-2.9 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Të hënën nis gjykimi, për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së?

Më 3 prill nis gjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.

Ish-krerët akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Hashim Thaçi

Më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës, pasi gjykatës i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara e njoftoi se e ka konfirmuar aktakuzën ndaj tij dhe tre ish-bashkëluftëtarëve të tij.

“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës”, tha Thaçi për gazetarët gjatë një konference për media të mbajtur në oborrin e Presidencës së Kosovës.

Po atë ditë, ai u nis drejt Hagës, ku ende po qëndron në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Më 9 nëntor, në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale, Thaçi u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij.

“Deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës”, tha Thaçi, duke e cilësuar aktakuzën ndaj tij si “të paqëndrueshme”.

Në kohën kur Kuvendi i Kosovës votoi për themelimin e Gjykatës Speciale, Thaçi kishte deklaruar se pavarësisht e konsideronte padrejtësi, shteti duhej ta themelonte këtë institucion, që vepron sipas ligjeve të Kosovës.

“Kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për të themeluar një Gjykatë Speciale, që do të trajtojë ndonjë akuzë të mundshme, e cila do të mund të rezultojë nga hetimet e Task Forcës Speciale Hetuese e themeluar nga Bashkimit Evropian, për të adresuar pretendimet e dala nga Raporti i Dick Martyt, është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës dhe shoqërisë kosovare”, kishte deklaruar Thaçi në Kuvendin e Kosovës.

Ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas dokumenteve të Gjykatës Speciale, thuhet se në kohën e luftës ka qenë shef i drejtorive politike dhe informimit të UÇK-së, kryekomandant i UÇK-së dhe kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

Specialja e akuzon atë se së bashku me Veselin, Selimin dhe Krasniqin, dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Kadri Veseli

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, më 5 nëntor bëri të ditur se kishte bërë të gjitha aranzhimet e nevojshme që vullnetarisht të udhëtonte drejt Hagës, pasi ishte njoftuar se ka aktakuzë të konfirmuar ndaj tij nga Dhomat e Specializuara.

“E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për t’u paraqitur në gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme”, tha Veseli, përmes një deklarate për shtyp.

Ai kërkoi nga qytetarët e Kosovës të tregonin respekt për autoritetet e drejtësisë, pasi theksoi se “ky proces ka për qëllim të arrijë tek e vërteta”.

Më 10 nëntor të vitit 2020, në paraqitjen e parë para Speciales, Veseli u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.

“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë, se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, deklaroi Veseli.

Veseli në kohën kur iu konfirmua aktakuza udhëhiqte Partinë Demokratike të Kosovës, që aktualisht është subjekti më i madh opozitar në Kosovë. Paraprakisht, ai kishte qenë edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, sa i përket luftës dhe në fillim të pasluftës, sipas dokumenteve të Gjykatës Speciale, Veseli thuhet se ka qenë anëtar i drejtorisë politike të UÇK-së dhe shef i shërbimit të zbulimit të UÇK-së. Po ashtu thuhet se Veseli ka qenë ministër i Shërbimit Informativ në Qeverinë e Përkohshme dhe shef i Shërbimit Informativ të Kosovës.

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 4 nëntori i vitit 2020.

Ai u paraqit para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor, dhe për dallim nga Thaçi dhe Veseli, përveç se u deklarua i pafajshëm për aktakuzën, ai mbajti edhe një fjalim.

“Unë nuk ndihem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asnjë gjë tjetër që thuhet në aktakuzë”, deklaroi ai.

Krasniqi ishte mjaft i ashpër me Specialen, veçmas me togfjalëshin “ndërmarrje e përbashkët kriminale” që përmendet në aktakuzë, që tha se është “fyese” për të, familjen, miqtë dhe të gjithë ata që luftuan më 1998-99 kundër forcave serbe.

“…ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese”, theksoi ai.

Krasniqi, që ka qenë kryetar i Kuvendit të Kosovës, në kohën e luftës ka qenë zëdhënës i UÇK-së dhe i Qeverisë së Përkohshme, anëtar i drejtorisë politike dhe zëvendëskomandant i UÇK-së, sipas Speciales.

