3.5 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Drejtësia s’e heton neglizhencën e saj që çoi në vrasjen e Sebahate Morina

Fatmir Morina e priti me padurimin vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës përmes të cilit më 22 mars të këtij viti u konstatua se shteti ‘ia shkeli të drejtën për jetë’ motrës së tij, Sebahate Morina, e cila u vra nga ish-bashkëshorti më 14 mars 2021 në Prishtinë.

“Ne, këtij vendimi [të Gjykatës Kushtetuese], iu gëzuam pak sepse thamë se më në fund po del ajo që dihet. Është neglizhencë e Policisë, Gjykatave dhe e Prokurorisë”, thotë Fatmiri, vëllai i Sebahates.

Por, sado që e gëzoi vendimi, Fatmirin e mërzit fakti se askush nuk është shkarkuar për neglizhencë në trajtimin e rastit.

“Nuk është fare mirë kjo, nuk jemi të kënaqur që nuk hetohet askush”, thotë ai.

Më 14 mars 2021, Sebahatja ishte rrugës për në vendin e saj të punës, por pak metra pa mbërritur, u vra nga ish-bashkëshorti i cili, sipas raporteve zyrtare, e kishte rrahur e keqtrajtuar më parë.

Në vitin 2020 ai ishte dënuar për dhunë në familje nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Që nga dita e vrasjes së Sebahates, nuk u bë publike asnjëherë nisja e ndonjë hetimi ndaj zyrtarëve që dyshohet se e neglizhuan trajtimin e rastit.

Hetimet apo nisjen e procedurave nuk e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë as pas publikimit të vendimit të Kushtetueses, Prokuroria e Shtetit, Këshilli Prokurorial e as Policia e Kosovës.

Pavarësisht përpjekjeve, këto institucione nuk i janë përgjigjur interesimit të REL-it nga data 23 mars.

Por, nisjen e një hetimi brenda policisë e ka konfirmuar Avokatit të Popullit, institucion ky që në vitin 2021 kishte hartuar një raport që kishte identifikuar shkelje nga ana e institucioneve në rastin e Sebahates.

“Pas rekomandimeve tona, policia ka formuar një komision, i cili ka gjetur shkelje dhe kanë filluar procedurat kompetente ndaj zyrtarëve policorë”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit.

Dhjetë ditë para se Sebahatja të vritej, sipas raportit të Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me titull “Shteti me mosveprim, privon nga jeta Sebahate Sopin”, njëra nga vajzat e saj raportoi në polici dhunën që po ushtrohej ndaj nënës së saj. Ish-bashkëshorti e kishte sulmuar Sebahaten sërish fizikisht.

Policia ndërmori masa hetimore. Intervistoi Sebahaten e cila konfirmoi se ishte viktimë e dhunës fizike. Ish-bashkëshorti i saj u intervistua po ashtu dhe mohoi sulmin. Sebahatja u ftua të intervistohej sërish një ditë pas, më 4 mars. Policia thotë se nuk u paraqit në stacion policor.

E, për dhjetë ditë të tjera, as policia e as prokuroria nuk ndërmori asnjë masë.

Në ditën e 11-të ajo u vra.

Por, çfarë nënkupton vendimi i Gjykatës Kushtetuese?

Kushtetuesja konstatoi një seri shkeljesh në trajtimin e këtij rasti. Shkeljet e konstatuara hedhin përgjegjësinë mbi Policinë e Kosovës, përkatësisht Stacionin Policor në Graçanicë dhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës se kanë dështuar në përmbushjen e detyrimeve të tyre pozitive në mbrojtjen e jetës së Sebahates.

Këto shkelje i kishte konstatuar një raport i hartuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Rrjetin e Grave të Kosovës (RRGK).

“Një vendim i Gjykatës Kushtetuese që konstaton se një qytetareje të Kosovës i është shkelur e drejta për jetë dhe në të njëjtën kohë që janë shkelur edhe Standardet e Konventës së Stambollit, do të thotë është e papranueshme të mos ketë reagim institucional pas një vendimi kaq të rëndësishëm ”, thotë Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), organizatë kjo që hartoi kërkesën kushtetuese në emër të fëmijëve të Sebahates.

