0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

“Lufta” kundër duhanit: Ku lejohet e ku jo pirja e tij? Ja çka thotë ligji

Faton Peci, ministër i Bujqësisë, i ka shpallur “luftë” duhanit. Më saktësisht, Peci është shprehur i vendosur në zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit, që është miratuar në Kuvendin e Kosovës para 10 vjetëve. Në fakt, ligji nuk u respektua pothuajse asnjëherë, përjashto këtu periudhat disa javore, zkonisht kur në pushtet vinin qeveri të reja. Pas disa javësh inspektim e mbikëqyrje, duhani gjithmonë kthehej në hapsirat publike.

Edhe Qeveria Kurti tashmë ka filluar një iniciativë, për të cilën po zotohen se do ta mbajnë. Sipas Pecit, duhani më nuk do të pihet në hapësira publike, e ligji do të respektohet deri në fund. “S’ka kthum mbrapa” – është sllogani që Peci po e përdor, referuar respektimit të ligjit.

“Sqarim për publikun!

Aksioni i sotëm kundër pirjes së duhanit në ambiente publike ka filluar që nga Ministria e Bujqësisë e më pastaj kam kërkuar që të vazhdohet tek të gjitha institucionet shtetërore si objekti i Kuvendit të Kosovës, Objekti i Qeverisë, çdo dikaster qeveritar, agjenci si dhe ambiente publike, kafene, lokale, dyqane e të tjera ambiente të përcaktuara me ligj.

Mbetem i përkushtuar që Ligji për Duhanin të zbatohet në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës.

Ju bëj thirrje të gjithë pronarëve të lokaleve afariste e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që ta respektoni ligjin.

Ska kthim mbrapa!”- ka shkruar Peci.

Fillojnë gjobitjet
Ishte prapë ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili me “keqardhje” me anë të një shkrimi, njoftoi se ka filluar gjobitja, e atyre që nuk e respektojnë ligjin për duhanin.

“Ligjet janë bërë që të zbatohen e jetësohen në praktikë e jo që të mbeten në letër!

Pas inspektimeve të ditës së djeshme në tërë territorin e Republikës së Kosovës, janë shqiptuar një numër i konsiderueshëm i gjobave; gjë e cila nuk na bën të lumtur. Mirëpo zbatimi i ligjit nuk ka alternativë.

Së bashku me qytetarët si palë bashkëpunuese, le ta zbatojmë ligjin me qëllim që ta shndërrojmë Republikën tonë në një vend të jetueshëm e shtet të së drejtës.

Ftojmë qytetarët që kudo që evidentojnë raste të mos-zbatimit të Ligjit për Duhanin, t’i raportojnë në numrin 080050095 që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e ka në dispozicion.

Ska kthim prapa!

STOP duhanit!”

Shumica e lokaleve tashmë po e zbatojnë ligjin, i kanë thënë Nacionales shumë lexues.

Por, çka thotë ligji?
Ligji për Kontrollin e Duhanit, ka hyrë në fuqi tash e 10 vjet. Qëllimi i këtij ligji, siç shkruan pikërisht aty thuhet të jetë: “mbrojtja e shëndetit publik, të gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore të konsumimit të duhanit dhe ekspozimit ndaj tymit të duhanit, me këtë ligj përcaktohen masat për ndalimin, kufizimin e përdorimit të produkteve të duhanit, përbërësve të duhanit, parandalimin e pasojave të dëmshme nga përdorimi i produkteve të duhanit dhe mbikëqyrjen për zbatimin e ligjit”.

Neni 11, e rregullon mbrojtjen nga ekspozimi ndaj tymit të duanit.

Aty përcaktohet saktësisht se si dhe ku ndalohet pirja e duhanit.

“Ndalohet pirja e duhanit në: 1.1. hapësirë publike; 1.2. hapësirë të punës; 1.3. mjetet e transportit publik; 1.4. hapësirat e hapura të përcaktuara në paragrafin 3. të këtij neni.”- thuhet fillimisht në këtë nen.

Në fakt, aty përcaktohet ndalimi i pirjes së duhanit edhe në ndërtesa me banesa shumëkatëshe. Pra nuk lejohet pirja e duhanit në hapësirat e përbashkëta të ndërtesës.

Tutje, stadiumi i futbollit është një vend tjetër, që specifikisht përmendet në ligj, e që nuk lejohet pirja e duhanit.

E rëndësishme të dihet, gjithashtu: As pajisjet e tjera, që prodhojnë nikotinë apo ndonjë substancë tjetr që rrjedh nga duhani, nuk lejohen dhe i nënshtrohen po të njetave rregulla sikurse duhani.

“Ndalesat e pirjes së duhanit të përcaktuara në këtë nen do të aplikohen edhe në përdorimin e ndonjë pajisje që prodhon emisione të nikotinës apo ndonjë substance tjetër që rrjedh nga duhani, përveç nëse ajo pajisje është lejuar për përdorim nga ministria si terapi për zëvendësimin e nikotinës apo për qëllime tjera mjekësore” – thuhet në ligj.

Tutje në ligj theksohet se me akte nënligjore rregullohet, pjesa e hapsirave që mund të krijohet për duhan pirësit, si dhe spcifikat që duhen përmbushur që një gjë e tillë të lejohet.

Sa të larta janë gjobat, e kush e mbikëqyr dhe ekzekuton këtë ligj
Personi juridik, pra në këtë rast kafiteritë (sidomos), që e shkelin këtë ligj, dënohen me gjobë prej 3 mijë eurove.

Personi fizik që e shkel këtë ligj, dënohet me gjobë prej 50 euro.

Ligjin për duhanin e zbatojnë inspektorët qendror dhe komunal, si dhe disa organe të tjera: inspektorët sanitarë, inspektorët shëndetësorë, inspektorët e tregut, inspektorët e punës, inspektorët e arsimit, inspektorët të transportit, Agjencioni kundër korrupsionit si dhe Policia e Kosovës.

Mbetet të shihet nëse kësaj rradhe, kjo iniciativë e ministrit Peci, vërtetë do të respektohet, apo kjo zbatueshmëri do të vlejë vetëm për disa javë, siç ka ndodhur në të kaluaren.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img