Rexhep Selimi

Aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Rexhep Selimi e ka cilësuar “të padrejtë” dhe është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat.

Sikurse Krasniqi, edhe Selimi më 4 nëntor njoftoi se kishte marrë konfirmimin për aktakuzën dhe ishte nisur drejt Hagës.

“Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem, do kthehem po ashtu me kokën lart, sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime”, kishte shkruar ai po atë ditë në llogarinë e tij në Facebook.

Në kohën kur u arrestua, Selimi ishte shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje – partisë që aktualisht është në pushtet – subjekt që ka kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale.

Në paraqitjen e tij para Dhomave të Specializuara, Selimi është shprehur i bindur se procesi gjyqësor do të tregojë se ai dhe UÇK-ja “nuk kemi të bëjmë asgjë me krime e as me ndërmarrje të përbashkët kriminale, siç cilësohemi padrejtësisht në këtë aktakuzë”.

“Unë jam veç një çlimitar që luftën për liri e kam nisur me komandantin legjendar Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me gjeneralin [Wesley] Clark, me NATO-n”, ka deklaruar ai.

Sipas Dhomave të Specializuara, Selimi ka qenë shef i drejtorisë operative të UÇK-së dhe deri në fund të marsit të vitit 1999 ka qenë inspektor i përgjithshëm i kësaj ushtrie. Ndërkaq, në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, ai ka mbajtur postin e ministrit të Rendit Publik.

Çfarë thuhet në aktakuzë?

Pavarësisht se u bë publike më 5 nëntor të vitit 2020, aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së ishte konfirmuar më 26 tetor të po atij viti. Dy vjet më vonë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ngriti akuza të reja, për të cilat po ashtu Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u deklaruan të pafajshëm.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen se së bashku me anëtarë të tjerë “të ndërmarrjes së përbashkët kriminale” kanë pasur për qëllim të marrin dhe ushtrojnë kontrollin “në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e tyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Krimet me të cilat ngarkohen në dhjetë pikat e akuzës, dyshohet se janë kryer në disa lokacione në Kosovë, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë Veriore, dhe ato sipas aktakuzës “ u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.

Përveç, ish-krerëve të UÇK-së, në aktakuzë përmenden edhe persona të tjerë, që pretendohet se kanë qenë pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” sikurse “Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së”.

Në aktakuzë thuhet se në mesin e viktimave kishte persona që dyshoheshin se ishin kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë edhe të Qeverisë së Përkohshme, “konkretisht serbë, romë dhe ashkalinj; katolikë; civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së”.

Sipas Dhomave të Specializuara për krimet, katër ish-krerët e UÇK-së mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, “që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”.

Aktakuza pretendon se në Kosovë ka pasur qendra të ndalimit në disa lokacione, sikurse në Likoc, Jabllanicë, Drenoc, Llapushnik e të tjera.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht akuzohen se kanë marrë pjesë në “kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve”.

Përmes veprimeve ose mosveprimeve, sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi “së bashku me ndërmarrjen e përbashkët kriminale, kryen, ndihmuan ose nxitën pjesëmarrës të tjerë për krimet e paraqitura në këtë aktakuzë”.

“Si eprorë, janë përgjegjës për krimet e kryera nga vartësit e tyre. Ata dinin ose dinin arsyet se krimet e paraqitura në këtë aktakuzë, do të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura që të parandalonin krimet e tilla ose të ndëshkonin kryerësit e këtyre krimeve”, thuhet në aktakuzën fillestare.

Në aktakuzë pretendohet se ish-eprorët e UÇK-së kanë kontribuar në arritjen e qëllimit “të përbashkët, ku përfshihet edhe kryerja e krimeve në këto mënyra: duke formuluar ose marrë pjesë në zhvillimin, miratimin, promovimin, shpërndarjen e planeve dhe politikave; dështimin për të ndërmarrë hapat e duhur për të parandaluar dhe hetuar krimet… e të tjera”.

