Dorëheqjet e qindra zyrtarëve policor të Kosovës në komunat me shumicë serbe në veri të vendit bën që institucioni i policisë të hapte një konkurs për rekrutim të policëve të rinj.
Gati dy muaj pas dorëheqjeve, më 4 janar në një shpallje zyrtarë të policisë u tha se ky konkurs ishte hapur për pranimin e zyrtarëve policorë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak, turq, goran, rom, ashkali, egjiptas, kroat, malazez dhe maqedonas.
Vendi i punës së personave që do të pranohen nga ky konkurs do të jetë Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Veriut.
Mirëpo, numri i qytetarëve që e shfrytëzuan këtë konkurs për punësim është i ulët në krahasim me numrin e zyrtarëve që lanë punën e policit në pjesën veriore të Kosovës.
Vetëm 138 aplikues plotësuan të gjitha kushtet për t’iu nënshtruar fazave të testimit, të cilat ende po vazhdojnë, e që deri më tash ky numër ka rënë në 98.
Këta 98 konkurrent, më 27, 28 dhe 29 mars do t`i nënshtrohen edhe testimit psikologjik, e që pas kësaj faze testuese ata që arrijnë të kalojnë do t’i nënshtrohen edhe kontrollimit mjekësor.
Numri i konkurrentëve po konsiderohet i ulët edhe nga njohësit e sigurisë, të cilët thanë se do të jetë e vështirë që të zëvendësohet zbrazëtia e policëve që është krijuar pas dorëheqjeve që u dhanë në nëntor.
Pse numri i konkurrentëve është kaq i ulët?
Presioni i Serbisë ndaj qytetarëve serb në Kosovë po cilësohet si një nga arsyet kryesore se pse numri i konkurrentëve për t`u bërë pjesë e Policisë së Kosovës është i ulët.
Ish drejtori i Policisë, i cili tash po ushtron pozitën e deputetit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se problemi i numrit të ulët të konkurrentëve është problem politik.
“Ky problem tashmë është problem politik, dihen shkaqet se pse ka ardhur deri këtu, mendoj se ka ardhur drejtpërdrejtë nga presioni i Qeverisë së Serbisë”, është shprehur Qalaj duke shtuar se zgjidhja e këtij problemi është mjaft vështirë të gjendet për shkak të presionit që bëhet nga Serbia.
Madje ish shefi i policisë tha se presionet e kërcënimet e Serbisë mbi komunitetin serb në vend bëjnë që të ketë një hezitim të këtyre qytetarëve në karshi të institucioneve të Kosovës.
Po ashtu, qasjen e institucioneve të Kosovës në drejtim të një problemi të tillë, Qalaj e cilëson si “të çuditshme”.
Ai madje thotë se Qeveria e vendit duhet të bëj përpjekje në vazhdimësi që t’i bind komunitetet që jetojnë në pjesën veriore të vendit, e në veçanti komunitetin serb, që të aplikojnë e t’i bashkohen Policisë së Kosovës.
Edhe Bedri Elezi, njohës i sigurisë, ndan një mendim të njëjtë me Qalaj duke shtuar si problem edhe kushtet në Policinë e Kosovës.
“E para është ndikimi i institucioneve të Serbisë tek qytetarët serb të Kosovës dhe e dyta them të drejtë ka rënë interesimi i qytetarëve në përgjithësi për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës për shkak duke filluar nga pagat e ulëta e po ashtu edhe çështja e meritokracisë” , shprehet Elezi kur pyetet se pse nuk ka pasur më shumë konkurrent në konkursin për polic në veri.
Ai madje thotë se ky numër i aplikuesëve nuk përmbushë nevojën e policisë për të mbuluar të gjitha zbrazëtirat që janë krijuar.
Nga ky problem, Elezi thotë se lind edhe një problem tjetër, e i cili sipas tij është pamundësia që të bëhet përzgjedhja prej më të mirëve.
“Numri kaq i vogël i konkurrentëve lë të nënkuptohet edhe nëse mund të kemi problem edhe në përzgjedhje. Një numër kaq i vogël i aplikuesëve nuk mundëson që të bëhet përzgjedhja prej më të mirëve”, shprehet njohësi i sigurisë.
Ai tutje pretendon se Policia e Kosovës mund të bëj edhe lëshime duke tentuar që të mbuloj zbrazëtirat e punëtorëve policor në veri.
“Mund të rekrutohen edhe persona që mund të mos jenë të duhur dhe më të mirët e mundshëm për të kryer detyrat pas shkollimit dhe trajnimeve të nevojshme”, shton Elezi.
Kronologji e konkursit të Policisë
Policia e Kosovës më 4 janar kishte shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak, turq, goran, rom, ashkali, egjiptas, kroat, malazez dhe maqedonas.