3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Rasti “Ukë Rugova”, Prokuroria tërhiqet nga akuza për njërin prej të akuzuarëve

Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, në gjykimin ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Florjan Petanit, Qefser Bahollit dhe Izet Beqirit, është dhënë fjala përfundimtare, ku për të akuzuarin Petani, Prokuroria Speciale, ka kërkuar aktgjykim refuzues, me arsyetimin se për të njëjtin, Gjykata e Romës ka nxjerrë aktgjykim lirues.

Pesë të akuzuarit në këtë rast, ngarkohen se duke vepruar si grup kriminal, për qëllime të përfitimit material, i kanë pajisur qytetarët në mënyrë të jashtëligjshme me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja speciale Florije Shamolli, në fjalën e saj përfundimtare ka thënë se meqenëse i akuzuari Petani po akuzohej edhe në Itali për të njëjtat vepra penale, Prokuroria Speciale ka qenë në bashkëpunim të vazhdueshëm me qytetin e Italisë si në fazën e hetimit ashtu edhe gjatë gjykimit, duke bashkëpunuar në të gjitha provat materiale të cilat janë administruar në qytetin e Romës.

Prokurorja speciale Shamolli i propozoi gjykatës që meqenëse Gjykata e Romës ka nxjerrë aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Petani, ndaj tij gjykata të nxjerrë aktgjykim refuzues, pasi që në bazë të Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale, askush nuk mund të gjykohet për të njëjtën vepër penale dy herë dhe askush nuk mund të dënohet për vepër për të cilën është liruar apo dënuar për të njëjtën çështje.

Kurse, sa i përket të akuzuarve të tjerë, Shamolli tha se qëndron pranë kualifikimit juridik, duke i propozuar gjykatës që të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Ukë Rugova, avokati Nexhat Shabani, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se në rastin konkret jo vetëm se nuk kemi të bëjmë me veprat penale të kryera nga i mbrojturi i tij, por që sipas tij këtu ka të bëjë me shkeljen e të drejtave të njeriut, cenimin e privatësisë, privimit të kundërligjshëm nga liria si dhe shkelje të Konventës së Vienës.

Ai tha se shkeljet e të drejtave të njeriut kanë ndodhur edhe në raport me anëtarët e familjes së të akuzuarit Ukë Rugova, me sekuestrimin e pasurisë së tyre, e cila sipas tij fare nuk është përfshirë në aktakuzë për konfiskim.

Sipas avokatit Shabani, përshkrimi faktik se i akuzuari Rugova në mënyrë të kundërligjshme ka marrë viza për këta persona, ka mungesën e emërtimit të personave të korruptuar dhe shumën e korrupsionit.

Sipas tij, dispozitivi i aktakuzës së ndryshuar ka mbetur i përgjithësuar, pa precizime dhe konfuze sikurse e para, e cila kinse është rregulluar.

I njëjti ka kërkuar nga gjykata që të merret aktgjykim lirues dhe t’iu kthehen të gjitha sendet e sekuestruara pronarëve të tyre.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Izet Beqiri, avokati Besnik Berisha, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se beteja për drejtësi në këtë çështje penale ka marrë plot një dekadë dhe se sot para vetes do të donte të kishte ‘arkitektin’ e kësaj aktakuze.

“Po t’i vazhdohej mandati gjyqtarit të EULEX-it që mori për trajtim aktakuzën në shqyrtimin fillestar jam i bindur se ky proces nuk do të zgjaste asnjë ditë, për shkak se qysh atëherë në aktvendimin e këtij gjyqtari ishin dhënë vërejtje serioze të arsyetuara në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, vërejtje këto që asnjëherë nuk u korrigjuan nga Prokuroria”, tha Berisha.

Sipas tij, në këtë proces janë dëgjuar së paku 30 dëshmitarë nga lista e prokurorit fillestar, i cili tha se kishte selektuar në atë kohë dëshmitarët më relevantë për të akuzuarit këtu.

“Të gjithë nën betim dhanë vetëm një arsyetim: ata asnjëherë nuk kishin paguar asnjë cent për vizat e siguruara, madje shumë nga ta as koston administrative e as sigurimin shëndetësor”, tha Berisha.

Ai tha se lista e këtyre dëshmitarëve për çudi nuk gjen vend në fjalën përfundimtare të Prokurorisë, jo për shkak se ata nuk thanë asgjë, por për shkak se nuk inkriminuan askënd.

Sipas avokatit Berisha, gjykata do të vërejë se asnjë provë, asnjë dëshmitar, asnjë masë e fshehtë e hetimit dhe vëzhgimit, nuk provuan veprën penale bazë të krimit të organizuar, trafikimit me migrantë.

Sipas tij, secili nga personat e proceduar si dëshmitarë, mohoi në mënyrë kategorike parregullsinë me dokumente personale, pohuan kalimin në pikat e rregullta kufitare dhe po ashtu respektimin e plotë të afatit të përcaktuar me vizë dhe kushteve që parashihte qëndrimi në shtetin respektiv.

Tutje, ai tha se aktgjykimi i Gjykatës në Itali nuk shfajësoi vetëm Florjan Petanin, por edhe ambasadorin Michael Giffon bashkë me konsulin Habib, duke rrëzuar pretendimin për krim të organizuar dhe duke rrëzuar pretendimin se vizat janë marrë me korrupsion, pasi që vizat ishin lëshuar nga Giffoni dhe po të kishte korrupsion ai do të mbahej përgjegjës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img