Ish-gjenerali i UÇK-së, Sami Lushtaku, deklaroi se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I pranishëm në marshin e organizuar në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Lushtaku tha se Specialja është është gjykatë politike.
“Shqiptarët asnjëherë nuk i kanë ikur drejtësisë, pra, edhe ne në këtë rast kërkojmë vetëm drejtësi. Ka me dhjetëra masakra në Kosovë dhe asnjë dënim nuk ka ndodhur deri më tani. Ushtarët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë… Duhet të bëjë më shumë edhe Qeveria e Kosovës… Po ashtu, kam bindje që Gjykata Speciale është gjykatë politike”, tha Lushtaku.
“Marshi për drejtësi” u organizua një ditë para fillimit të procesit gjyqësor në Hagë, pasi, ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po akuzohen me pretendimin për krime lufte dhe të njëjtit po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.