2.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Dyshime për inskenim të aksidenteve për të përfituar, policia merr masa ndaj të dyshuarve

Ekzistojnë dyshime për inskenim të aksidenteve me dëme të lehta në mënyrë që persona të ndryshëm të përfitojnë jashtëligjshëm para nga kompanitë e sigurimeve. Për këtë dukuri është në dijeni edhe Policia. Në një përgjigje për Gazetën Express, policia tha se janë marrë masa ligjore ndaj të dyshuarve për inskenim të aksidenteve.

Policia tha se masat për personat e dyshuar janë ndërmarrë në koordinim me prokurorinë e shtetit.

“Policia e Kosovës vazhdimisht trajton rastet dhe informatat e pranuara lidhur aksidentet e trafikut dhe varësisht nga të gjeturat pas hetimeve i procedon tek organet e drejtësisë. Lidhur me pyetjet tuaja, për rastet e dyshuara për inskenim të aksidentit policia në koordinim me prokurorinë e shtetit ka ndërmarrë masa ligjore ndaj të dyshuarve, po ashtu për çdo informacion që marrim gjatë punës ditore, informata nga qytetarët apo institucione tjera relevante trajtohen me seriozitet dhe profesionalizëm”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës dhënë Gazetës Express.

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, tha për Gazetën Express se institucioni që ai drejton ka dërguar në prokurori të gjitha rastet ku dyshohet për mashtrim nga persona të papërgjegjshëm.

Mazreku deklaron se kanë ardhur në përfundim se ka raste të inskenimit të aksidenteve dhe të gjitha rastet e identifikuara i kanë dërguar në organet e hetuesisë.

“Po, Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) në bazë të dëshmive të siguruara ka ardhur në përfundim se në disa raste të veçanta ekziston dyshimi i bazuar se kemi të bëjmë me tentim mashtrim nga persona të papërgjegjshëm të cilët tentojnë të përfitojnë jashtëligjshëm duke i shkaktuar dëm të madh si kompanive të sigurimeve, ashtu edhe BKS-së. Të gjitha të dhënat që na i ka identifikuar përmes sistemit tonë i kemi dorëzuar në organet e hetuesisë dhe ne tashmë presim reagimin e tyre”, tha Mazreku për Gazetën Express.

Ai tha se derisa procesi është duke u hetuar nuk mund të jap detaje më të hollësishme në lidhje me mashtrimet në fjalë.

Për dyshimet mbi inskenimin e aksidenteve, prokuroria nuk kanë kthyer përgjigje.

Tutje, Mazreku, tha se kemi rritje të aksidenteve me dëme të lehta dhe rastet e tilla e dëmtojnë financiarisht BKS-në dhe kompanitë e sigurimve.

“Vetëm gjatë vitit 2022 numri i kërkesave për kompensim të dëmeve të lehta në kompanitë e sigurimeve si dhe në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS) ka arritur në 11,944. Në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i kërkesave për kompensim të dëmeve të lehta të shkaktuara në aksidente komunikacioni është më i lartë për 11,97 %. Ekzistojnë dyshime të bazuara se persona të papërgjegjshëm duke inskenuar aksidente përfitojnë jashtëligjshëm, duke iu shkaktuar dëme të konsiderueshme kompanive të sigurimeve si dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit”, u shpreh Mazreku.

Ai thekson se nga viti 2002 e deri më tash shuma e kërkesave për kompensim të dëmeve të lehta është më shumë se 140 milionë euro.

“Sipas të dhënave zyrtare të BKS-së shihet se në vitin 2022, 14,766,016 euro ka qenë vlera e kërkesave për kompensim të dëmeve të lehta në kompanitë e sigurimeve si dhe në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS) vetëm gjatë vitit 2022. Nga kjo shumë 5,319,444 euro ka qenë vlera e kërkesave për kompensim të dëmeve të lehta në Byronë Kosovare të Sigurimit, derisa 9,446,572 euro ka qenë vlera e kërkesave për kompensim të dëmeve të lehta në të gjitha kompanitë e sigurimeve të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës”.

