Politologu kroat, Davor Gjenero dhe publicisti dhe gazetari nga Sarajeva, Senad Pecanin, kanë analizuar se fitorja e Jakov Milatoviqit në Mal te Zi për president, mund të sjellë pasoja negative për sovranitetin e Malit të Zi, procesin dhe rrugën evropiane të vendit, dhe kështu duke e drejtuar karshi Serbisë dhe Rusisë.
Në Ballkanin Perëndimor frymon ende dëshira për “botën serbe” dhe nxitet nga persona me fuqi të vendimarrjes dhe ndikimit, si dhe nga aktorët në “botën serbe”. Kjo ndikon në situatën politike në rajon dhe në rrjedhën e ngjarjeve.
Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi janë një shembull i qartë i kësaj situate, ku në këto zgjedhje janë në garë kandidatët, njëri nga Partia Demokratike e Socialistëve, Milo Gjukanoviq dhe tjetri nga Lëvizja Evropa Tani, Jakov Milatoviq.
Afiniteti i këtij të fundit me Kishën Ortodokse Serbe dhe shtetin serb ka bërë shumë njohës të politikës të mendojnë se fitorja e tij mund të ndryshojë rrugën e Malit të Zi dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian. Dhe të kemi një treshe – Vuçiq, Dodik, Milatoviq – të “botës serbe” dhe vartës të njeriut që Gjykata Ndërkombëtare Penale ka shpallur fletarrest për krime lufte, Vladimir Vladimirovich Putin.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve kanë shkuar në balotazh politikani që është në politkë mbi 30 vjet, Gjukanoviq dhe politikani i ri Milatoviq. Këta do të përballen më 2 prill.
“Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, qytetarët e Malit të Zi përballen me një dilemë: nëse do të mbështesin presidentin aktual, Milo Gjukanoviq (dhe politikën e tij euroatlantike, qytetare, multietnike të Malit të Zi) apo Jakov Milatoviq. Milatoviq përfaqëson kandidatët e Moskës dhe Beogradit, Aleksandar Vuçiqin, Vojisllav Sheshelj, Patriarkun Porfirij, Ivica Daçiqin… qëllimi i të cilëve është ta kthejnë Malin e Zi në Republikën e Serbisë në det, në një pronë ortodokse të Kishës së Serbisë, në një mjet të Moskës për destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Me fitoren e një kandidati të tillë, Mali i Zi do të gjendej në një rrugë që në raport me Beogradin, do ta sillte në të njëjtin pozicion si Bjellorusia në Moskë”, kështu ka thënë publicisti dhe gazetari nga Bosnja dhe Hercegovina, Senad Peçanin.
Milatoviq, hiç më mirë nuk është sa i përket afinitetit karshi “botës serbe”, as për politologun kroat, Davor Gjenero, e që sipas tij, Milatoviq është vegla e re e Vuçiq në Mal të Zi, pasi kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviq, ishte më herët.
“Si Milatoviq, ashtu edhe Mandiq, janë aktorët nën kontrollin e regjimit të Vuçiqit në Beograd. Mund të themi se Mandiq është humbës në ato zgjedhje, dhe se regjimi në Serbi po kërkon liderin e ri të lëvizjes radikale serbe në Mal të Zi (partia Demokracia e Re Serbe dhe koalicioni Fronti Demokratik). Meqë Dritan Abazoviq ishte mjeti në duart e Vuçiqit si kryeministër (teknik), tani Vuçiq ka një mjet të ri të quajtur Jakov Milatoviq (dhe shokun e tij, Milojko Spajiq). Si Spajiq, ashtu edhe Milatoviq, janë të mbrojtur të ministrit të Financave të Vuçiqit dhe bankierit privat, Siniša Mali”, ka thënë Gjenero.
Gjenero, gjithashtu, është skeptik sa i përket një fitoreje të mundshme të Gjukanoviqit më 2 prill.
