-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Nga një “Brazil i Ballkanit” në kronikë të zezë të Policisë – Degradimi i imazhit të futbollit brenda dhe jashtë Kosovës

Tashmë askush nuk flet për rekordin magjik prej 15 ndeshjesh pa humbje të Kombëtares së Kosovës në vitet 2018-2019. Nga imazhi i një “Brazili të Ballkanit”, futbolli i Kosovës në tri vjetët e fundit ka pësuar degradim katastrofal.

Imazhi i saj është përkeqësuar në shkallë të madhe si brenda Kosovës, ashtu edhe jashtë saj. Prokuroria vazhdimisht po hap shumë raste në futbollin kosovar, i cili mjerisht nuk po mund as të licencohet nga shteti, me ç’rast po i humb miliona euro. Drejtuesve aktualë të FFK-së duket se u ka dalë situata nga kontrolli.

Kryetari është në arrest shtëpiak, kurse bashkëpunëtorët e tjerë të tij po ftohen shpesh për intervistime nga Policia. Vetë federata është bërë rutinë për vizita të shpeshta të policisë. Kurse, për rrafshin ndërkombëtar, mjafton të përmendet rasti i kurdisjeve i zbuluar në Francë e që zuri vend edhe në Interpol.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) po përjeton kohë jashtëzakonisht të vështira sa që askush ndoshta nuk e ka menduar rënien e saj, bashkë me futbollin kosovar, në një pozicion tepër të palakmueshëm edhe 7 vjet pas anëtarësimit në UEFA e FIFA. Përkundrazi, është pritur ngritja, siç edhe kishte nisur fillimisht…

Tash, askush nuk flet më për një seri magjike rezultatesh prej 15 ndeshjesh pa humbje të Kombëtares së Kosovës, të trashëguar nga legjenda e ndjerë, Fadil Vokrri, gjatë viteve 2018-2019.

Janë skandalet nga më të ndryshmet dhe tepër të mëdha ato që po e thonë fjalën e fundit në futbollin kosovar sidomos gjatë tri vjetëve të fundit. Tashmë gjithçka duket jashtë kontrollit të mekanizmave të federatës. FFK ka përfunduar nën “llupën” e Njësitit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, me ç’rast kryetarit të saj, Agim Ademi, i është dhënë masa e arrestit shtëpiak për një muaj, nën dyshimet e prokurorit për “keqpërdorim besimi” dhe “shmangie nga tatimi”.

Për më tepër, FFK-ja është federata e vetme e madhe kosovare që ka mbetur pa u licencuar nga Qeveria e shtetit, respektivisht Ministria e Sportit, shkaku i mos përmbushjes së kritereve ligjore, me ç’rast futbollin e Kosovës ka filluar brenda pak muajsh ta kaplojë një krizë e hatashme financiare. Vet FFK insiston se i përmbush kriteret ligjore për licencim, gjë që mohet nga komisioni ministror.

Kjo pasi si rezultat i moslicencimit të FFK-së, futbollit menjëherë i është ndërprerë subvencionimi nga Qeveria dhe mundësia e përfitimit nga Ligji i Sponsorizimit duke i humbur kështu rreth 4 milionë euro nga sponsorët brenda vetëm tre muajsh.

Në fakt, këto dy ngjarje nuk janë as të parat e as të fundit me skandale në futbollin e Kosovës, e cila tre-katër vjet më parë kishte filluar të quhej “Brazili i Ballkanit” falë shkëlqesisë që kishte filluar ta paraqesë Kombëtarja “Dardane” në arenën ndërkombëtare, duke shkuar deri në prag të kualifikimit në një Kampionat Evropian.

Gjithçka fillonte dhe mbaronte me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, e së fundmi dyshimet e këqija kanë nis të bien edhe mbi bashkëpunëtorët më të afërt dhe më të besuar të tij.

Pas vdekjes së kryetarit legjendar Fadil Vokrri në vitin 2018, komuniteti i futbollit që e kishte mbajtur të bashkuar me vite legjenda e ndjerë, kishte vendosur unanimisht që postin e Vokrrit ta trashëgojë njëri prej nënkryetarëve të atëhershëm, Agim Ademi.

Ky i fundit me kënaqësi të madhe e kishte pranuar atë pozitë, mbase edhe me qetësi, ndonëse mbi vete e kishte një aktakuzë të vjetër nga institucionet e drejtësisë.

Dhe, nuk vonoi shumë dhe ky fakt u shndërrua në një skandal, kur fillimisht dy shkallë të gjyqësorit e dënuan kryetarin e federatës me 9 muaj burgim efektiv.

Por, Ademi u ankua në Supreme, e cila rastin e tij e ktheu në rigjykim dhe vetëm para pak javësh u shpall i pafajshëm nga akuzat që e rëndonin.

Pikërisht, ky pozicion negativ i Agim Ademit ishte një arsye – gjithsesi jo e vetme – e mos licencimit të FFK-së as nga Ministria e Sportit, komisioni i së cilës madje përmes një shkrese zyrtare dërguar në federatë kishte kërkuar ose dorëheqje të Ademit ose shkarkim të tij nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së.

