Raportet kredibile ndërkombëtare tregojnë së Kosova ka shënuar rezultate të konsiderueshme në sundimin e ligjit, jo vetëm në rajon por edhe në nivel botëror. Kështu ka deklaruar ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në hapjen e konferencës vjetore të prokurorëve të Shtetit, e organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe e mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë.
‘’Këto suksese në kohën e fundit po i pranojnë edhe ata që në vazhdimësi kanë kritikuar dhe vazhdojnë ta kritikojnë Sistemin Prokurorial. Arrestimet e zyrtarëve publik, sekuestrimet, shkatërrimi i disa grupeve kriminale dhe shkatërrimi i disa laboratorëve për përpunimin e narkotikëve, janë vetëm disa nga sukseset për të cilat flasin përfaqësuesit e pushteteve tjera në Kosovë, dhe ky është argumenti më i mirë se edhe ata që na kritikojnë i pranojnë sukseset e punës tonë’’, ka thënë Kelmendi.
Gjithashtu, Kelmendi ka potencuar se gjatë vitit 2022, Prokurori i Shtetit ka pranuar në punë 50,998 kallëzime penale, ndërsa ka arritur t’i zgjidhë 44,247 kallëzime penale, ose 86.76% e lëndëve të pranuara gjatë periudhës raportuese.
Po ashtu, Kelmendi i’u ka bërë thirrje të gjithëve që në të ardhmen të tregojnë përkushtim, profesionalizëm, integritet dhe përgjegjësi më të madhe në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore
Ndërsa kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, si dhe John Hanley, Këshilltar ligjor në Ambasadën Amerikane, kanë dhënë kontributin e tyre në këtë konferencë.
Ndryshe, gjatë kësaj konference janë prezantuar dhe diskutuar temat të ndryshme, si Objektivat e Prokurorit të Shtetit për vitin 2023, Prezantimi lidhur me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Aplikimi i procedurave alternative nga prokurorët e shtetit, Veprat penale kundër integritetit seksual dhe dhunës në familje, Veprat penale të korrupsionit dhe krimeve ekonomik, si dhe prezantimi i Programit Wake Forest nga përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Kosovë.
Po ashtu, gjatë kësaj konference janë mbajtur zgjedhjet për zgjedhjen e Kryetarit dhe zëvendëskryetarit të Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës.
Me shumicë të votave të prokurorëve, kryetar i Shoqatës është zgjedhur prokurori i Prokurorisë Speciale, Naim Abazi, ndërkaq zëvendëskryetar i kësaj shoqate është zgjedhur, prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ali Ajdini.