“Ka më shumë arsye pse pozita e Gjukanoviqit rrezikohet. Fakti është se në dy vitet e fundit trupi i votuesve në Mal të Zi është ndryshuar me ndryshimin e Ligjit për shtetësinë, se peizazhi mediatik është bërë dominues nën kontrollin e mediave në Serbi dhe se ka një ndikim të madh të shërbimeve sekrete nga Serbia dhe nga Kisha Ortodokse Serbe për rezultatet e zgjedhjeve”, ka shtuar ai.
Peçanin ka kujtuar kohën kur Milatoviq ishte ministër i Ekonomisë në qeverisjen e Zdravko Krivokapiq.
E që sipas Peçanin, të bëmat e Milatoviq si ministër ishin të bankrutonte ekonominë e Malit të Zi, e rrjedhimisht thekson ai, ardhja e tij në në krye të vendit, do të ishte funerali i pavarësisë së Malit të Zi.
“Veç kësaj, si ministër në qeverinë e Krivokapiqit, Milatoviq bëri gjithçka për ta falimentuar Malin e Zi, për të shkatërruar bazën ekonomike të pavarësisë së tij nën barrën e borxhit të madh financiar; në një perspektivë kaq shumë të mundshme, Beogradi do të shfaqej si shpëtimtar: Dritan Abazoviq si kryeministër bëri pjesën e luanit të përgatitjeve që Serbia, në kushtet e kolapsit ekonomik të Malit të Zi, të bëhej pronar i Portit të Tivarit, sistemit energjetik të Malit të Zi dhe minierës së qymyrit në Pljevlja. Ky do të ishte funerali i pavarësisë së Malit të Zi për një periudhë të gjatë, prej së cilës do të mbeteshin vetëm kufijtë formalë të shtetit malazez. Tashmë pas zgjedhjeve të ardhshme, do të ndryshohej Kushtetuta e Malit të Zi, përmes së cilës do të përkufizohej si shtet i popullit serb, gjuha zyrtare do të bëhej serbe dhe të gjitha tiparet e identitetit kombëtar dhe kulturor malazez (gjuha, malazeze. Kisha ortodokse, kultura, tradita…) do ta gjenin veten të paligjshme”, ka shtuar ai.
Politologu kroat, Gjenero thekson se ajo çfarë përfaqëson Milatoviq është transformimi i Malit të Zi nga një vend sovran dhe me perspektiv nga Perëndimi, në një vend të kthyer siç e do Vuçiq, kah “bota serbe”.
“Në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi nuk bëhet fjalë për ndërrim brezash, por për raportin ndaj pavarësisë dhe sovranitetit. Milatoviqi për votuesit e tij, nuk përfaqëson politikën e gjeneratës së re, por transformimin e Malit të Zi nga shteti sovran evropian dhe euroatlantik me orientim, në pjesën e ‘botës serbe’, versionin e Vuçiqit të Putinit dhe të Duginit, Русский мир (‘Botës Ruse’)”, ka shtuar ai.
Formacioni i ri në Ballkanin Perëndimor; Vuçiq, Dodik, Milatoviq
Nëse kemi një fitore të Milatoviq në Mal të Zi, atëherë në Balkanin Perëndimor mund të kishim një formancion të ri të “botës serbe” dhe dorës së zgjatur së Rusisë në këtë pjesë të Evropës, e cila synon Bashkimin Evropian.
Pra, do të kishim presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryetarin e Repubikës Srpska, Milorad Dodik dhe Jakov Milatoviqin, në rast se bëhet president.
I këtij mendimi është edhe politologu Gjenero, i cili thekson se si kanditat për kryeministër do të ishte shoku i Mllatoviq, ish-ministri i Finacave dhe Mirëqënies Socaile, Milojko Spajiq, në qeverinë e Krivokapiq.
