-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Pritjet dhe mesazhet e Amerikës për palën kosovare para takimit në Ohër

I dërguari i Posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se është optimist për një rezultat pozitiv nga takimi i nesërm në Ohër.

Emisari amerikan ka thënë se kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të siguruar paqe të qëndrueshme ndërmjet Kosovës e Serbisë, por edhe tërë rajonit.

Escobar nga Prishtina ka përsëritur se Kosova ka mbështetjen e Amerikës, si mbështetësi më i madh i saj (Kosovës) në botë.

“I mirëpres takimet shumë produktive në Ohër bashkë me Kurtin dhe Vuçiq. Ne kemi për qëllim që të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësitë për Kosovën dhe Serbinë e pjesën tjetër të rajonit që të bëhen anëtarë të plotë të komunitetit euroatlantik dhe ne mendojmë se ky propozim evropian i lehtësuar nga BE-ja mundëson një shansë të jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme ndërmjet dyja vendeve. Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë, ne kemi për qëllim që kjo të funksionojë, por jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin që të zhbllokohet disa prej burimeve më të mira që Ballkani ia ofron vetes dhe të tjerëve. Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër, jam optimist, shumë optimist për mundësitë për një zgjidhje paqësore dhe shpresoj se pas së shtunës do të kemi lajme të mira”, është shprehur Escobar.

Për pritshmëritë nga takimi i Ohrit, Escobar ka folur dje më gjerësisht edhe nga Serbia.

Escobar ka thënë se marrëveshja që tashmë ndodhet në tavolinë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara.

Emisari amerikan tha se mendon se është plotësisht e mundur të arrihet një marrëveshje përfundimtare për normalizimin këtë vit.

“Do të kisha dashur që këtë vit të arrihet, dhe mendoj se kjo është plotësisht e mundshme”, u shpreh ai.

Ai thekson se dëshiron që institucionet e Kosovës dhe Serbisë të jenë të lidhura me të gjitha strukturat evropiane.

“Kjo marrëveshje duhet të “hapë derën” sepse më në fund do të kemi normalizim”, vuri në dukje Escobar.

I dërguari special i SHBA-së tha se nuk pret që gjatë takimit në Ohër të ketë nënshkrime, por theksoi se do të hapet rruga për përparim të mëtejmë.

“Nuk pres që tani të ketë nënshkrime, por shpresoj për progres. Mundësitë do të ishin shumë pozitive për rajonin”, thotë ai.

Gjatë javës thirrje për marrëveshje ka bërë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ai ka theksuar edhe një herë qëndrimin e shtetit që ai e përfaqëson, duke thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë mundësinë që të arrijë marrëveshje me Serbinë në takimin e radhës që do të mbahet me 18 mars në Ohër.

Sipas tij, të gjitha vendet që kanë qëndruar pranë Kosovës drejt rrugëtimit të saj si shtet, janë të pajtimit se kjo marrëveshje do t’i sjellë benefite Kosovës dhe rajonit.

Përpos përfitimeve që dalin nga propozimi evropian, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Kosova mund të përfitojë edhe në mënyrë indirekte nga takimi i 18 marsit, të shtunën, në Ohër

Nëse shihet se Kosova ka kontribuuar në arritjen e një dakordimi për zbatim të propozimit evropian, Hovenier ka thënë se ShBA-të do ta rrisin masivisht aktivitetin për t’ia mundësuar Kosovës anëtarësimin në Aleancën Veri-Atlantike.

“Ne besojmë se Kosova një ditë duhet të jetë, dhe do të jetë, anëtare e Aleancës Veri-Atlantike, dhe çështja e vetme është si të bëhen kushtet e duhura për ta arritur këtë. Në rast se e arrijmë një marrëveshje në Ohër dhe Kosova shihet se ka kontribuar për ta arritur në mënyrë të suksesshme dhe konstruktive për ta arritur këtë marrëveshje, mendoj se do të shihni aktivitet të përtërirë amerikan dhe realizimin e këtij vizioni. Nuk është se nuk kemi tentuar në të kaluarën”, ka deklaruar ambasadori Hovenier gjatë kësaj jave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars do të takohen në Ohër për të folur për zbatimin e marrëveshjes.

Prezentë në këtë takim do të jenë emisari i BE-së, Miroslav Lajçak dhe shefi i diplomacisë, Josep Borrell.

Pjesë e takimit do të jetë po ashtu edhe i dërguari i ShBA-ve në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Takimet e ndara do të fillojnë nga ora 10:00, ndërkaq takimi trilateral, është paralajmëruar pas mesditës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img