Kryeministri Mustafa, i njoftoi kongresistët amerikanë edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, që lidhen me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, përmbushjen e marrëveshjeve të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe me praninë e SHBA-së që po zhvillohet në Bruksel, raportet politike në Kosovë, transformimin e FSK-së dhe luftën kundër radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim një delegacion dypartiak të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, i udhëhequr nga kongresisti Peter Roskam, ku ishin të pranishëm edhe kongresisti i rangut më të lartë në Komisionin e Partneritetit të Dhomës për Demokraci (HDP), David Price, kongresisti Adrian Smith dhe kongresisti Gerry Connolly.
Delegacioni dypartiak nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve përbëhet nga 20 anëtarë që punon drejtpërdrejtë me shtetet partnere në gjithë botën për të mbështetur zhvillimin e institucioneve legjislative efikase, të pavarura dhe reaguese.
Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa i ka njoftuar gjerësisht për të arriturat e deritashme të Kosovë si dhe për prioritetet e Qeverisë në zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit ligjor, integrimet euroatlantike si dhe avancimin e sistemit arsimor dhe shërbimeve shëndetësore.
“Kryeministri Mustafa, i njoftoi kongresistët amerikanë edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, që lidhen me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, përmbushjen e marrëveshjeve të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe me praninë e SHBA-së që po zhvillohet në Bruksel, raportet politike në Kosovë, transformimin e FSK-së dhe luftën kundër radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Kongresistët Peter Roskam, David Price, Adrian Smith dhe Gerry Connolly, pasi vlerësuan të arriturat në Kosovë, u interesuan për zhvillimet e ndryshme që lidhen me jetën parlamentare, zhvillimin ekonomik, luftën kundër dukurive negative siç janë radikalizmi dhe terrorizmi dhe çështje të tjera.
Kongresisti Peter Roskam, në fjalën e tij theksoi përkrahjen e mëtejme të SHBA-ve për Kosovën, duke u shprehur i impresionuar me progresin e deritashëm të Kosovës duke pas parasysh se ku ka qenë para pak vitesh dhe ku ka arritur tani.
Kongresisti Roskam, po ashtu, inkurajoi Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë përkushtimin e saj që hap pas hapi të avancohet zhvillimi i gjithanshëm dhe që Kosova të vazhdojë të jetë faktor i stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Kryeministri Isa Mustafa me këtë rast theksoi se të gjitha të arriturat në Kosovë janë rezultat i përkushtimit të qytetarëve të Kosovës dhe përkrahjes së pazëvendësueshme që SHBA-të kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për Kosovën.
“Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar që të vazhdojë avancimin e të gjitha aspekteve të zhvillimit dhe që në partneritet të përhershëm strategjik me SHBA-të të realizojmë synimet e qytetarëve të Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa, me këtë rast.
Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i i parë, Hajredin Kuçi, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe zëvendësministri i Jashtëm, Valon Murtezaj”- njofton kumtesa drejtuar mediave.