“Patjetër që ky është synimi kryesor i angazhimit shumë të fortë të regjimit në Beograd në zgjedhjet presidenciale malazeze. Duhet të dihet se një triumf i mundshëm i Milatoviqit në zgjedhjet presidenciale do të ishte era mbrapa kurrizit për partinë populiste, me një emër pretencioz ‘Lëvizja Evropa Tani’ dhe zotin Spajiq si kandidat për kryeministër të ri”, ka theksuar.
Sipas tij, qëllimi kryesor i Milatoviq nuk dallon shumë nga çka synonte shefi i tij i dikurshëm, Krivokapiq, pengimi dhe ndalimi i proceseve integruese të Malit të Zi në organizatat euroatlantike.
“Procesi i anëtarësimit në BE u ndal pas formimit të administratës së Krivokapiqit dhe Mali i Zi nuk është lider i anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor. Qëllimi kryesor i Milatoviqit është transformimi i Malit të Zi në degën serbe dhe zvogëlimi i ndikimit të NATO-së në politikën malazeze”, ka potencuar Gjenero.
Në të njëtën linjë mendon edhe Peçanin, i cili në pyetjen se a do të ndikonte dhe rrezikonte në vonimin e proceseve evropiane, Milatoviq si president, përgjigjet kështu:
“Më falni që u tregova troç: Pyetja juaj do të kishte kuptim nëse Bashkimi Evropian do të ishte qëllimi i vërtetë i Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit, apo Malit të Zi të përfaqësuar nga Jakov Milatoviq. Rritja e rrezikut për të cilin po flisni është qëllimi i pronarit të Milatoviqit: të shkatërrojë, jo thjesht të rrezikojë, çdo perspektivë të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Shikoni strategjinë e Vuçiqit dhe të pjesës më të madhe të elitës politike kur është fjala për zgjidhjen e problemit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës: ngrini gjendjen ekzistuese të krizës së përhershme pa asnjë zgjidhje të qëndrueshme, deri në momentin dhe besimin se Rusia do ta mposhtë Ukrainën, Kina-Amerikën, se Donald Trump do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, se Bashkimi Evropian do të shpërbëhet dhe Serbia do të bëhet një “Rusi e Vogël” rajonale që do të gëlltisë jo vetëm Malin e Zi, por edhe Kosovën dhe të paktën gjysmën e Bosnjë-Hercegovinës”.
“Të votosh për Milatoviq, nuk duhet të jesh çetnik apo tradhtar i Malit të Zi, por mjafton të jesh budalla”
Publicisti dhe gazetari boshnjak, Peçanin ka thënê se “Të votosh për Milatoviq, nuk duhet të jesh çetnik apo tradhtar i Malit të Zi, por mjafton të jesh budalla” në njëartikull, ai ka treguar se pse, duke e marrë një shembull krahueses.
Pecanin e ka marrë shembull ish-presidentin e Republikës Jugosllave të Malit të Zi, Momir Bulatoviq, ku sipas tij, ata që e kanë mbështetur Bulatoviqin atëbotë justifikohen, por me aryset që ka cekur më lart (në pjesën e parë të artikullit) Pecanin është shprehur duke thënë se mjafton “vetëm të jeshë budalla të votosh për Milatoviq, ndryshe nuk justifikohet”.
“Kur presidenti i atëhershëm i Republikës Jugosllave të Malit të Zi, Momir Bulatoviq, pranoi dhe më pas, nën presionin e Sllobodan Millosheviçit, hodhi poshtë platformën për zgjidhjen paqësore të krizës jugosllave, qytetarët e Malit të Zi që e mbështetën atë në atë kohë, sot mund të justifikohen duke mos i ditur pasojat e pasojat e (luftërat, gjenocidi, spastrimi etnik, krimet masive më të rënda në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore në Bosnje, por edhe në Kroaci e Kosovë…) mbështetjes së Bulatoviqit për projektin nacionalist, klerofashist të ‘Serbisë së Madhe’. Ju kujtoj, të gjitha ish-republikat jugosllave mbështetën planin e paqes të Lord Carrington në Hagë në 1991”, ka shpjeguar ai.
