Gjithnjë e më pak praktikantë po zgjedhin të bëhen infermierë, siç tregohet nga shifrat e fundit të Zyrës Federale të Statistikave. Në të njëjtën kohë, nevoja për personel sanitar vazhdon të rritet.
Vitin e kaluar, në sektorin e kujdesit lidhën një kontratë për të bërë praktikë rreth 4000 persona më pak se një vit më parë.
Sipas shifrave jo përfundimtare, kjo korrespondon me një rënie prej shtatë për qind, njoftoi sot Zyra Federale e Statistikave. Në një kohë që në vitin 2021 ishin lidhur 56.300 kontrata të reja për trajnimin e infermierisë, në vitin 2022 pati vetëm 52.300 të tilla.
Rezultatet përfundimtare në verë
Vitin e kaluar janë trajnuar si infermierë një numër i përgjithshëm prej 146.500 personash . Sipas të dhënave, numri i femrave te praktikantët ishte 76 për qind. Te praktikantët e rinj, vitin e kaluar kishte 13.500 meshkuj dhe 38.800 femra.
Megjithatë, ka ende boshllëqe në shifra. Shifrat e plota pritet të jenë të disponueshme në korrik, u tha. Në një kohë që lande si Bremeni, Rheinland-Pfalz dhe Saksonia, ndër të tjera, besojnë se nuk do të ketë mospërputhje të rëndësishme midis rezultateve të përkohshme dhe rezultateve përfundimtare, disa lande të tjera kanë ende pasiguri të mëdha rreth rezultateve.
Rritja e numrit të të moshuarve
Nevoja për staf infermierë do të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme: në fund të marsit, Zyra Federale e Statistikave llogariti se numri i njerëzve që kanë nevojë për kujdes në Gjermani do të rritet me 37 për qind deri në vitin 2055, vetëm për shkak të plakjes së popullatës. Njerëzit që hyjnë në shtëpitë e pleqve në moshë të shtyrë zakonisht qëndrojnë atje. Në vitin 2035, numri i personave që kanë nevojë për kujdes mund të arrijë në 5.6 milionë vetë, shifër që do të korrespondonte me një rritje prej 14 për qind krahasuar me fundin e 2021./PrishtinaPress/