Klubet e mëdha të futbollit kosovar po e përkrahin fuqishëm iniciativën e klubeve më të vogla si Vitia dhe Vllaznia për mbajtjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm të FFK-së, në mënyrë që të shikohet rruga drejt daljes nga situata dhe gjendja kaotike që e ka kapluar futbollin kosovar.
Klubet si Prishtina, Drita e Trepça ’89, të cilat nuk iu përgjigjën thirrjeve të fundit të disa klubeve që organizuan takime me klube, për t’i bërë presion Ministrisë së Sportit për ta licencuar Federatën e Futbollit, thonë se është koha e fundit që të bëhen ndryshime në strukturat udhëheqëse të shtëpisë së futbollit kosovar.
Vitia dhe Vllaznia, në takim me klubet tjera, ndër të tjera dje e panë të nevojshëm organizimin e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm, ndërsa pritet të fillojnë t’i sigurojnë nënshkrimet e nevojshme për mbajtjen e këtij Kuvendi.
Futbolli kosovar u godit dy herë së fundmi, fillimisht me dërgimin për një muaj në arrest shtëpiak të kryetarit të Federatës, Agim Ademi, i cili dyshohet për veprat “keqpërdorim i besimit” dhe “shmangie nga tatimi”, e më pas edhe moslicencimi i FFK-së nga Ministria e Sportit.
Kjo ka bërë që klubet të çohen në këmbë, disa prej tyre duke e vendosur gishtin kah Federata e disa të tjera nga MKRS-ja.
Ai insiston se është koha që të bëhen ndryshime pasi në këtë mënyrë futbolli veç po fundoset.
“Unë jam përkrahës i mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm, kjo është dashur të ndodhte qysh moti. Le të vijnë në krye njerëzit që duhet, kam qenë gjithmonë kundër këtij Komiteti Ekzekutiv. Kjo pasi, një kryetar i ri eventual nuk mund të bëjë asgjë nëse nuk ndërrohen anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Ata nuk e sjellin asnjë dobi, veç e shkatërrojnë futbollin, duan të përfitojnë nga ai, jo të japin diçka”, thotë fillimisht Zeka për “Express”.
“Unë para se të ndryshohej statuti kam thënë, le të ulemi, të diskutojmë, të shohim se çka ka të mira e çka të këqija statuti, nëse mund të ndryshojmë dhe të rregullojmë diçka, nuk e kemi pasur urgjente. Tash e humbëm Ligjin për Sponsorizim, nuk i kemi marrë paratë e të drejtave televizive, nuk i kemi marrë paratë e sponsorit të Superligës, Albi Mall, e as për akademinë e klubit”, ankohet ai.
Zeka insiston se në FFK asgjë nuk është duke shkuar si duhet, ndërsa e përmendi edhe sekretarin e përgjithshëm, Taulant Hodaj, të cilit thotë se nuk ia di saktësisht pozitën.
“Nuk e di nëse Hodaj është sekretar apo ushtrues detyre, duhet të definohen gjërat. Ne si klube nuk jemi informuar, nuk dimë nëse Federata ka sekretar apo jo”, vazhdoi ai.
Zeka thekson se në FFK janë bërë shumë gabime dhe shkelje në statut, përfshirë këtu edhe pikën e cila ua mohon emrave të mëdhenj të diasporës që të bëhen pjesë e Federatës.
“Këta njerëz nuk po na lejojnë të zhvillohemi, të ecim përpara”, pohon Zeka.
Ndryshimet, jashtëzakonisht të nevojshme i konsideron edhe drejtori gjeneral i Prishtinës, Artan Osmani.
Sipas tij, futbolli po shkon drejt kolapsit, prandaj është momenti i fundit që të mbahet Kuvendi i Jashtëzakonshëm dhe të lëvizin gjërat.
“Është i domosdoshëm një Kuvend i Jashtëzakonshëm, është urgjencë, nuk e di pse po presim ende. Ne kemi insistuar edhe kohë më parë që të mbahet një Kuvend i tillë, për t’i zgjedh organet e reja. Kjo udhëheqësi ka zero punë, zero kredibilitet. E patë edhe një takim të djeshëm me MKRS-në, është kryer shumë shpejt, është bërë e mërzitshme kjo punë”, thotë Osmani për “Express”.
“Është koha për të bërë ndryshime. Ata që kanë pasur për t’i bërë punët, nuk i kanë kryer dhe është koha që të ecin prej shpie. Nga injoranca dhe nga mosdija e kanë sjell këtu situatën. Gjendja në futboll është në kolaps total”, nënvizoi ai.
Drita është një tjetër klub që nuk pajtohet me udhëheqësinë aktuale të FFK-së, duke gjetur shkelje të njëpasnjëshme të punës në Federatë.
Ky klub është shprehur gjithmonë i interesuar për ndryshime, por që, drejtori gjeneral i saj, Feti Murseli, në një bisedë me gazetën, theksoi se pas kontaktit me presidentin e klubit, gjilanasit do të dalin me një qëndrim rreth Kuvendit të Jashtëzakonshëm.
Deri tash FFK-ja asnjëherë nuk i ka thirr klubet për të diskutuar rreth moslicencimit.
Por, tri klube të afërta me Federatën, Llapi, Trepça dhe 2 Korriku, me përfaqësuesit e tyre, Tahir Batatina, Avni Haxhiu dhe Shaban Baholli, i kanë shfrytëzuar zyrat e FFK-së për të mbajtur takime me klubet tjera për të kërkuar takim me ministrin e sportit dhe për t’i bërë presion Ministrisë së Sportit që ta licencojë FFK-së./PrishtinaPress/