-2.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Përplasje në debatin për raportet e ish-presidentit Rugova me UÇK-në

Historia e raporteve të ish-presidentit Ibrahim Rugova me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka qenë pjesë e debatit të së mërkurës.

Bashkëpunëtorë të ish-presidentit Ibrahim Rugova në njërën anë dhe përfaqësuesve të organizatave të luftës në anën tjetër kanë ballafaquar opinionet dhe argumentet në RTV Dukagjini në lidhje me periudhën e paraluftës dhe luftës së vitit 1999.

Kryetari i shoqatës së Familjarëve së Dëshmorëve, Xhavit Jashari ka thënë se ish-presidenti Ibrahim Rugova ka pasur gabime në raport me UÇK-në.

“Ibrahim Rugova ka bërë gabime në raport me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) sepse në radhë të parë nuk e ka njohur si ushtri çlirimtare UÇK-në. Madje politika e asaj kohe ka pasur edhe ofendime ndaj grupeve të para të armatosura që kishim krijuar rezistencën aktive përkundër asaj pasive 1889 dhe 1990. Shpeshherë na kanë quajtur dorë e zgjatur e Serbisë që ka qenë gabim i madh”, tha ai.

Derisa ish-zëvendëskryeministri në kohën kur Rugova ishte president, Adem Salihaj ka thënë se LDK dhe Rugova nuk kanë pasur problem me UÇK-në por sipas tij disa deklarime publike janë imponuar nga ndërkombëtarët në atë kohë.

“Në fillim të paraqitjes së UÇK-së ka qenë një lloj hutie. Ka qenë një presion i jashtëzakonshëm i faktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë që Rugova të del me një deklaratë kundër fillimit të luftës”, deklaroi Salihaj.

“Ndërkombëtarët kanë vlerësuar se fillimi i luftës në ato rrethana ka qenë shumë i rrezikshëm për Kosovën për arsye se Kosova nuk ka qenë e përgatitur për t’u ballafaquar me masakrat masive që ndodhen për fat të keq. Dihet se më vonë ndërkombëtarët ndryshuan qëndrim për UÇK-në”, shtoi ai.

Salihu thotë se LDK e ka ndihmuar shumë UÇK-në me të gjitha mjetet e mundshme pos armatimit që “nuk e kanë pasur”.

Një përplasje ndodhi kur Adem Salihaj tha se Adem Jashari, ka qenë “rugovist” dhe si argument, ai e përdori vendosjen e fotografisë së Rugovës nga Adem Jashari në shtëpinë e tij.

“Adem Jashari e ka fotografinë, shihet fotografia e Rugovës në shtëpinë e tij”, tha Salihaj.

Atij iu kundërpërgjigj kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, i cili tha se Adem Jashari nuk ka qenë asnjëherë “rugovist”.

Salihaj insistoi se Adem Jashari ka qenë ithtar i ideve të Ibrahim Rugovës.

“Nëse s’e dua dikë, edhe nuk përkrahi ideologjinë e tij, nuk e mbaj fotografinë e tij në shtëpi. Nuk kemi nevojë të hyjmë në çështje tjera, kur dikush e mban fotografinë e dikujt në shtëpi si mund të themi se nuk ka qenë ithtar i tij”, ka thënë Salihaj./PrishtinaPress/

Në debat është përfshirë edhe analisti Ylli Hoxha i cili pos meritave që i ka dhënë Rugovës ka deklaruar se ish-presidenti nuk e donte luftën.

“Natyra politike e tij ishte në kundërshtim me konfliktin dhe luftën dhe këtë ai e shprehte edhe publikisht. Ai ka qenë i angazhuar edhe në uljen e tensioneve të vogla apo protestave. Ai konsideronte se çfarëdo acarimi do t’i shërbente Serbisë për të bërë gjenocidin që Serbia që edhe e bëri”, deklaroi Hoxha.

Derisa për shkak të temës shumë të ndjeshme që u debatua në lidhje direkte u kyçën edhe disa akterë të tjerë të luftës dhe bashkëpunëtorë të Rugovës.

Njëri ndër ta ishte edhe Saim Tahiraj që kishte luftuar bashkë me Sali Çekajn.

Tahiraj në lidhje direkte në emision tha se Adem Jashari ishte mbështetur nga LDK-ja si për armatim ashtu edhe me financa për luftë.

“Adem Jashari ishte në mesin e ushtarëve që kaluan kufirin bashkë me Sali Çekajn me 75 kallashnikovë. Adem Jashari në vazhdimësi ka qenë pjesë përbërëse e institucioneve dhe vazhdimisht i ka respektuar ato”, ka deklaruar Tahiraj.

Xhavit Jasharaj ka reaguar sërish duke thënë se Adem Jashari anhëtarë i LDK-së nuk ka qenë pa i mohuar ato që i përmendi Tahiraj.

Në vazhdën e debatit për Ibrahim Rugovën dhe familjen Jashari, ka folur edhe Fadil Geci.

Ai përmes një lidhje telefonike, ka thënë se Hamëz Jashari, ka qenë një nga themeluesit e degës së LDK-së, në Prishtinë.

“Familja Jashari, Hamëz Jashari është njëri nga themeluesit e LDK-së, ditët e para kemi qenë në Prishtinë, bashkë me mu e kemi themeluar degën e LDK-së, Hamëza ka qenë me mua”, ka thënë Fadil Geci.i/PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img