0.7 C
Pristina
Tuesday, November 5, 2024

Buy now

spot_img

Munishi: Komuniteti i futbollit është “zhnj”, veç servilat po kënaqen, po i marrin nga pesë rroga

Ismet Munishi e sheh si shqetësuese gjendjen aktuale të futbollit kosovar.

Trajneri i deridjeshëm i FC Prishtinës i ka goditur njerëzit që i rrinë afër dhe që e këshillojnë kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Trajneri karizmatik thotë se “servilat” e kanë marrë në qafë kreun e FFK-së duke “ia bërë rrafsh” dhe “duke ia rrahë krahët”, e rrjedhimisht duke mos i treguar se ku e ka gabim dhe se ku duhet t’i ndryshojë qëndrimet dhe veprimet.

Ditë më parë, Gjykata Themelore e Prishtinës, me kërkesë të Prokurorit të Shtetit ia shqiptoi kryetarit Ademi vendimin e arrestit shtëpiak për një muaj.

Paraprakisht, ai u thirr për intervistim dhe iu shqiptua masa e ndalimit 48 orësh, për të përfunduar më pas në spital, ku qëndroi një natë, pasi nuk u ndie mirë me shëndet.

Krahas tij, në pyetje u mor edhe drejtori i financave në FFK, Agim Gashi.

Mirëpo, trajneri Munishi e vë fajin edhe tek njerëzit tjerë që i kanë qëndruar afër Ademit, të cilët kanë përfituar nga ai “duke e ledhatuar”, e që fatkeqësisht nuk janë të paktë, e që vijnë nga sferat e ndryshme.

Munishi insiston se komuniteti i futbollit është shndërruar në komunitet të mjerë.

“Edhe unë jam fajtor që është prishur imazhi i futbollit. Pse ne duhet ta kërkojmë një fajtor kujdestar? Edhe ata që e këshillojnë janë fajtorë. Nuk duhet vetëm t’ia bëjnë rrafsh. Te ne e kemi një kryetar dhe 17 servila për okolla, veç duke ia rreh krahët, duke i thënë se mirë po dukesh, mirë ke fol. Nuk bën kështu, nuk ia duan të mirën. Duhet t’i thuash ‘nuk e ke mirë, këtu e ke gabim’. Në të gjitha sferat është njëjtë, jemi shndrruar në një komunitet ‘miserable’, dhe unë i përkas këtij komuniteti. Më vjen shumë keq”, deklaroi Munishi në emisionin “Dueli Sportiv”.

Futbolli kosovar po pëson goditje të njëpasnjëshme.

Pas problemeve me licencim në Ministrinë e Sportit, i cili i ka kushtuar humbje të mëdha financiare klubeve, të cilat e rrezikojnë falimentimin nëse nuk bëhet sa më shpejt licencimi, futbolli i këtushëm u godit javën e kaluar edhe me rastin e kryetarit Ademi.

Kryetari aktual ngarkohet me veprat penale “Keqpërdorim i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”, derisa policia e Kosovës në njërin prej raporteve e ngarkoi atë me dyshimin për keqpërdorim të buxhetit të FFK-së.

Natyrisht, në opinionin publik ka dyshime se në këtë valle mund të kenë hyrë edhe persona të tjerë, që i kanë qëndruar afër Agim Ademit, ndërsa thuhet se atij i kanë bërë veç dëm “servilat”, siç i quajti trajneri Ismet Munishi./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img