Peçanin ka treguar edhe për mbështetjen që i ka orfruar Andrija Mandiq, Milatoviqit, pra nëse e shohim në plan të parë, mund të themi se si një ekonomist i arsimuar në Perëndim, e ka mbështetjen e një proserbi dhe prorusi ndaj një “proevropiani” (Milatoviq, si një “proevropain” mund të shihet vetëm në këtë lidhje dhe pa ndonjë thellësi të analizimit të politkës së tij, e për këtë ka kundërshtuar publicisti dhe gazetari nga Sarajeva, Peçanin).
Peaçanin ka marrë shembuj disa nga figurat në rajon më pak apo hiç proevropiane, e të cilat janë shkolluar në Perëndim, duke shtuar se cili kanditat do të garonte më tutje me Gjukanoviqin, do të merrte mbështejen e liderëve të partive proserbe e proruse.
“…Jakov Milatoviq është një politikan proevropian? Sepse ai ka studiuar në Perëndim? A është Viktor Orban një politikan proevropian sepse ishte bursist i Fondacionit George Soros? A është ai Vuk Jeremiq, i cili ka studiuar në Harvard? A nuk ishte Sllobodan Millosheviq bankier në Nju Jork? Moska dhe Beogradi dolën me katër kandidatë në këto zgjedhje presidenciale: Mandiq, Beçiq, Daniloviq dhe Milatoviq. Përveç dallimeve stilistike, nuk ka dallime mes tyre kur bëhet fjalë për përkatësinë e projektit kleriko-nacionalist të madh shtetëror serb. Për planifikuesit e ‘Botës Serbe; dhe ‘Ballkanit të Hapur’ nuk ka dallim mes tyre. Nuk ka pasur asnjë moment dyshimi se kandidati që merr më shumë vota do të ketë mbështetjen e të gjithë kandidatëve të tjerë, Beogradit, Moskës dhe Kishës së Serbisë në zgjedhjet kundër Gjukanoviqit. Është paradoksale që asnjë nga këta çetnik të ‘epokës së re’ nuk bëri më shumë për Beogradin, Moskën dhe Kishën e Serbisë se Dritan Abazoviq. Për keqardhjen e tij, të Abazoviqit, kandidatura e tij ishte e pamundur për një arsye ‘objektive’: emri i tij është i vështirë të shqiptohet saktë për Matija Bećkoviq, i cili edhe kur thotë se ‘rinia serbe në Beograd do ta mbante në krahë” e shqipton publikisht emrin ‘Driton’”, ka theksuar Peçanin.
Partitë proserbe e proruse morën numër të konsiderushëm votash në komunat e banuara me shumicë shqiptare
Tuzi në Mal të Zi, një komunë e banuar me shumicë shqiptare, kandidatët proserbë dhe prorusë morën një shumë të konsiderueshme votash, por gjithashtu edhe në pjesë tjera të banuara me shumicë shqiptare.
Për këtë ka folur për Dukagjinin, Pecanin, i cili ka theksuar se në mesin e ish-jugosllavëve, shqiptarët janë parë një popull më ndryshe nga popujt që jetojnë në Ballkan. Por, sipas tij, me ardhjen në skenën poltike të Dritan Abazoviqit dhe disa liderëve të tjerë shqiptarë atje, kanë bërë të mendohet që edhe populli shqiptar nuk bën ndonjë përjashtim në mesin e popujve ballkanik.
