7.7 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Miftaraj tregon pse dështoi ligji për KPK-në

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj vlerëson se për shkak të joprofesionalizmit dhe joseriozitet të ministrisë së Drejtësisë për të argumentuar nevojën për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës ka rezultuar edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila këtë ligj e shpalli të pavlefshëm.

Miftaraj, në një intervistë për KP deklaron se MD nuk ka dërguar dëshmi për ta bindur Kushtetuesen për problemet që ka sistemi prokurorial i Kosovës.

“Reforma në sistemin prokurorial në këtë rast ligji për KPK ka dështuar më shumë për shkak të joprofesionalizmit, por edhe joseriozitetit të ministrisë së Drejtësisë për ta argumentuar të njëjtin pranë Gjykatës Kushtetuese…..Gabimin që e ka bërë MD ka qenë se kur e ka miratuar ligjin, kur ka komunikuar me Gjykatën Kushtetuese në bazë të asaj që përcakton ligji nuk ka dërguar dëshmi dhe nuk e ka bindur Gjykatën Kushtetuese lidhur me problemet që ka sistemit prokurorial. Problemet kryesore të sistemit prokurorial janë mungesa e integritetit të anëtarëve të KPK, mungesa e efikastitetit, kultura e pandëshkueshmërisë dhe çka është më e rëndësishme ky sistem prokurorial nuk po është në gjendje tu ofroj drejtësi qytetarëve të Kosovës, për këtë arsye Gjykata Kushtetuese në mungesë të dëshmive nuk ka pas rrugë tjetër veçse në njëfarë mënyre ta shpallë ligjin kundërkushtetues”, thekson ai.

Miftaraj thotë se Ligji për KPK-në ka qenë shpresë se do të ndërprehej pandëshkueshmëria dhe mungesa e rezultateve në sistemin prokurorial të Kosovës.

Sipas njohësit të sistemit të drejtësisë, ky ligj në asnjë rrethanë nuk ka paraparë asnjë mundësi për politizim të sistemit.

“Ashtu siç është propozuar në ligj në asnjë rrethanë ligji nuk ka paraparë asnjë mundësi për politizim të sistemit prokurorial, pse sepse nga 7 anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës të propozuar, 4 nga ta janë brenda sistemit, 4 prokurorë dhe 3 kanë qenë jashtë sistemit që do të duhej të emëroheshin nga Kuvendi i Kosovës…Përmes këtij ligji ka qenë shpresa e vetme që të ndërprehet kultura e pandëshkueshmërisë, të ndërprehet kultura, ku sistemi prokurorial i Kosovës edhe përkundër kritikave nga partnerët ndërkombëtarë e shoqëria civile dhe mungesës së rezultateve thjesht të njëjtë nuk ka vullnet ta ndryshojnë gjendjen, por të njëjtit vazhdojnë me këtë status-qou që sistemi prokurorial të mbetet peng i 5 apo 6 figurave kryesore që në 10 vitet e fundit i kanë okupuar pozitat kryesore në sistemin prokurorial”, shprehet Miftaraj.

Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Ehat Miftaraj thekson se tanimë e tërë përpjekja për reformë në Këshillin Prokurorial të Kosovës është kthyer në pikën zero dhe gjithçka duhet të nisë nga fillimi.

“Ministrja e Drejtësisë duhet ta analizojë shumë mirë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe vetëm pasi analizës së mirëfilltë të kuptojë se çka mund të vazhdohet tutje…reflektim nga ana e qeverisë, reflektim nga ana e ministrisë për të kuptuar që në politikbërje e vendimmarrje duhet edhe konsensus për politika shtetërore të rëndësishme me grupet e interesit, por gjithmonë duke u siguruar që respektohet procedura dhe ligji…MD për të vazhduar me reformën në sistemin prokurorial duhet të fillojë nga e para, duhet ta fusë në agjendën legjislative për vitin 2023 ligjin për KPK, plotësim ndryshimin apo ligj të ri, pastaj për të vazhduar atë që përcaktojnë konsultimet publike, hartimin brenda MD për ta procedura në qeverie Kuvend, jemi kthyer në pikën zero aty ka qenë para 14 shkurtit të vitit 2021”, thotë ai.

Sa i takon deklaratave të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila vendimin e Kushtetuese për Ligjin për KPK-në e quajti absurd, Miftaraj thotë se me këto komentime po cenohet pavarësia e këtij institucioni.

Sipas tij, vendimet e Gjykatës Kushtetuese vetëm duhet të zbatohen e jo të komentohen.

“Si duket ministrja Haxhiu është e papërmirësueshme në këtë aspekt…Komentimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga ministrja përbënë cenim të pavarësisë të këtij institucioni të pavarur dhe është mesazh i keq për qytetarët, që do të thotë në njëfarë mënyre edhe më tutje e ngrisin mosbesimin ndaj organeve të pavarura kur ato vendosin në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive që ua ka ofruar Kushtetuta. Gjykata Kushtetuese vepron në bazë të Kushtetutës e jo pushtetit që ofroi partia në pushtet apo Qeveria. Edhe ministrja Haxhiu edhe Qeveria e Kuvendi në çdo rast kur kemi vendim të Gjykatës Kushtetuese vetëm duhet t’i zbatojnë pa analiza, pa komentime në publik”, shprehet tutje Miftaraj.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës në javën e kaluar e shpalli të pavlefshëm Ligjin për KPK-në.

E pas vendimit të Kushtetueses, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e quajti absurd këtë vendim. Ajo, në një konferencë për medie deklaroi se Kushtetuesja ka injoruar në tërësi të dy opinionet e Komisionit të Venecias në lidhje me këtë ligj, duke i dhënë një goditje të rëndë Kosovës, por edhe duke penguar reformën në drejtësi.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës në muajin korrik të vitit të kaluar e kishin dorëzuar në Kushtetuese për interpretim ligjshmërinë e Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës për vlerësim.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img