-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Ndalimi i parlamentarëve në Qirez, mbrojtja e nxjerr si dëshmi videon e Gjergj Dedajt

Mbrojtja e Hashim Thaçit ka shkëputur një video nga një konferencë për shtyp e deputetëve në shtator të 98-ës shfaqur në emisionin “Pressing” në vitin 2020 për të thënë se deputetët nuk janë keqtrajtuar nga UÇK-së siç ka pretenduar dje ZPS-ja.

Në video flet deputeti i atëhershëm Gjergj Dedaj, i cili ka folur për ndalimin nga UÇK-ja që i kishte pyetur se kush ishin, aktivitetin e tyre politik derisa ishin rrugës për në Qirez.

“Do të dëgjoni dëshmi për shqetësimet e sigurisë. Do të dëgjojmë një video nga parlamentarët dhe gjykoni ju nëse janë rrahur mizorisht apo kanë lëndime të dukshme. Mund t’i dëgjoni edhe dëshmitë e asaj kohe. Video që tregojmë është nga një emision në Kosovë që është shfaqur më 21 tetor 2020 ku është edhe një deklaratë një njoftim për shtyp më 23 shtator 1998”, tha mbrojtja e Thaçit.

Në video, Dedaj thotë se UÇK-ja s’i kishte kërcënuar, por se ndalimin e tyre e konsideron të paarsyeshëm meqë ishin fytyra publike.

“Ndalja jonë ishte e pakuptimtë, e panevojshme sepse ne nuk ishim njerëz të panjohur për opinionin. Aktiviteti jonë gjithmonë ka qenë legal. Dje pasi ka filluar një ofensivë shumë e egër, Drenica ishte në një rrethim të plotë, të hekurt, rrugës për Qirez pamë që njerëzit lëvizin duke pyetur njëri-tjetrin se ka po shkojnë. Pra, një gjendje ku njerëzit s’e dinin ka po shkonin. Një gjendje që s’mund të përshkruhet nga kjo lloj ofensive serbe dhe ishin mjaft të shqetësuar. Në ditën e djeshme, pas rreth 48 orë na kanë shqiptuar se tash “jeni të liruar pasi ju kemi mbajtur në ndalim”. Interesimi i tyre ishte d.m.th. pse s’e kemi paralajmëruar vizitën, për të cilën konsideroj se nuk do të lajmërojmë edhe për territore tjera, sepse thashë që kemi obligim për të shkuar te njerëzit tonë, tokat tona. Ne nuk ishim të kërcënuar, në kuptimin e fjalës kërcënim. Ndalesa, sipas mendimit tim, ishte e pakuptimtë, sepse nuk kish kurrfarë arsye që ne të ndaloheshim përderisa ishim persona publikë. S’kishim shkuar atje të bënim kurrfarë propagande as politike as kundër UÇK-së apo pro saj”, kishte thënë Dedaj më 1998.

Pas videos, mbrojtja tha se ndërkohë që parlamentarët protestuan për faktin që ishin ndaluar thanë se “ne nuk u kërcënuam dhe ata thonë që forcat u sollën në mënyrë korrekte. Në kundërshtim me pretendimet e prokurorisë. Duket se nuk kanë lëndime të dukshme siç pretendon Prokuroria”, tha ai./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img