Në aktakuzë përmenden disa ngjarje që pretendohet se kanë marrë pjesë të pandehurit, sikurse më 1999 ku pretendohet se Veseli, Krasniqi e Selimi “ishin të përshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit apo dhe lirimit të të ndaluarve, që mbaheshin në një qendër ndalimi afër Kleçkës”.

Një tjetër ngjarje pretendohet se ka ndodhur në korrik të vitit 1998, kur sipas aktakuzës ishin marrë peng civilë serbë pas një sulmi të UÇK-së në Rahovec dhe rrethinë. Në këtë rast, Gjykata Speciale pretendon se Thaçi, Veseli dhe Selimi ishin përfshirë në këtë operacion dhe më pas pengjet ishin dërguar në një ish-stacion policor në Malishevë, ku Krasniqi identifikohet nga organi i akuzës si person që “në një rast ka vizituar një dhomë ku po mbaheshin të ndaluarit”.

Aktakuzës fillestare, Zyra e Prokurorit të Specializuar më 2022 ia shtoi edhe disa akuza të tjera.

Këto akuza përfshijnë krime që pretendohet se janë kryer në dy qendra ndalimi në Suharekë dhe Gjilan.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendoi se në Suharekë kanë qenë dy qendra ndalimi, “ku anëtarët e UÇK-së kanë kryer krime të përndjekjes, të burgosjes apo të ndalimit arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim çnjerëzor, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë”.

Në akuzat e reja, Prokuroria pretendoi se ka dyshime për përfshirje të drejtpërdrejtë në krime të Thaçit.

Në Suharekë, pretendohet se ndërmjet 4 qershorit dhe shtatorit të vitit 1998, 12 persona janë ndaluar në qendrat e ndalimit.

Ndërkaq, sa i përket qendrës së pretenduar në Gjilan, ajo sipas akuzës, pretendohet se ka qenë e vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti dhe aty në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999, pjesëtarë të UÇK-së kishin ndaluar “të paktën tre persona”.

Përgjatë gjithë procedurës paragjyqësore, ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së kanë fajësuar Prokurorinë për pengim të punës së tyre, mosdhënien e dokumenteve në kohën e duhur dhe për pengesa të tjera.

Fillimisht, mbrojtja kishte thënë se kufizimet e vendosura nëpër botë në kohën e pandemisë së koronavirusit, u shkaktuan telashe në përgatitjen e lëndës së tyre. Ata po ashtu u ankuan se ZPS-ja nuk po tregonte origjinën e materialeve shfajësuese, që mbrojtja mund t’i përdorë, duke aluduar se ato mund të kenë origjinën në Serbi. Lidhur me materialet shfajësuese, mbrojtja gjithashtu ka kritikuar Prokurorinë për vonesa në nxjerrjen e tyre.

Po ashtu, ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së, disa herë kanë paraqitur kërkesë për lirimin e klientëve të tyre me kusht deri në nisjen e gjykimit, kërkesa që janë refuzuar.

Procesi gjyqësor që nis më 3 prill pritet të zgjasë për vite të tëra, për shkak të lëndës voluminoze dhe të numrit të madh të dëshmitarëve dhe dokumenteve që pritet të prezantojë, si Prokuroria, ashtu edhe mbrojtja.

Trupi gjykues tha më 20 mars se nëse Prokuroria e Specializuar vazhdon përpara me përllogaritjen e paraqitur sa i përket dëshmitarëve, atëherë asaj do t’i duhen 6.5 vjet kohë vetëm për të marrë në pyetje dëshmitarët e saj. ZPS deri më tani ka paraqitur 312 dëshmitarë, të cilët do të merren në pyetje nga ajo, por edhe nga mbrojtja.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime fillimisht ishin përmendur në një raport të Këshillit të Evropës, që ishte hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty. Raporti i hapi rrugën themelimit të Speciales përmes votimit në Kuvendin e Kosovës më 2015./REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img