-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Hungaria voton pro anëtarësimit të Finlandës në NATO

Parlamenti i Hungarisë miratoi të hënën aplikimin e Finlandës për anëtarësimin në NATO, duke i dhënë kështu fund vonesave që zgjatën disa muaj dhe duke e sjellë vendin nordik një hap më pranë bërjes anëtar në aleancën ushtarake të Perëndimit.

Votimi me 182 vota pro dhe gjashtë kundër, erdhi pasi qeveria hungareze pati shqetësuar prej muajsh vendet aleate në NATO dhe në Bashkimin Evropian duke e shtyrë votimin deri kur të kishin votuar pothuajse të gjitha vendet e tjera të aleancës për ratifikimin e anëtarësimit të Finlandës.

Ndërsa ratifikimi nga Hungaria u përshëndet me lehtësim në Helsinki dhe vende të tjera, hyrja në NATO e Suedisë mbetet pezull. Zyrtarë të partisë hungareze në pushtet kanë thënë se do të presin që Stokholmi të qartësojë mosmarrëveshjet e mbetura përpara se të votojnë për ratifikimin. Finlanda dhe Suedia aplikuan së bashku për anëtarësim në NATO, pas sulmit të Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022.

Pasigurisë për kandidaturën e Suedisë i shtohen edhe kundërshtimet e Turqisë mes akuzave se Stokholmi është shumë i butë ndaj grupeve që ajo i konsideron si organizata terroriste.

Agnes Vadai, ligjvënëse me partinë opozitare të Koalicionit Demokratik të Hungarisë, tha të hënën se partia në pushtet Fidesz kishte përdorur “pretekste” për të vonuar ratifikimin për të dy vendet dhe se vazhdimësia e ngërçit mund ta shtyjë një votim për Suedinë në fillim të prillit apo edhe majit.

“Nuk ka asnjë arsye të vërtetë për të mos i mbështetur këto vende”, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press zonja Vadai, ish-sekretare shteti në ministrinë e mbrojtjes të Hungarisë. “Aderimi në NATO nuk duhet të jetë çështje ndjenjash personale dhe shantazhesh”.

Turqia është tani e vetmja nga 30 vendet anëtare të NATO-s që nuk e ka ratifikuar anëtarësimin e Finlandës. Për të pranuar një vend anëtar të ri në aleancë duhet unanimitet i plotë.

Sidoqoftë, komisioni parlamentar i Turqisë për punët e jashtme miratoi javën e kaluar aplikimin e Finlandës për anëtarësimin në NATO dhe një votim i parlamentit pritet të mbahet përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Turqisë më 14 maj.

Ndërsa kryeministri hungarez Viktor Orban ka sinjalizuar prej kohësh mbështetjen e vendit të tij për zgjerimin e NATO-s, qeveria e tij ka pretenduar se politikanët suedezë dhe finlandezë kanë thënë “gënjeshtra të qarta” në lidhje me gjendjen e demokracisë hungareze, gjë që i ka lënë të pasigurt disa ligjvënës të partisë në pushtet nëse duhet t’i mbështesin kërkesat për anëtarësim në NATO.

Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press në Kombet e Bashkuara të premten, Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto tha se kritikat e vazhdueshme të Perëndimit ndaj Hungarisë për çështjet e demokracisë dhe ato kulturore e kishin bërë qeverinë e saj të hezitonte të ofronte mbështetje për çështje praktike, veçanërisht për rritjen e kapaciteteve të NATO-s përballë Rusisë.

Bashkimi Evropian, që përfshin 21 vende të NATO-s, ka akuzuar për vite me radhë qeverinë e zotit Orban për goditjen e lirisë së medias dhe të drejtave të anëtarëve të komunitetit LGBTQ, për një kulturë të rrënjosur të korrupsionit zyrtar dhe vendosjen e institucioneve shtetërore në shërbim të interesave të partisë qeverisëse Fidesz.

Disa politikanë dhe analistë të opozitës hungareze besojnë se zvarritja për ratifikimin kishte për qëllim nxitjen e Suedisë dhe Finlandës për të mbështetur lëvrimin e fondeve prej miliarda eurosh të BE-së të destinuara për Budapestin, të cilat janë ngrirë për shkak të akuzave për shkelje të standardeve të unionit për shtetin ligjor.

Por Samuel Agoston Mraz, drejtor i qendrës pro-qeverisë Nezopont Intezet në Budapest, tha se Hungaria nuk do të marrë vendim në lidhje me Suedinë derisa Turqia të vendosë nëse do ta miratojë kërkesën për anëtarësimin e vendit në NATO.

Zoti Mraz tha se Hungaria “nuk dëshiron të marrë vendime kundër turqve” dhe se kërkon garanci nga Stokholmi për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.

“Hungaria është mbështetëse e një NATO-je të bashkuar. Ajo nuk beson tek një Turqi kundër të gjitha vendeve të tjera anëtare”, tha ai./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img