Kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia ka pritur ditën e sotme në një vizitë ish-presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu.
Pas këtij takimi, Spahia u shpreh i kënaqur për vizitën teksa përgëzoi Kosovën për arritjet e fundit.
“Kënaqësi të takohesha me ish presidentin e Kosovës z.Fatmir Sejdiu, me të cilin biseduam gjerësisht mbi zhvillimet politike dhe proçesin e integrimit në familjen evropiane të dy vendeve tona. Shqipëria dhe Kosova kanë sfida të rëndësishme përpara, ku duhet luajtur një rol kyç për t’i vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat”, ka shkruar Sahia në Facebook.
Sipas tij, marrëveshjet e mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë nevojë për t’u implementuar me shpejtësi, që qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës të marrin frytet e tyre.
“Në fund por jo për nga rëndësia, e urova për dritën jeshile që i dha Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian proçesit të liberalizimit të vizave. Do të duhej të kishte ndodhur shumë më herët, por ka rëndësi që tashmë është një fakt i kryer që do t’i shërbejë qytetarëve të Kosovës. Rrugëtimi i Shqipërisë dhe Kosovës duhet të vazhdojë i përbashkët drejt anëtarësimit të plotë në BE,” shkroi Spahia.