Muaji i shenjtë i Ramazanit ka nisur disa ditë më parë. Besimtarët e fesë Islame do të praktikojnë agjërimin e cila ua ndalon ushqimin dhe pijen për 30 ditë, si njëra nga shtyllat e kësaj feje.
Shumë prej tyre që po e “kursejnë” veten nga ushqimi dhe pija për orë të tëra janë edhe disa futbollistë të Superligës së Kosovës në futboll.
Lajmi.net ka kontaktuar me dy futbollistë të elitës së futbollit kosovar të cilët po vazhdojnë agjërimin, përkundër punës së madhe që kërkohet në stërvitje dhe në lojë.
Futbollisti i Drenicës, Shkelzen Lushtaku tha se agjerimi nuk e pengon atë.
Ai shtoi se trajneri i ekipit, Bledar Devolli ua ka mundësuar të stërvisin në mëngjes.
“Agjerimi po më shkon shumë mirë. Zoti po ma lehtëson. Edhe në stërvitje po shkon shumë mirë. Edhe trajneri Bledar Devolli na ka mundësuar që të kryejmë stërvitjen në mëngjes. Nuk më mungon energjia. Pra, agjerimi nuk po më pengon asgjë. Unë vazhdojë ta jap maksimumin për Drenicën si agjerues, por edhe kur nuk kam agjerim” – tha Lushtaku të martën për lajmi.net.
Edhe lojtari i Dukagjinit, Iljasa Zulfiu deklaroi se “braktisja” e ushqimit dhe pijes nuk i pengon atij të jap më të mirën nga vetja, anise në fillim pranoi se ka qenë më e vështirë.
“Deri tani është shumë mirë. Falënderimi i takon Zotit. Ditët e para natyrisht ishin të vështira, mirëpo me kalimin e kohës, organizmi është mësuar dhe tash nuk shoh ndonjë vështirësi. Agjerimi në këtë muaj nuk po më pengon fare ta jap maksimumin te Dukagjini si në lojë ashtu edhe në stërvite. Asnjëherë nuk është kërkuar nga lojtarët të mos agjerojnë. Secili e di veten sa mundet ta jap maksimumin në ndeshje dhe stërvitje”, deklaroi Zulfiu për lajmi.net.
Superliga e Kosovës në futboll është në fazën finale të edicionit, ku klubet kërkojnë të arrijnë objektivat që kanë para vetes.
Puna e madhe që duhet bërë në ndeshjet kampionale dhe seancat stërvitore kërkon energji më të madhe, megjithatë ajo nuk është problem edhe për futbollistët tjerë të klubeve elitare që kanë vendosur të agjerojnë në këtë muaj të shenjtë.
Muaji i shenjtë i Ramazanit përfundon më 20 prill./Lajmi.net/