Bislimi.

Ndryshe nga kryenegociatori i Kosovës, ai i Serbisë u mundua që çështjen e Asociacionit ta vendosë në krye të kumtimit të tij për atë që prodhoi takimi i djeshëm. Petkoviq tha se për herë të parë u bisedua me palën kosovare për hapat konkretë të themelimit të këtij mekanizmi, duke potencuar gjithashtu marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.

“Më besoni, sot pas kaq vitesh, për herë të parë në kuadër të një takimi trepalësh, diskutuam për hapat më konkretë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë Ekipi Menaxhues, në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. U vërtetua qartë se hapi i parë në formimin e Asociacionit është prezantimi i draft-statutit të përgatitur nga Ekipi Menaxhues, në kuadër të një dialogu të nivelit të lartë”, tha Petkoviq, siç e citon Danas.

Për këtë Ekip që ka për detyrë ta hartojë draftin e statutit të Asociacionit para disa ditësh ka folur edhe kryeministri Kurti.

“Duhet të dihet mirë statusi i Ekipit Menaxhues, para se ata të draftojnë statute për Vetëmenaxhim, apo çfarëdo qofshin ato. Këtë ekip e përbëjnë gjashtë veta, të cilët, përfundimisht janë emëruar në shtatorin e vitit 2020 dhe vendimin për këtë e ka bërë ish-Zëvendëskryeministri i atëhershëm Rakiq nga Lista Serbe, i cili dha dorëheqje më pas nga Qeveria ime. Pra, këta gjashtë veta janë, nëse s’gaboj, dy serbë nga veriu, dy serbë nga jugu, shefi i OSBE-së dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal. Në bazë të marrëveshjes së 2015-s [për themelimin e Asociacionit], ky ekip menaxhues do të duhej ta draftojë statutin e Asociacionit. Tash, unë nuk e di saktësisht kush është në përbërjen e asaj, por, edhe njëherë po e theksoj, është evidente që është mirë të dihet statusi i atij Ekipi Menaxhues dhe këtë ne si Qeveri do ta shqyrtojmë ditëve në vijim”.

Megjithatë, ai nuk ka dhënë më shumë detaje nëse këtë ekip mund ta shpërbëjnë dhe të caktojnë një tjetër.

Bislimi dhe Petkoviq përveç për dakordimet në kuadër të marrëveshjes bënë të ditur se kanë folur edhe për temat aktuale.

“Kemi diskutuar edhe temat aktuale siç është ajo e energjisë, kemi diskutuar edhe për çështjen e targave se si po ecën implementimi. Kam raportuar se deri në fund të marsit ka pasë një zhvillim të mirë. Pastaj, pas kërcënimeve dhe djegies së veturave në ditën e hënë s’ka pasë vetura të regjistruara. Ka pasë kërkesa të Serbisë që prapë Kosova të tregojë vullnet të mirë dhe të mos vendosë masa ndaj këtyre. Por, mendoj se kjo tash ka kaluar dhe se nuk mund të negociohet apo të diskutohet për targa përveçse duhet të zbatohet. Po ashtu, që është pjesa më e rëndësishme, kemi diskutuar për mënyrën se si duhet të sekuencohen hapat e tjerë që janë pjesë e marrëveshjes bazike, puna e marrëveshjes për të pagjeturit, puna e njohjes reciproke të diplomave, obstruksionet e Serbisë në organizata ndërkombëtare dhe elemente tjera që kanë të bëjnë me marrëveshjen bazike”, tha dje Bislimi.

Edhe Petkoviq tha se kanë folur për çështjen e targave, duke pretenduar se ata kanë dalë me “propozime konstruktive”, por se “Prishtina ka refuzuar”./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img