-0.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Rritja e çmimit të rrymës pritet të ndikojë edhe në shtrenjtimin e produkteve të tjera

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në 15.4%, ka krijuar reagime të shumta në Kosovë.

Nga shumëkush, ky vendim është cilësuar si jo i menduar mirë, sidomos tash kur inflacioni është në rritje.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka thënë se kjo masë e marrë nga ZRRE do t’i rëndojë edhe më shumë ekonomitë familjare. Sipas tij, rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të produkteve të tjera.

“Rryma si masë e konsumit të përditshëm, por edhe si energji për industri dhe ekonomi në dy sektorët, është një prej mallrave që merr pjesë shumë konsum edhe të familjeve dhe në shpenzimet e afarizmit të ndërmarrjeve ekonomike. Shtrenjtimi i saj e ngarkon standardin jetësor e përkeqëson te ekonomitë familjare, te shtresat që janë më të varfra, por edhe në ekonomi te ndërmarrjet ekonomike e rrit koston e punës, si pasojë prapë vjen shtrenjtim të mallrave, të cilat i servohen konsumatorët në përditshmëri”, ka thënë Shatri.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri

Njëjtë sikurse Shatri, mendon edhe njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, i cili thotë se përveçse rritja e çmimit të rrymës do të ndikojë te rritja e çmimeve të produkteve të tjera, mund të ketë edhe keqpërdorime, për shkak të mungesës së inspektorëve.

“E kemi një shkallë inflacioni mjaft të lartë, në këtë drejtim do të jenë të goditura edhe ekonomitë familjare, sepse në Kosovë dominon me të madhe ekonomia spekulative, kur krejt kësaj ia shton edhe këtë ngritje të energjisë elektrike, atëherë ngritja e çmimeve do të jetë e pakontrolluar. Ka mungesë të numrit të inspektorëve, është diçka që mund të keqpërdoret nga tregtarët”, ka thënë ai.

Safet Gërxhaliu, njohës i çështjeve ekonomike

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, e ka përmendur edhe mosfaturimin e energjisë elektrike për serbët në veri, duke thënë se është diskriminim për pjesën tjetër të qytetarëve të Kosovës. Po ashtu, sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet që ende t’i subvencionojë faturat e energjisë elektrike për qytetarët.

“Nuk e di pse e kanë marrë këtë vendim është hera e dytë që kjo Qeveri që dy herë po dalin me shtrenjtim të rrymës, nuk po flas çka kanë premtuar më herët, por çka kanë premtuar tash, është vendim jo i qëlluar dhe i dëmshëm për standardin jetësor të njerëzve. Është e pakuptueshme qysh në fillim të sezonit të verës, ku konsumi i energjisë bie, edhe nuk ka nevojë shumë për import nga jashtë, kurse konsumi bie, sidomos prej prillit deri në tetor. Në veri nuk faturohet rryma, në këtë pjesë e rritet çmimi, është e pakuptueshme dhe diskriminuese”, ka thënë Shatri.

Por, ka edhe të tjerë që mendojnë ndryshe. Liron Gjocaj nga INDEP, thotë se “çmimi i energjisë elektrike në Kosovë është mbajtur i shtypur politikisht”, që 20 vjet nga udhëheqësit e shtetit të Kosovës.

Ai ka thënë se rritja e çmimit të energjisë elektrike është e mirëkuptueshme, sa i përket aspektit zhvillimor të sektorit të energjisë dhe mirëmbajtjes së rrjetit.

“Në aspektin zhvillimit të sektorit të energjisë dhe masave të efiçiencës së energjisë gjithashtu dhe përballueshmërinë e sistemit dhe mirëmbajtjes, ne e kuptojmë dhe mirëkuptojmë rritjen e tarifave të energjisë elektrike, mirëpo gjithmonë duhet të kuptojmë se sektori i energjisë është sektor jetik. I cili pa investime dhe mirëmbajtje të duhur, do të shkaktonte edhe në rëndimin ekonomik të vendit, por edhe në mirëqenie sociale”, ka thënë Gjocaj.

Liron Gjocaj, INDEP

Gjocaj thotë se kjo çështje duhet shikuar edhe në aspektin ekonomik, ku për qytetarët e Kosovës do të jetë barrë e shtuar rritja e çmimit të energjisë elektrike.

“Ngritjen e çmimit të energjisë elektrike duhet ta shohim në dy dimensione, është dimensioni ekonomik, apo ajo barra e shtuar për konsumatorët dhe dimensionin e sigurisë energjetike në zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sektorit energjetik. Në aspekt të konsumatorit, çdo ngritje e çmimeve e dëmton xhepin e qytetarëve dhe kjo ngritja prej 15.4% është proporcionale për gjithë konsumatorët pa marrë parasysh sa shpenzojnë apo çfarë kategorie e konsumatorëve janë, do të përfshijë çdo konsumatorë, normalisht që do t’i dëmtojë të gjithë ata”, ka thënë Gjocaj.

Sipas tij, rritja e çmimit të energjisë do të duhej bërë në mënyrë graduale ndër vite, por  kjo nuk ka ndodhur për shkak të politikave të gabuara 20-vjeçare. Për shkak të atyre politikave të gabuara, sipas Gjocajt, qytetarët e vendit tash i vuajnë pasojat, duke u rritur çmimi i energjisë përnjëherë.

“Po, kjo do të ishte shumë më ideale nëse konsumatorit vit pas viti do t’i ishte ngritur  çmimi i faturës, nëse do të ishte e nevojshme, mirëpo nuk do të vërehej shumë, mirëpo me qëllim e ceka që kjo është pasojë e politikave të gabuara 20-vjeçare, të cilat si shkak i mirëmbajtjes i paqes sociale, vendosnin të mos e rrisnin çmimin e energjisë elektrike, duke u krenuar me atë se e kemi çmimin më të lirë të energjisë elektrike në Evropë. Këto pasoja po i shohim tash, tash po duhet të kemi rritje të çmimit të menjëhershme dhe jo graduale, e cila do të ishte shumë më lehtë e përballueshme edhe për konsumatorët”, ka thënë Gjocaj për Dukagjinin.

Kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, janë deklaruar të gjitha partitë opozitare të Kosovës. Ata kanë thënë se një vendim siç është ky i rritjes për 15.4%, do të jetë barrë e rëndë për ekonomitë familjare të Kosovës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img