7.5 C
Pristina
Tuesday, November 5, 2024

Buy now

spot_img

“Xhaka është në mesin e pesë futbollistëve më të mirë në histori të Zvicrës, Shaqiri hyn në Top 20”

Futbollistët shqiptarë kanë luajtur rol të rëndësishëm në Kombëtaren e Zvicrës që prej Milaim Ramës, i cili konsiderohet si shqiptari i parë që i përfaqësoi “Helvetikët”, duke u bërë njëkohësisht edhe shqiptari i parë që merr pjesë në Kampionat Evropian.

Rrugën e tij e ndoqën dhjetëra lojtarë shqiptarë, pjesa dërrmuese e tyre nga Kosova.

E disa prej tyre lanë edhe gjurmë të pashlyeshme, përfshirë këtu Valon Behramin, Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën.

Trajneri zviceran, Arno Rossini e ka dhënë pikëpamjen e tij sa u përket lojtarëve kosovarë të Zvicrës, më saktësisht të Xhakës dhe Shaqirit.

Mesfushorin e Arsenalit e ngrit lartë në listë, ndërsa atë të Chicagos po ashtu e vlerëson shumë për kontributin e tij me “Helvetikët”.

“Graniti, në pikëpamjen time, është në Top-5 të të gjitha kohëve te Zvicra. E kishte një karrierë të rëndësishme dhe është një element thelbësor i Kombëtares. Natyrisht, është shquar edhe për sjelljet dhe veprimet totalisht të gabuara. Por, nëse e shohim ekskluzivisht lojën, ndeshjet, është e drejt ta pranojmë se një element të tillë nuk e gjejmë apo shohim shpesh. Është mirë ta shijojmë derisa të arrijë të luajë në nivele të larta”, u shpreh fillimisht ish-trajneri i Bellinzonas dhe Sionit për mediumin zviceran “Tio.ch”.

“Shaqiri, në fanellën e Kombëtares ishte vendimtar, lojtar kyç. Ka shënuar dhe ka dhuruar asistime. Nëse e shohim produktivitetin ofanziv të Zvicrës në vitet e fundit, në një mënyrë, Xherdani ka lënë shenjë në shumicën e golave të realizuar. Edhe ai është një lojtar top absolutisht, do të thosha në mesin e 20 më të mirëve në historinë e futbollit tonë”, shtoi tutje Rossini.

Ai foli edhe për vendimin që ndeshja mes Bjellorusisë dhe Zvicrës, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024 të luhet në Serbi.

Sipas trajnerit zviceran, ky duel i ndejshëm nuk është dashur të vendosej për t’u luajtur në Novi Sad të Serbisë, por në një shtet tjetër.

“Nuk është një zgjedhje e pëlqyeshme për Kombëtaren tonë, duke e pasur parasysh prezencën e disa lojtarëve me origjinë nga Kosova. Një vend tjetër do të ishte i pranueshëm, por tash është një gjë që është vendosur”, përfundoi Rossini.

Për shkak të lëndimit, Shaqiri dhe Andi Zeqiri nuk do të mundë ta ndihmojnë Zvicrën në ndeshjet e marsit, ndërsa Xhaka pritet të jetë prezent në Serbi kundër bjellorusëve më 25 mars dhe në Zvicër kundër Izraelit pas tri ditësh.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img