-5.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Marrëveshja e Ohrit, në rend dite edhe në samitin e BE-së

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, do të jetë në rend dite në takimin e Këshillit Evropian, që zhvillohet të enjten dhe premten në Bruksel.

Po ashtu, pajtueshmëria e arritur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars në Ohër, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, do të jetë pjesë e konkluzave të këtij takimi të liderëve të BE-së.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në draftin e konkluzave nga samiti i BE-së dhe në të gjendet edhe paragrafi në të cilin përshëndetet arritja e marrëveshjes në Ohër.

“Këshilli Evropian mirëpret marrëveshjen e arritur në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për aneksin e implementimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe u bën ftesë të dyja palëve që në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim, të implementojnë obligimet e tyre përkatëse”, përmendet në draft të raportit.

Krerëve të shteteve anëtare të BE-së, do t’iu raportojë në këtë temë edhe kryediplomati i bllokut evropian, Josep Borell.

Ai ka raportuar për këtë çështje edhe të hënën para ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare.

Arritjen e pajtueshmërisë në Ohër, Borell e ka quajtur “status quo të re”, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të mundësojë kalimin nga një fazë e krizave në fazën e zbatimit të marrëveshjes.

Në samitin e fundit të Bashkimit Evropian, të mbajtur në muajin shkurt, liderët e BE-së e kanë mbështetur propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve dhe u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta pranojnë atë.

Përmes përfshirjes së kësaj çështjeje në Këshillin Evropian, BE-ja dëshiron të dërgojë porosi sesa lart në agjendën e saj është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img