1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Teatri Kombëtar inauguron improvizimet me hapësira të reja

Teatri Kombëtar i Kosovës ka pasur një arsye shtesë për të shënuar Ditën Botërore të Teatrit sivjet. Të hënën, kur bota teatrore është marrë me mesazhin e kësaj dite dhe është diskutuar roli i këtij arti, Teatri i Kosovës ka inauguruar hapësirat e reja të improvizuara për administratë. Kjo është bërë gati nëntë muaj pas mbylljes së ndërtesës së TKK-së. Për këtë arritje që mundëson të paktën administrata të ketë një hapësirë afër Amfiteatrit të Pallatit të Rinisë dhe Sportit që po shfrytëzohet si sallë, punonjësit janë parë goxha në gëzim. Madje këtë zgjerim hapësirash e ka përmendur edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në ndarjen e çmimeve për fushën e teatrit. Përtej kësaj, TKK-ja do të marrë në shfrytëzim edhe një ambient tjetër në ish-kompleksin e “Rilindjes”.

Pos punonjësve të TKK-së, pasditen e së hënës në platenë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë është mbledhur edhe një pjesë e mirë e komunitetit artistik. Kanë ngritur dolli për Ditën Botërore të Teatrit, por edhe për hapësirat e reja për administratën.

Drejtori i përgjithshëm TKK-së, Kushtrim Sheremeti, u ka uruar mirëseardhje të gjithëve duke uruar për më shumë punë së bashku.

“Po shpresoj që Dita ardhshme Botërorë e Teatrit të na gjejë edhe më mirë. Sot i kemi dy sebepe, pos që jemi mbledhur për ta shënuar këtë ditë, e kemi edhe inaugurimin e hapësirave të reja që do të jenë njëfarë pikëtakimi jo veç i punëtorëve të TKK-së, por i të gjithë komunitetit teatror në Kosovë”, ka thënë Sheremeti. Ka bërë të ditur se janë lajmëruar nga MKRS-ja se do të kenë në shfrytëzim edhe hapësirat që dikur i kishte në shfrytëzim “Sheshi 21” në ish-kompleksin e “Rilindjes”. Këtë Sheremeti e ka parë si lajm shumë të mirë.

Më pas aktori Armend Smajli ka lexuar mesazhin e Ditës Botërore të Teatrit që sivjet është shkruar nga aktorja egjiptiane Samiha Ayoub. “Pra, hiqni këmbët tuaja nga balta e luftërave dhe konflikteve të përgjakshme dhe i lini në derë të skenës. Ndoshta njerëzimi ynë, i turbulluar në dyshime, do të bëhet edhe një herë kategorik me siguri që na bën të gjithëve me të vërtetë të kualifikuar për të qenë krenarë që jemi njerëz dhe që jemi të gjithë vëllezër e motra”, ka shkruar ajo. Ka kërkuar që teatri të jetë në rol të vetin si në krye të herës.

“Ne dhe askush tjetër kemi aftësinë për të përhapur jetën. Le ta përhapim së bashku për hir të një bote dhe të një njerëzimi”, ka shkruar ajo. Por TKK-ja ka telashe të tjera.

KOHA ka raportuar se edhe gati nëntë muaj pas mbylljes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, procesi i hartimit të projektit për renovim është në fazën e analizave. Përderisa ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka paralajmëruar prillin si kohën kur do të mund të jetë i gatshëm projekti, profesionistët nuk kanë dhënë afat.

Ansambli i TKK-së është duke punuar në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, përderisa ai i Baletit Kombëtar të Kosovës në ambientet e ansamblit “Shota”.

e Kulturës nëpërmjet një vendimi e kishte mbyllur ndërtesën e TKK-së në fund të qershorit të vitit të kaluar. Më 14 shkurt Ministria e Kulturës ka lidhur kontratë me një kompani private. Për 22 mijë e 700 euro, MKRS-ja dhe “Ideal partners Sh.P.K” janë marrë vesh për ta bërë një hulumtim në objektin e TKK-së.

MKRS-ja disa herë ka hapur thirrje për të kontraktuar kompani, por kishte dështuar. Në bazë të dosjes së tenderit do të bëhet një pastrim i përgjithshëm i ndërtesës dhe janë marrë mostrat për analizim të strukturës. E më pas mbi këtë bazë do të nisë hartimi i projektit për rinovim.

Në maj të vitit të kaluar një grup i profesorëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë së Universitetit të Prishtinës ia kishte dorëzuar Ministrisë së Kulturës një raport mbi gjendjen e objektit.

Në tetor të vitit të kaluar KOHA kishte raportuar se Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës bashkë me Ministrinë e Kulturës e kanë mbyllur ndërtesën e institucionit më të lartë teatror duke nxjerrë konstatime të paqena. Të paktën profesionistët që janë thirrur për të bërë një vlerësim të gjendjes fizike të ndërtesës nuk kanë rekomanduar mbyllje. Nuk është konstatuar se ndërtesa si tërësi paraqet rrezik për punëtorët dhe publikun e as që gjendja është alarmante. Në raportin që zyrtarisht titullohet “Vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, hartimi i termave të referencës (tor) dhe ndërhyrjet e menjëhershme të evidentuara”, nuk shkruhet se ndërtesa paraqet rrezik për punonjësit apo publikun.

Raporti i detajuar shpërfaq gjendjen e secilës pjesë të ndërtesës. Nxirren përfundime se në shumicën e pjesëve ka nevojë për ndërhyrje. Për këtë edhe janë dhënë një varg rekomandimesh.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img