Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Zeka ka thënë se nëse vendoset të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare këtë vit, atëherë ato të mbahen njëkohësisht me ato lokale.

Sipas tij, Kosova nuk e ka luksin të organizojë dy palë zgjedhje brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Izmi Zeka thotë se PDK-ja do ta rrisë votën e saj në zgjedhjet parlamentare. Ai po ashtu është i bindur se kjo parti do të dalë fituese edhe e zgjedhjeve lokale.
Duke folur për zgjedhjet lokale në Gjilan, ai thotë se PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet me kandidatin e saj Zenun Pajaziti. “Kandidati ynë do të jetë fitues i padiskutueshëm në Gjilan”, ka thënë Zeka.
Këtë vit do të mbahen zgjedhjet lokale. Sa është përgatitur PDK-ja për këtë proces zgjedhor?
Zeka: PDK-ja është e përgatitur për zgjedhjet vendore kaherë, sepse kemi pritur se kjo qeverisje komunale nuk do ta kishte kaq të gjatë pasi pothuaj asgjë nuk mund të theksohet si përmirësim i jetës së qytetarëve. PDK-ja është parti me shtrirje optimale në tërë territorin e saj. Strukturat e saj janë funksionale. Një parti e tillë, s’ka si të gjendet e papërgatitur për zgjedhje.

A keni bërë përzgjedhjen e kandidatit për kryetar të Gjilanit, dhe sa besoni se do ta ktheni këtë komunë në qeverisje të PDK-së?
Zeka: Besoj se kandidat i PDK-së për Gjilanin tashmë dihet. Sigurisht mbetet që vendimin përfundimtar ta marrim në konsultim me strukturat qendrore të partisë. Ne nuk kemi as me të voglën dilemë. Kandidati ynë do të jetë fitues i padiskutueshëm në Gjilan.

 Kush është kandidati i PDK-së në Gjilan?
Zeka: Zenun Pajaziti.

 Ju mbani postin e zëvendësministrit në qeverinë aktuale. Ka zëra brenda partisë suaj që nuk janë edhe të kënaqur me ketë qeverisje. Me formimin e këtij koalicioni shumëkush ka besuar se çdo vendim do të kalojë pasi në qeveri janë dy parti të mëdha. Po s’po duket kështu; Asociacioni dhe Demarkacioni nuk po mund të kalojnë?
Zeka: Duhet të ndjehemi mirë që nuk mendojmë të gjithë njësoj edhe brenda partisë, po ashtu edhe brenda koalicionit. Pas lirisë për demokraci kemi luftuar apo jo. Kjo pra është demokracia. Në momentin e duhur institucionet shtetërore do ta japin përgjigjen adekuate edhe për asociacionin e demarkacionin. Shumëkush ka besuar që ky koalicion do t’i kalojë të gjitha vendimet më kohë, për shkak se askush nuk e ka pritur destruktivitetin e pashembullt të opozitës, duke penguar kështu, rrjedhën normale të proceseve. Ne do t’i sqarojmë edhe më tutje popullit, rolin negativ të opozitës, për ecjen më të shpejt drejt përmbylljes së proceseve fillestare që do ta dërgonin Kosovën në OKB dhe në integrimet evropiane

PDK-ja këto ditë ka mbajtur Këshillin Drejtues. Cilat ishin temat që u diskutuan në këtë takim. Ishte temë diskutimi zgjedhjet e parakohshme?
Zeka: Diskutuam për çështje të ndryshme të aktualitetit. Sigurisht edhe për zgjedhjet në po konsultohemi e po përgatitemi. Ju tashmë e dini qëndrimin zyrtar të PDK-së prandaj ne po punojmë mbështetur në këtë qëndrim që lidhet me kohën e zgjedhjeve.

Pra PDK-ja nuk është për zgjedhje të parakohshme ketë pranverë?
Zeka: Zgjedhjet lokale nuk mund të quhen të parakohshme, ndërsa për ato të përgjithshme do të konsultohemi ende. Edhe pse mendoj nëse duhet të mbahen, të mbahen njëkohësisht. Kosova nuk e ka luksin të organizojë dy palë zgjedhje brenda një periudhe të shkurtër kohore. Edhe qëndrimi i partisë mendoj se shkon në këtë drejtim. Deri në këtë moment që po flasim PDK-ja nuk ka shfaqur asnjë ide të tillë, për zgjedhje në fillim të pranverës.

Koalicioni me LDK-në a mund të ndikojë në uljen e votës për PDK- në zgjedhjet lokale dhe parlamentare?
Zeka: Përkundrazi. Ky koalicion do ta fuqizoj votën për PDK-në, pasi dihet mirëfilli se në kemi një elektorat të qëndrueshëm që nga fillimet tona pas lufte. Në nivel nacional do të rritemi sepse kemi bindur me punën tonë në qeveri edhe pse nuk e udhëheqim atë si edhe me balancat që kemi ruajtur në parlament përkundër sfidave në nivel lokal do të fitojmë se nuk bëhet ndryshe pasi udhëheqja Haziri ka degraduar gjithçka në komunë. Përballë rrezikut të gjendjes pa institucione, PDK tregoj që din të zgjidhë situata të rënda duke ofruar dorën e bashkëpunimit e bashkëqeverisjes, në interes të popullit e të shtetit tonë të sapolindur.