Rezniqi thotë se vendimi i Kushtetueses për këtë rast është i një rëndësie të veçantë pasi do t’u shërbejë institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, të mos i përsërisin gabimet e njëjta si në rastin Sebahates që përfundoi me vrasje.

“Përmes këtij vendimi tashmë të gjitha institucionet duhet ta dinë se cilat veprime nuk guxojnë të bëhen në raste të tjera dhe automatikisht kjo ka ndikim të drejtpërdrejtë në ndryshimin e praktikës së keqe të krijuar deri më tash në trajtimin jo të duhur të rasteve të dhunës në familje”, vlerëson ajo.

Kushtetuesja konstatoi se Policia dhe Prokuroria kanë mundur të ndërmarrin hapa shtesë në mbrojtjen e Sebahates.

Pak kohë pas vrasjes përmes një reagimi publik, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte thënë mes tjerash se gjatë intervistës, Sebahatja kishte deklaruar se “nuk është interesuar që të vazhdojë me rastin”.

Mirëpo, kjo deklaratë, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nuk e liron Prokurorinë në ndërmarrjen e hapave shtesë në mbrojtjen e viktimës.

“Nuk e liron asnjë institucion shtetëror nga detyrimi për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të përcaktuara me ligje dhe rregullativë të aplikueshme në mbrojtje të viktimës së dhunës në familje”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Mungesën e reagimit institucional në këtë rast nuk e ka komentuar as Ministria e Drejtësisë e Kosovës.

Në organizatën Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) theksojnë se dështimi i shtetit për të mbrojtur jetën e grave në Kosovë është një dukuri që vazhdimisht përsëritet.

Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës thotë se shteti po dështon në vazhdimësi që t’i mbrojë gratë që janë të rrezikuara nga burrat e tyre.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin e Sebahates, sipas saj, nënkupton shkarkime dhe dënime për neglizhencë të të gjithë zyrtarëve që kanë qenë të ngarkuar në këtë rast.

“Institucionet duhet të vihen në pah dhe të kërkohen shkarkime dhe personat të cilët e kanë pasur në trajtim lëndën e zonjës Sebahate Morina të shkarkohen automatikisht nga pozitat e tyre. Këta zyrtarë janë të rrezikshëm të qëndrojnë në vendet e tyre të punës pasi që mund të ketë shkelje të njëpasnjëshme”, thotë Breznica.

Breznica thotë se vazhdimisht vërehet se rastet e dhunës në familje janë të rralla kur trajtohen me seriozitet dhe konform depozitave ligjore deri në fund.

Dështimi, sipas saj, është zinxhiror pasi shpesh dështon policia, dështojnë Qendrat për Punë Sociale, Prokuroria dështon në kualifikimin e lëndëve si dhe Gjykatat në fund shqiptojnë dënime të ulëta.

Rasti i Sebahates nuk është i vetmi kur sipas juristëve, shteti ka dështuar të ofrojë ndihmë adekuate në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Më 30 nëntor të vitit të kaluar, një rast i njëjtë ndodhi në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku një grua 35 vjeçe u vra nga bashkëshorti i saj, me gjithë faktin se viktima kishte urdhër për mbrojtje nga policia.

Vrasja e tronditi opinion publik pasi viktima, Hamide Magashi, ishte në javën e fundit të shtatzënisë dhe ishte shtrirë në QKUK për të kryer lindjen. Vrasësi iku nga vendi i ngjarjes dhe në fund vrau veten.

Ky rast është përmendur edhe në raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejta të Njeriut, në pjesën për Kosovën, të publikuar më 20 mars 2023.

“Policia e ka konfirmuar se viktima më parë ka raportuar për dhunë në familje dhe ka qenë në mbrojtje policore”, thuhet në raport. Aty shtohet se mungesa e hetimeve dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore, janë disa prej problemeve më serioze në Kosovë.

“Deri në shtator [të vitit 2022], prokurorët kanë hetuar 160 raste të dhunimeve dhe kanë ngritur 30 padi”.

Sipas të dhënave të institucioneve në 12 vjetët e fundit në Kosovë janë vrarë 50 gra.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img