Eksperti i komunikacionit Nol Deda, tha se ka raste të inskenimit të aksidenteve në Kosovë ashtu si në vendet e Evropës, por për ta ndaluar këtë dukuri duhet që kompanitë e sigurimeve në vend ta kenë edhe sektorin e hetimeve në të cilin ekspertët e fushës e verifikojnë nëse janë aksidente reale apo të rreme.

“Sigurisht se kemi informacione jo vetëm për Kosovë po në krejt rajonin e Ballkanin edhe në Evropë, inskenime të tilla ndodhin me dëme të vogla e të mëdha materiale dhe me dëme totale. Kosova nuk e ka brenda kompanive të sigurimeve edhe sektorin e hetimeve, p.sh, Kroacia, sigurimi kroat i automjeteve brenda kompanisë e kanë edhe sektorin e hetimeve edhe nëqoftëse dyshohet për një aksident merren ekspertat e fushës, sigurisht që janë eksperta të fushës së dëmeve materiale dhe ata merren me problematika të tilla dhe e hetojnë, dalin me një konkluzion se a është apo s’është aksident i rrjeshëm”, tha Deda për Express.

Ai tha se kompanitë e sigurimeve në vendin tonë nuk e kanë sektorin e hetimeve për t’i hetuar këto aksidente.

“Për fatin tonë të keq, kompanitë nuk e kanë sistemin e instaluar, unë kam punuar si ekspert në kompaninë e sigurimeve dhe në vitet 2002-2003…Kemi pas edhe raste të tilla kur kemi pas aksidente të rrjeshme dhe i kemi thirrë palët dhe nuk ua kemi pagu dëmet…”, u shpreh Deda.

Ai tha se ka raste që shumë aksidente janë pagu pa qenë aksidente reale.

Deda thekson se dëmet e lehta materiale konsiderohen deri në 800 euro.

“Dëmet e lehta materiale konsiderohen mbi 0 euro deri në 800 euro, varësisht nga automjetet, a është automjet i ri apo i vjetër. Kosto e dëmit material nëse i kalon 800 ose 1 mijë euro, atëherë konsiderohet se është dëm i madh material, dhe kjo është e përkufizuar edhe me raportin evropian të aksidenteve e deri në 800 euro qytetarët munden me plotësu raportin evropian”, u shpreh Deda.

“Personalisht i kam bë matjet e aksidenteve dhe na ka dalë që në bazë të matjeve nuk është aksident real por është i rrjeshëm, kështu që u largu prej kompensimit”, tregoi Deda për rastet kur aksidentet kanë qenë të rrjeshme.

“Ka raste të tilla kur një individ i ndodhin 4-5 aksidente në vit dhe menjëherë ai individ duhet të verifikohet. Për profesionista kjo lëndë është shumë e lehtë vetëm se duhen metoda të hulumtimit”, u shpreh ai.

Ai tha se për t’u evituar ky problem, kompanitë e sigurimeve duhet që ta kenë sektorin e hetimeve.

“Kompanitë e sigurimeve, duhet me kriju sektorin e hetimeve. Te ne ka të punësuar njerëz që nuk dinë se çka është dëmi material. Është kjo hapësira që ata e kanë gjetë dhe munden me manipulu edhe me dëme materiale”, përfundoi ai.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në vitin 2022 kanë ndodhur 20 mijë e 794 aksidente trafiku, nga kjo shifër 95 aksidente kanë qenë fatale, 7748 aksidente me persona të lënduar dhe 12951 aksidente me dëme materiale.

Ndërsa, në dy muajt e parë të këtij viti kanë ndodhur 2729 aksidente trafiku, nga kjo shifër 13 aksidente fatale, 1048 aksidente me lëndime dhe 1668 aksidente me dëme materiale.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img