Komisioni ministror vlerësonte se problemet e Ademit me ligjin nuk i kapërdin as Kodi Etik i FIFA-s.

Vlen të përmendet një tjetër skandal ndërlidhës – kur Ademi ishte dënuar me 9 muaj burgim efektiv nga gjykata, UEFA ia kishte ndaluar ushtrimin e çdo veprimtarie në futboll, masë që iu kishte tërheq pasi rasti i tij ndërkohë kishte shkuar në rigjykim.

Këtë vendim të UEFA-s Ademi dhe FFK nuk e kishin zbuluar asnjëherë, të cilën në publik e kishte nxjerr vetëm “Opozita e FFK-së”, e përbërë nga ish-zyrtarë të lartë të saj të ndarë në mënyrën më të keqe të mundshme me Ademin.

Kjo “Opozitë” – gjithsesi e vogël me numra, por e fuqishme me ndikim – nuk është ndalur asnjëherë nga sulmi në drejtim të FFK-së, prej nga ka arritur të nxjerr në publik informata dhe skandale të ndryshme, të cilat natyrisht që nuk kanë mundur të injorohen nga njësitë relevante të policisë.

Kjo “Opozitë” qe tri vjet ka hedh akuza për keqpërdorim të pozitave dhe të parave të FFK-së nga drejtuesit e saj, ka folur për zhvatje nga ana e tyre, për blerje të veturave me para të federatës, për nepotizëm, për keqpërdorim të biletave të ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës, për konflikt të hapur interesi nga drejtuesit më të lartë, e madje edhe për përfshirje të tyre në trukim ndeshjesh.

Kjo “Opozitë” e ka kontestuar çdo mandat të Agim Ademit të cilin e ka akuzuar për “uzurpim” të pozitës së kryetarit, ndërsa Kuvendin e FFK-së, në masë të madhe “Pro Ademit”, opozitarët e kanë konsideruar të manipuluar dhe të “kapur” nga Ademi.

Por, të gjitha janë injoruar nga Agim Ademi dhe “Pozita” e tij e fuqishme dhe e përbashkuar, duke konsideruar se “Opozita” e tyre po i akuzon rrejshëm në përpjekje për ta arritur qëllimin e vetë – “Kapjen e FFK-së”.

Por, organet gjegjëse të shtetit duket t’i kenë përcjellë me kujdes dhe qe një kohë të gjatë akuzat e kundërakuzat e “Pozitës” dhe “Opozitës” së FFK-së, dhe pas hetimeve të njësitit policor për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, me kërkesë të prokurorit dhe me vendim gjykate, kryetari Agim Ademi u dërgua në arrest shtëpiak, kurse FFK është bërë rutinë për vizita të shpeshta të policisë.

Kjo e fundit dje i ka intervistuar edhe katër zyrtarë tjerë të FFK-së, emrat e të cilëve nuk janë zbuluar.

Por, dihet se bëhet fjalë për zyrtarë të profilit të lartë.

Intervistimi i tyre është bërë nën dyshimet për zhvatje, respektivisht keqpërdorim në pasurinë dhe interesat e FFK-së.

Katër zyrtarët e FFK-së, sipas Policisë, dyshohet se i kanë keqpërdor autorizimet e tyre me qellim që personit të huaj t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme duke e lejuar pagesën e faturës për blerjen e një veture, të cilën në media doli se e ka mbajtur drejtori i Kombëtares dhe njëri prej njerëzve më të afërt të Ademit, Muharrem Sahiti. Vetura është sekuestruar nga Policia.

Të gjendur në këtë situatë tejet të sikletshme, drejtuesit e FFK-së të gjithë shpresën nga çlirimi e kanë te UEFA e FIFA.

Sipas FFK-së, Ministria e Sportit dhe organet hetuese të Republikës së Kosovës po e cenojnë pavarësinë e saj si federatë, andaj ka deklaruar se do t’i njoftojë UEFA-n e FIFA-npër të ndërhyrë në këtë situatë të brendshme të Kosovës.

Krejt këto ngjarje të brishta në futbollin e Kosovës ndodhën njëkohësisht kur autoritetet në Francë tronditën me një zbulim të tyre.

Sipas autoriteteve franceze, katër ndeshje të kampionatit të Kosovës janë kurdisur, me ç’rast në kompanitë e basteve në Francë janë përfituar rreth 260 mijë euro.

Francezët e kanë ndërlidhur emrin e Llapit me këtë skandal, për të cilin raportoi edhe Interpoli.

Kurse, Prokuroria Themelore e Prishtinës menjëherë hapi rast.

Siç dihet, fenomeni i kurdisjeve gjithnjë ka qenë prezent në futbollin kosovar, të cilit vit pas viti imazhin ia degradon.

Ndërkohë, në vitin e kaluar në media kishte shpërthyer edhe një skandal tjetër i përmasave të mëdha që kishte të bënte me dyshimet për kurdisje edhe të ndeshjeve te Kombëtarja U21 e Kosovës, duke përfshirë në këto dyshime figura të larta zyrtare, përfshirë atë të kryetarit të FFK-së.

Prokuroria kishte hapur rast edhe për këtë rast./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img