16.9 C
Pristina
Saturday, November 2, 2024

Buy now

spot_img

​Zbatimi i marrëveshjes me Serbinë mund të zvarritet

Zbatimi i marrëveshjes me Serbinë pritet të ketë zvarritje. Tetë ditë pas dakordimit në Ohër për aneksin e implementimit të marrëveshjes bazë për normalizimin e mardhënieve Kosovë-Serbi, palët ende nuk ka nisur hapat konkretë për zbatim të ujdisë, përkundër disa afateve të caktuara në aneks.

Problematike për shtyrje të mëtutjeshme të zbatimit të marrëveshjes po konsiderohen pika 7 për Kosovën, ku flitet për vetëmenaxhim të komunitetit serb apo Asociacionin dhe pika katër për Serbinë, në të cilën potencohet mospengesa e saj për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Mirëpo, zvarrrja e zbatimit të marrëveshjes, sipas njohësve të procesit të dialogut, varet nga presioni i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Profesori universitar dhe njohësi i procesit të dialogut, Seb Bytyçi thotë per KosovaPress se derisa kanë kaluar një javë nga dakordimi në Ohër ka indicie për vonesa në zbatim të marrëveshjes, në bazë të deklaratave të palëve.Reklama

“Sigurisht që do të ketë një zvarritje në implementim dhe pritet një rol i rëndësishëm i ndërmjetësuese BE-së dhe ShBA-së, ku zvarritja do të varet kryesisht nga presioni i tyre. Çështja e Asociacionit do të jetë çështja më e nxehtë, do të ketë negociata tjera për natyrën e Asociacionit dhe një çështje kontestuese është marrëveshja e vitit 2015 se a vlen ajo marrëveshje apo jo. Pozicioni i Kosovës është se ajo marrëveshje është rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese dhe Kosova do të insistojë të formohet një Asociacioni vetëm në marrëveshjen e vitit 2013.

Pika shtatë e marrëveshjes që flet për vetë menaxhim duhet të shkojë bashkë me planin e implementimit në pikën ku thuhet se kjo duhet të zbatohet me gjitha marrëveshjet e mëhershme. Pra bëhet fjalë për gjitha marrëveshjet dhe nuk bëhet fjalë për një apo dy. Aty mund të përfshihen edhe çështje të tjera, siç janë marrëveshja energjinë elektrike në veri, Kosova mund të shfrytëzojë këtë pikë që të insistojë të zbatohen disa marrëveshje të tjera që kanë të bëjnë me vetëmenaxhim të komunitetit serb dhe jo patjetër që kanë të bëjnë me Asociacionin”, thotë ai.

Se mund të ketë vonesa në implementim të marrëveshjes e thotë edhe Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Mirëpo, ai shton se nëse ka presion nga bashkësia ndërkombëtare dhe nënvizohet se marrëveshja është obligative, atëherë mund të ketë levizje drejt konkretizimit në praktikë të ujdisë së panënshkruar.

Sipas tij, këtu hyn edhe neni shtatë, ku flitet për vetëmenaxhim të komunitet serb, për çka thotë se implementimi në terren do të dëshmojë se për çka bëhet fjalë vetëadministrim a po vetëqeverisje.

“Konsideroj se neni shtatë do të konkretizohet në javët në vazhdim nëse veç edhe marrëveshja do të jetë më obligative nga BE-ja. Pastaj do ta dina qartësisht apo bëhet fjalë për krijimin e ndonjë Asociacioni apo ndonjë mekanizmi tjetër që ka më pak kompetenca se Asociacioni, por ka ngjashmëri. Edhe tek ky nen kemi një lloj loje të fjalëve semantike që ka për qëllim interpretimin të palëve se si ata dëshirojnë”, thekson Fetahu.

Në anën tjetër, në partinë opozitare, Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës e akuzon kryeministrin Albin Kurti se po krijon terren për një pushtet të tretë për serbët e Kosovës në bazë të nenit shtatë të marrëveshjes bazë.

“Cilat janë pasojat juridike për Kosovën me këtë vetëmenaxhim dhe koha do të tregojë se po krijohet tereni për një pushtet të tretë vetëm për serbët. Kjo marrëveshje, natyrisht i ka këto probleme dhe LDK me kohë e ka shprehur qëndrimin e saj duke thënë se kjo marrëveshje është dështim i Qeverisë Kurti dhe atij personalisht për të marrë njohjen, ndërkohë vetëm dy vite më herët kishim qëndrim të ShBA-së se çdo marrëveshje duhet të ketë njohjen reciproke në qendër të saj”, deklaron Tahiri.Reklama

Gjatë kësaj jave, krerët institucionalë në Kosovë akuzuan Serbinë që nuk po respekton obligimet e marra nga marrëveshja bazë me 27 shkurt në Bruksel dhe nga aneksi i zatimit më 18 mars, duke iu referuar deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se nuk do të lejojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Mirëpo, zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Europian, Peter Stano bëri të ditur sot (e diel) se institucionet e BE-së do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit së bashku me Kosovën e Serbinë.

Në bazë të aneksit të zbatimit të marrëveshjes, aty thuhet se për të zbatuar nenin 7, Kosova do të fillojë menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për vendosjen e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut siç përcaktohet nga lehtësuesi i BE-së.

Po ashtu, njëra ndër pikat si urgente është se bien dakord të miratojnë deklaratën për personat e pagjetur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img