5.4 C
Pristina
Wednesday, October 2, 2024

Buy now

spot_img

Garat e zakonshme të Serbisë në Kosovë FFK çuditërisht i ndërlidh me hetimet policore ndaj saj dhe moslicencimin nga Ministria

Garat kampionale të futbollit të Serbisë që po zhvillohen në mënyrë ilegale edhe në brendësi të territorit të Kosovës, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) çuditërisht i ka ndërlidhur me mos-licencimin e saj nga ana e Ministrisë së Sportit e po ashtu edhe me hetimet që Policia e Kosovës po i zhvillon kohëve të fundit ndaj drejtuesve të FFK-së.

Kryetari i kësaj organizate, Agim Ademi me kërkesë të prokurorit është dërguar në arrest shtëpiak për një muaj nën dyshimin për “keqpërdorim të besimit” dhe “shmangie nga tatimi”.

Që nga paslufta, Serbia ka organizuar vazhdimisht gara në Kosovë, ku madje aktualisht i ka tri liga kampionale me klube të serbëve të këtushëm.

Kjo nuk është diçka e re, por një ilegalitet i vjetër, të cilin Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka paraqitur disa herë edhe në UEFA e FIFA qysh prej anëtarësimit të saj në këto dy organizata në vitin 2016. Por, as këto dy organizata nuk i kanë ndalur dot deri më tash ndërhyrjet e Federatës së Serbisë në territorin e Kosovës.

Shtëpia e futbollit kosovar po ashtu dhjetëra herë ndër vite u ka bërë thirrje klubeve të serbëve të këtushëm që të regjistrohen dhe të inkuadrohen nën ombrellën e FFK-së, e cila një nënkryetar qysh prej shumë vjetësh e ka nga komuniteti serb, Predag Joviq.

Dhe, tani kur FFK-ja dhe futbolli i Kosovës kanë hyrë në situatë kaotike me hetimet policore mbi drejtuesit e FFK-së dhe me mos-licencimin e federatës nga Ministria, për çka futbolli po humb miliona euro, shtëpia e futbollit i ndërlidh me këto dy probleme garat e Federatës Serbe në territorin e Kosovës, të cilat pra nuk janë veprime të reja, por të kahershme.

“Njëherësh shprehim shqetësimin tonë në lidhje me pengesat që i ka krijuar MKRS në lidhje me mos licencimin e FFK-së, përkundër plotësimit të dokumentacionit si dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të fundit të organeve të hetuesisë në pavarësinë e FFK-së. Si duket pikërisht këto veprime të autoriteteve të Kosovës kundrejt pavarësisë së FFK-së i kanë trimëruar strukturat ilegale të Serbisë që të organizojnë aktivitete të futbollit në Kosovë”, thuhet nëkomunikatën e FFK-së.

Për më tepër, FFK thotë se do t’i kërkojë UEFA-s të intervenojë në hetimet e policisë së shtetit, procesin e licencimit të FFK-së nga shteti i Kosovës dhe ndaj ndërhyrjeve të Federatës Serbe në Kosovë.

“Lidhur me këto aktivitete ilegale e ndërhyrje direkte të Serbisë, si dhe procesin e licencimit dhe zhvillimet e fundit nga organet e hetuesisë kundrejt FFK-së, do të reagojmë dhe do të kërkojmë intervenimin e UEFA-s, gjatë takimeve që do t’i ketë delegacioni i Kosovës në Kongresin e radhës të UEFA-s që do të mbahet nesër në Lisbonë të Portugalisë”, thekson FFK.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img