0.3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

“Isha anëtar i LDK-së”, “mos m’i keqpërdorni shkrimet”, çka tha Jakup Krasniqi sot në Hagë

Në gjyqin e Hagës, në ditën e e tretë pas fillimit të procesit ka folur ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe mbrojtja e tij.

Fjala e Krasniqit ishte kryesisht një rrëfim i jetës së tij. I lënduar nga akuzat e Prokurorisë ai i kërkoi trupit gjykues që të mos marrë parasysh deklaratat e thëna pas luftës, të mos i keqpërdorën shkrimet e tij si dëshmi kundër tyre dhe komunikatat e UÇK-së

Nga katër krerët e UÇK-së, që po akuzohen për krime lufte, i fundit e kishte fjalën hyrëse Jakup Krasniqi dhe mbrojtja e tij.

Jakup Krasniqi, studiues i historisë, në adresimin e tij sot para trupit gjykues ka folur për jetën dhe veprën e tij, të ndërlidhur me aspiratat, përpjekjet e shqiptarëve për t’u çliruar nga Serbia dhe krimet që shteti serb i ka bërë ndaj shqiptarëve prej shumë dekadash.

Krasniqi është shfaqur emocional në disa raste të paraqitjeve të gjatë procedurës paraprake dhe tani që ka nisur gjykimi. Ai sot tha se më shumë është lënduar nga aktakuza e ZPS-së sesa nga burgjet dhe torturat që i ishin bërë në burgjet e Serbisë.

Në ditën e parë të shpalosjes së akuzave, të hënën, Prokuroria ka shfaqur shkrime që u tha se janë marrë nga banesa e Krasniqit.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së pati sot tri kërkesa ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që lidheshin me deklaratat, shkresat e tij dhe komunikatat, të cilat janë përdorur nga ZPK për akuzat ndaj katër krerëve të UÇK-së.

Kërkesa e parë e Krasniqit ishte që “të mos keqpërdoren mendimet e opinionet individuale të pasluftës për kohën e luftës”.

E dyta ishte për copëzat e shkrimeve të tij, që u publikuan ditën e parë të gjykimit. Krasniqi kërkoi të mos i keqpërdoren ato.

Përmes atyre deklaratave dhe shkrimeve dhe komunikatave, ZPS-ja po tentonte të dëshmonte se UÇK-ja ka qenë e mirëorganizuar, se Shtabi i Përgjithshëm ka pasur kompetenca ekzekutive, ndikim dhe kontroll në struktura.

Krasniqi kërkoi nga trupi gjykues të mos merren parasysh ato, duke thënë se komunikatat e UÇK-së në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, në rastin e Fatmir Limajt dhe të Ramush Haradinajt janë konsideruar se material propagandues për ta paraqitur UÇK-në sa më serioze.

“E treta për komunikatat. Unë po lexoj atë që është thënë në vendimin për lirimin e Fatmir Limajt në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës: ‘Komununikatat si material propagandistik ishin rritja e respektit për UÇK-në dhe autoritetit të saj, me qëllim që njerëzit të besonin në të dhe të anëtarësoheshin’. E njëjta gjë thuhet edhe në aktvendimin lirues për z. Ramush Haradinaj”, deklaroi Krasniqi.

Prokuroria Speciale i ka akuzuar krerët e UÇK-së për ndalimin, keqtrajtimin dhe kërcënimin e aktivistëve të LDK-së gjatë viteve të luftës. Krasniqi është ndalur edhe në këtë pikë.

Ai ka thënë se vetë ishte anëtar i LDK-së dhe ka thënë se pas luftës familjarë të tij ishin pjesë e partisë së Ibrahim Rugovës.

“Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së, kur unë isha vetë pjesë e kësaj partie”, ka thënë ai duke përmendur vëllain e mbesën si anëtarë të LDK-së edhe pas luftës”, tha Krasniqi.

Një pjesë e madhe e fjalës së tij është përqendruar në krimet e llojllojshme që Serbia i ka bërë ndaj tij dhe shqiptarëve të Kosovës.

Duke e bërë përgjegjëse Serbinë për krimet ndaj secilës etni të kryera në Kosovë, Krasniqi përmendi vrasjet e të rinjve serbë në një kafene në Pejë, për të cilat ishin akuzuar se i kanë kryer shqiptarët dhe UÇK-ja. Shumë vjet më vonë, zyrtarë serbë kanë thënë se krimi ishte kryer nga Serbia.

“Më 14 dhjetor të vitit 1998, 42 ushtarë të UÇK-së u vranë afër kufirit me Shqipërinë, e në atë mbrëmje në kafenenë ‘Panda’ në Pejë u vranë 6 të rinj serbë e malazias, e vrasjet e tyre u interpretuan si akt hakmarrje nga UÇK-ja. Gjatë përpjekjeve për të gjetur fajtorë, qindra shqiptarë të pafajshëm u torturuan derisa u detyruan 6 të rinj ta pranonin se e kanë kryer krimin. E vërteta doli në shesh pas 15 vjetëve, kur Vuk Drashkoviq, që gjatë luftës ishte zëvendëskryeministër i Jugosllavisë, për gazetën serbe ‘Kurir’ më 18 janar të vitit 2014, tha se vendimi për serinë e krimeve kundër serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve që e mbështesnin Serbinë dhe fajësonin UÇK-në, ishte sjellë nga Millosheviqi e shtabi i tij strategjik. Ishte vendosur që shërbimi i sigurimit shtetëror do të kryente disa sulme terroriste për të cilat UÇK-ja do të fajësohej. Radeten dhe Legijan i autorizuan për të vrarë fëmijë, serbë, jo vetëm serbë por edhe shqiptarë”, tha Krasniqi.

Seanca e sotme u mbyll pasi përfundoi fjalën Krasniqi dhe mbrojtja e tij, për të vazhduar më 11 prill./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img