“Në mesin e ish-jugosllavëve, atyre që nuk janë fashistë dhe nacionalistë, ekziston një besim për shqiptarët si një popull punëtor dhe të ndershëm, anëtarëve të të cilit mund t’u besohet fjala(“zemërim”). Përjashtimet, si Rahman Morina apo Kaqusha Jashari, nuk e ndryshuan këtë. Mirëpo, shfaqja dhe veprimtaria e shqiptarit nga Ulqini, Dritan Abazoviq, e bën emrin e tij emër të përbashkët, sinonim, fyerje edhe në Bosnje, duke treguar tradhtar, ‘shpirt të shitur’, mjerim njerëzor e moral. Se shqiptarët nuk bëjnë përjashtim në mesin e popujve të tjerë ballkanikë, e vërteton jo vetëm ‘Dritoni’, por edhe disa liderë shqiptarë në Mal të Zi, si Nik Gjeloshaj nga Tuzi. Është shkatërruese që ka mbështetjen e plotë të ‘vëllait të Vuçiqit’ Edi Ramës, në ndryshim nga Albin Kurti, për bashkëpunim të plotë me klerofashistët serbë. Se shqiptarët nuk janë përjashtimi i vetëm në mesin e popujve të Ballkanit, dëshmon edhe partia boshnjake e ish-myftiut të Novi Pazarit, Muamer Zukorliq, e cila tani është në pronësi të djalit të tij: dega e tyre në Mal të Zi mbështeti publikisht kandidatin çetnik Milatoviq, zgjedhjet kundër Gjukanoviqit”, ka theksuar ai.
Sipas tij, është e turpshmë “tradhtia” që i kanë bërë pakicat kombëtare, respektivisht, shqiptarët, boshnjakët, kroatët në Mal të Zi, njeriut që ka ngritur pozitën e tyre dhe mirëqënien, Gjukanoviqit.
Pecanin theksoi se të dielën e 2 prillit, këto pakica, veçanarisht, shqiptarët dhe boshnjakët malazezë, do të vendosin se a do ta godasin Malin e Zi “thikë pas shpine”.
“Është e turpshme dhe shkatërruese që tradhtia e interesave themelore të Malit të Zi nga disa liderë të partive të popujve pakicë në Mal të Zi, vjen pikërisht në kohën kur në radhë të parë falë Gjukanoviqit, pozita e pakicave kombëtare në Mal të Zi nuk ka qenë kurrë më e mirë në histori. Ky është një fakt lehtësisht i verifikueshëm dhe i vërtetueshëm. Beogradi ka kohë që kërkon mënyra për të krijuar një çarje në marrëdhëniet harmonike midis malazezëve etnikë nga njëra anë, dhe boshnjakëve, shqiptarëve, kroatëve dhe serbëve që nuk janë çetnikë, nga ana tjetër. Fatkeqësisht, falë liderëve si ‘Dritoni’, Gjloshaj dhe Zukorliq, Vuçiq ia doli ta bëjë këtë. Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të tregojë nëse shqiptarët dhe boshnjakët malazezë do të ndjekin liderët e tyre dhe do t’i godasin Malit të Zi ‘pas shpine’, me pasoja afatgjata historike, si për malazezët ashtu edhe për të gjitha pakicat kombëtare në të”, ka potencuar Peçanin.
Në Mal të Zi, zgjedhjet e presidenciale në prill 2023 janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Sipas analistëve dhe gazetarëve të rajonit, fitorja e Jakov Milatoviqit, kandidatit të Lëvizja Evropa Tani, në raundin e dytë të zgjedhjeve, do të ketë pasoja të mëdha për të ardhmen e vendit.
Politologu kroat, Gjenero dhe publicisti dhe gazetari nga Sarajeva, Peçanin shqyrtojnë se fitorja e Milatoviqit mund të sjellë pasoja negative për sovranitetin e Malit të Zi, procesin dhe rrugën evropiane të vendit. Ata besojnë se fitorja e tij do të drejtojë Malin e Zi në drejtimin e politikës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe Kishës Ortodokse Serbe, e cila po përpiqet ta zgjerojë ndikimin e saj në rajon.
Sipas tyre, kjo mund të çojë në një humbje të pavarësisë së Malit të Zi dhe shkëputjen e tij nga rruga evropiane, në favor të ndikimit rus./PrishtinaPress/