Diana Bahçja u arrestua 8 ditë pasi lindi djalin e saj, pasi një gjobë e papaguar për të cilën nuk kishte dijeni, iu konvertua në 50 ditë heqje lirie. Ky rast i paprecedentë në drejtësinë shqiptare ka sjellë një situatë dramatike në familjen Bahçja në Drisht të Postribës në Shkodër. Gjyshja Zyfe Bahçja e përlotur nga lodhja dhe dëshpërimi, thotë për Klan News se foshnja ka nevojë për gjirin dhe ngrohtësinë e nënës dhe i lutet organeve të drejtësisë të vënë dorën në zemër.
Gazetarja: Zonjë, sot jeni e detyruar të ribëheni nënë. Sa e vështirë është për ju kjo situatë, kjo gjendje?
Zyfe Bahçja: Është e vështirë sepse jam e lodhur vetë, se nuk përtoj. Nuk përton njeri t’i bëjë hysmet fëmijës së tij. Dua të më sjellin nusen, kërkesë tjetër nuk kam.
Babai i foshnjes, Nazmi Bahçja thotë që kërkon që gruaja të kthehet në familje pasi për të është shumë e vështirë të mbajë familjen dhe të kujdeset për fëmijën e po ashtu t’i gjendet pranë gruas e cila është edhe ajo në gjendje të vështirë.
“Shumë vështirë për Zotin, plus ça ka vuajtur e dhimbja që ka, edhe këtu vuajtja shumë e madhe.”