-2.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Çfarë do të ndodhë sot në Hagë? Për pak nis procesi gjyqësor, pas një ore protestohet

Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot do të nisin deklaratat hyrëse në rastin gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prokurori i specializuar fillimisht do të mbajë deklaratën e tij.

Gjyqtarët i kanë caktuar atij një afat prej pesë orësh për të mbledhur rastin që synon ta paraqesë.

Pas kësaj, avokati i viktimave do të mbajë fjalën e tij dhe atij i është caktuar një afat prej 45 minutash.

Ndryshe, Specialja dje ka lëshuar një komunikatë për media lidhur me gjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Kjo komunikatë u publikua disa orë para se në Prishtinë të mbahej Marshi për Drejtësi, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgimin e Gjykatë Speciale në Hagë.

Deklaratat hyrëse thuhet se do të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill, duke filluar prej orës 9:00 të mëngjesit dhe seancat gjyqësore mund të përcillen në tri gjuhët e gjykatës, shqipe, serbishte dhe anglishte.

Sipas komunikatës, secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

“Gjithashtu kundër secilit prej të akuzuarve janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Në Aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut. Pretendohet se krimet u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në Aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale individuale në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë të cilat ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.”

Më tej, Specialja ka përmendur se “140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor”.

“140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Personat të cilët demonstrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të paraqitur në Aktakuzën e Konfirmuar paraqesin kërkesë për të marrë pjesë në procesin gjyqësor në DHSK. Këtu përfshihen persona që janë dëmtuar drejtpërsëdrejti dhe persona të cilët kanë pësuar dëm si pasojë e lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar.”

KËTU gjeni komunikatën e plotë./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img