Për 63 shtëpi që u janë ndërtuar familjeve serbe në Maxhunaj, Sllatinë dhe në Dolak të Vushtrrisë janë investuar 2 milionë euro. Shtëpi serbëve u janë ndërtuar edhe në Frashër të Mitrovicës, por as atje serbët nuk janë thyer. Qeveria e Serbisë është duke kërkuar serbë për t’i vendosur në vendbanimin “Lugina e diellit” në Zveçan, një rast ideal për këto familje serbe që lanë shtëpitë bosh.
Organizatat e ndryshme të huaja kanë investuar shuma të mëdha të mjeteve për ndërtimin e shtëpive të serbëve në fshatrat e komunës së Vushtrrisë, ku kanë jetuar ata dhe të cilët kanë ikur pas përfundimit të luftës. Meqë Komuna e Vushtrrisë ishte tepër e përkushtuar për kthimin e të zhvendosurve në komunën e Vushtrrisë, kishte krijuar kushte dhe klimë ideale për kthimin e familjeve serbe.
Kushte të njëjta për serbët ka krijuar edhe Komuna e Mitrovicës, por as atje familjet serbe nuk janë kthyer kurrë. Janë 63 shtëpi që janë ndërtuar me donacione të huaja në fshatrat Maxhunaj, Sllatinë e Dolak të Vushtrrisë, në të cilat do të duhej të ktheheshin serbët e zhvendosur në veri të Mitrovicës, por edhe në Serbi.
Por, megjithëse kishin pranuar të kthehen, shtëpitë kanë mbetur bosh që nga viti 2003, ndërsa familjet serbe vazhdojnë të jetojnë në veri të Mitrovicës, të shumtën në banesat e uzurpuara të shqiptarëve, por edhe në pjesë të ndryshme të Serbisë. Në vitin 2003, në fshatin Maxhunaj, qenë ndërtuar 35 shtëpi për po aq familje serbe, të cilat dëshironin të ktheheshin për të jetuar në këtë fshat.
Një vit më vonë, gjithashtu për të njëjtin qëllim ishin ndërtuar edhe 15 shtëpi të tjera në fshatin Sllatinë, ndërsa në vitin 2010, në Dolak u ndërtuan edhe 13 shtëpi për familjet serbe. Këto shtëpi janë ndërtuar me fonde të organizatave dhe qeverive të shteteve evropiane. /Zëri/PrishtinaPress.eu