Shqipëria e Kosova janë shndërruar në akademi futbolli për skuadrat europiane. Janë 694 futbollistë shqiptarë që luajnë në 45 ligat superiore në shtetet e kontinentit të vjetër. Futbollistët e talentuar nga Shqipëria e Kosova po vazhdojnë të lënë gjurmë me ekipet futbollistike në vendet ku ata aktivizohen.
Talentët e futbollit shqiptar gradualisht janë duke e trasuar një rrugë suksesi në rrafshin ndërkombëtar në aspektin individual dhe atë ekipor. Përveç shtetësisë së Kosovës dhe atdheut amë, Shqipërisë, lojtarët shqiptarë i kanë edhe 18 nënshtetësi të tjera bazuar në të dhënat e tyre.
Sipas hulumtimit nga “Fol Drejt” bërë 15 mijë e 500 futbollistëve që luajnë në 620 klube të 45 ligave superiore në 45 shtete europiane, rezulton të jenë aktiv edhe 694 futbollistë shqiptarë.
Përveç Shqipërisë e Kosovës ku veprojnë 446 futbollistë, edhe 248 futbollistë shqiptarë luajnë në 43 shtete të tjera europiane. Nga numri i përgjithshëm i 694 futbollistëve: 57 janë portierë, 206 janë mbrojtës, 245 janë mesfushorë dhe 186 janë sulmues.
Nga 248 lojtarët që luajnë jashtë Shqipërisë e Kosovës: 9 janë portierë, 65 janë mbrojtës, 98 janë mesfushorë dhe 76 janë sulmues. Nga ana tjetër, nga 446 futbollistët që luajnë në ligën e Shqipërisë dhe atë të Kosovës: 48 janë portierë, 141 janë mbrojtës, 147 janë mesfushorë dhe 110 janë sulmues.
Shikuar nga shtetësia ose pasaporta e shteteve ku lojtarët shqiptarë aktivizohen, shumica e futbollistëve shqiptarë e kanë nënshtetësinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë. Nga 694 lojtarë shqiptarë brenda hulumtimit, 277 lojtarë e kanë pasaportën e Shqipërisë dhe 278 atë të Kosovës.
Përveç Shqipërisë e Kosovës, lojtarët shqiptarë i kanë edhe 18 nënshtetësi të tjera: 59 lojtarë e kanë pasaportën e Maqedonisë së Veriut, 22 të Zvicrrës, 13 të Malit të Zi, 9 të Finlandës, 9 të Suedisë, 9 të Gjermanisë, 3 të Norvegjisë, 2 të Luksemburgut, 2 të Austrisë, 2 të Greqisë, 2 të Kroacisë, dhe nga një e kanë pasaportën e Irlandës, Anglisë, Islandës, Sllovakisë, Belgjikës, Kanadës dhe Danimarkës.
Veç Kosovës e Shqipërisë, si dhe Maqedonisë së Veriut, ku klubet shqiptare përbëhen tërësisht me lojtarë shqiptarë, shtetet ku aktivizohen më shumë lojtarë shqiptarë janë: 32 lojtarë shqiptarë në Zvicërr, 16 në Turki, 15 në Suedi, 14 në Kroaci, 12 në Finlandë dhe 12 në Mali të Zi. Nga pesë ligat më të forta: 13 lojtarë shqiptarë luajnë në Itali, 6 në Gjermani, si dhe nga 3 lojtarë në Spanjë, Angli dhe Francë.