Anëtari i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Arben Gashi, po merr pjesë në takimin e Komitetit për Politikë dhe Demokraci, i cili po mbahet në Paris të Francës.
Z. Gashi do të marrë pjesë edhe në takimin e nën-komitetit për Demokraci, i cili do të mbahet po të njëjtën ditë.
Në këtë takim pritët të trajtohen shumë tema, si: “Roli i Këshillit të Evropës në parandalimin e vuajtjeve njerëzore si pasojë e konflikteve të armatosura”; “Pasojat politike të agresionit Federatës Ruse mbi Ukrainë”, “Samiti i Reikjavikut i Këshillit të Evropës: të bashkuar rreth vlerave përballë sfidave të jashtëzakonshme”; “Mbështetja e perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor”, si dhe shumë tema të tjera.
Në temën “Perspektiva Evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor”, fillimisht do të flasë raportuesi paraprak, deputet i delegacionit të Greqisë në këtë organizatë, z. George Papanderou.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, në sesionin e pjesës së Tetorit 2022, ka nxjerrë një rezolutë përmes së cilës i jep mbështetje të madhe perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, respektivisht mbështet këto vende në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Takimet e radhës së këtij komiteti do të mbahen në kuadër të pjesës së sesionit të prillit.