Emiratet e Bashkuara Arabe kanë deklaruar se kanë mirëpritur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë të arritur në Maqedoni të Veriut.
Ambasadorja Lana Zaki Nusseibeh, Ndihmës Ministre për Çështjet Politike dhe Përfaqësuese e Përhershme e Emirateve të Bashkuara Arabe në Kombet e Bashkuara në Neë York, vlerësoi marrëveshjen e arritur për zbatimin e planit europian, duke theksuar se ajo përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të paqes dhe sigurisë rajonale, si dhe ndërkombëtare.
Në këtë drejtim, ajo theksoi mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe për të drejtën ndërkombëtare, veçanërisht respektimin e sovranitetit të shteteve, mosndërhyrjen në punët e brendshme dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, raporton agjencia e lajmeve të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në dritën e sfidave globale, Nusseibeh deklaroi: “Emiratet e Bashkuara Arabe besojnë në domosdoshmërinë e ndërtimit të urave të bashkëpunimit dhe dialogut për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të rritur besimin në një mënyrë që bashkon këndvështrime të shumta”.
Për më tepër, ajo shprehu vlerësimin për rolin e Bashkimit Europian në lehtësimin e marrëveshjes për zbatim, duke nënvizuar gatishmërinë e Emirateve të Bashkuara Arabe për të mbështetur këtë proces të mbështetur nga BE.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të çuar përpara diplomacinë dhe dialogun.
Ambasadorja Nusseibeh vuri në dukje se Emiratet e Bashkuara Arabe gëzojnë marrëdhënie të rrënjosura me Kosovën dhe Serbinë dhe se mezi pret të forcojë bashkëpunimin për arritjen e interesave të përbashkëta.
“Emiratet e Bashkuara Arabe pohojnë aspiratën që marrëveshja të ketë sukses, duke kontribuar kështu në stabilitetin rajonal dhe në rritjen e prosperitetit dhe zhvillimit për popullin e Serbisë, Kosovës dhe të gjitha kombeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ajo.