Në urimin e tij, kreu i shtetit gjerman ka shkruar se vitin që shkoi Kosova ka arritur prezantim dhe njohje më të gjerë ndërkombëtare, së fundmi, siç thuhet në letrën e urimit, përmes pjesëmarrjes së suksesshme në Lojërat Olimpike.
“Në emrin tim dhe në emër të bashkatdhetarëve të mi, Juve dhe të gjithë qytetarëve të vendit Tuaj ju përcjell urimet e mia të përzemërta për Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Vitin e kaluar Kosova ka arritur prezantim më të gjerë dhe njohje ndërkombëtare, së fundmi përmes pjesëmarrjes së suksesshme në Lojërat Olimpike. Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Kosova ka shënuar një tjetër moment vendimtar në rrugën e saj drejt afrimit me Bashkimin Evropian. Kjo i ofron ekonomisë kosovare perspektiva të rëndësishme zhvillimore”, thuhet në letrën e urimit të presidentit Gauck.
Sipas njoftimit të zyrës së Presidencës, ai ka inkurajuar presidentin Thaçi për veprimet e tij, ashtu që Kosova në mënyrë konsekuente të vazhdojë edhe më tej rrugën e reformave dhe të përmirësimit të marrëdhënieve fqinjësore edhe me Serbinë.
“Edhe në emër të bashkatdhetarëve të mi, kosovarëve iu dëshiroj një të ardhme në paqe, mirëqenie dhe liri – dhe Juve personalisht mbarësi”, ka shkruar presidenti gjerman Joachim Gauck në urimin e tij.