2.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Shasha tregon dy skenarët e takimit Kurti-Vuçiq në Ohër

Drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), Demush Shasha, ka folur në emisionin “Përballje” në Telegraf  për takimin e 18 marsit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Ohër.

Shasha ka thënë se në këtë takim pritet të vazhdohet “diskutimi i mirë”, i cili u zhvillua më 27 shkurt në Bruksel, ku palët janë darkoduar për marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas tij, në Ohër palët do të shkojnë një hap tutje – të dakordohen për planin e zbatimit të kësaj marrëveshje.

“Ajo për të cilën nuk janë darkoduar është plani i zbatimi, respektivisht aneksi i zbatimi. Në Ohër pritet që të shkohet një hap tutje. Pra, palët të dakordohen për aneksin e marrëveshjes”, ka deklaruar Shasha, duke shtuar se nuk pritet që të ketë nënshkrim ceremonial.

Ai tutje është shprehur optimist se palët do të darkohen për aneksin e marrëveshjes, pasi “jemi në një moment unikal kur të gjitha palët e përfshira përfitojnë më shumë nga arritja e marrëveshjes se sa që humbasin”.

“Kosova përfiton pasi lëviz nga status qou-ja e faktorizimit ndërkombëtar”, ka thënë drejtori i EPIK-ut.

Sipas tij, ky është skenari pozitiv sipas së cilit këtë javë do të ketë marrëveshje në Ohër.

“Nëse flasim me termat e skenarëve, skenari optimist është që këtë javë do të ketë marrëveshje në Ohër. Hapat janë që pas arritjes së marrëveshjes, Borrell do të raportojë menjëherë javën tjetër pranë shefave të tij për progresin e arritur dhe pritet që 27 vendet anëtare të BE-së të miratojnë atë që palët kanë darkoduar”, ka deklaruar Shasha.

Demush Shasha gjatë intervistës në emisionin “Përballje”, foto: Korab Basha

Ai ka thënë se kjo hapë rrugë për ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të marrëveshjes, “rrjedhimisht në këtë skenar optimist kjo do të ndodh në prill”.

“Ndërsa, skenari tjetër është pesimist. Në këtë skenar në takimin e Ohrit nuk do të adresohen të gjitha brengat e palëve. Mund të ketë diskutime produktive, por kërkohet më shumë kohë për negociata dhe të organizohet raundi i ardhshëm i negociatave diku në mes të prillit dhe pastaj në maj të ketë ceremoni të nënshkrimit”.

Por, Shasha është shprehur se cilido skenar që të ndodhë, nuk sheh mundësi që kjo çështje të shtyhet përtej pjesës së parë të këtij viti.

“Ka një dinamikë të madhe prapa perdeve diplomatike sa i përket dialogut Kosovë-Serbi ndaj nuk shoh mundësi që kjo çështje të shtyhet”.

Sa i përket temës së themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Shasha ka theksuar ajo duhet të zgjidhet në mënyrë që të arrihet dakordimi për planin e zbatimi të marrëveshjes bazë.

“Kosova dhe Serbia kanë mosmarrëveshje që janë historikisht të gjata e politikisht të thella. Jo vetëm Asociacionin, por kemi shumë çështje të pazgjidhura. Asociacioni është temë më e përkohshme dhe më aktuale, e cila sot është në qendër të vëmendjes. Për t’u darkoduar për planin e zbatimit të marrëveshjes duhet të bëhet një zgjidhje edhe për Asociacionin”.

Demush Shasha gjatë intervistës në emisionin “Përballje”, foto: Korab Basha

Ai tutje ka thënë se palët janë duke lëvizur drejt zgjidhjes sepse sipas tij, po shihet që ka një punë të madhe në terren në nivel diplomatik, ku palët janë duke u munduar të gjejnë zgjidhje për dy gjëra që për momentin janë larg njëra-tjetrës.

“Në njërën anë kemi kërkesën e Serbisë për themelimin e Asociacionit siç është darkoduar në vitin 2013 dhe 2015. Në anën tjetër kemi qëndrimin e Kurtit i cili e sheh Asociacionin në një version shumë më të lehtë si organizatë apo forum. Mes këtyre dy ekstremeve është një hapësirë shumë e madhe dhe palët siç duket po punojnë intensivisht që në hapësirë të gjejnë një mes i cili do të adresojë disa brenga të secilës palë në mënyrë që të gjitha palët të jenë të kënaqura. Besoj se ka hapësirë të adresohen edhe kërkesat e Serbisë për Asociacionin edhe të akomodohet interesi i Kurtit që asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën”.

“Ne nuk kemi nevojë të frikësohemi pa arsye për Asociacionin. Jemi në rrugë të mbarë për faktin se jemi duke marrë si udhërrëfyes modele evropiane të organizimit të strukturave të tilla. Nuk po pranojmë që të eksperimentohet me struktura të tilla në Kosovë, por çfarë po themi është të marrin modele evropiane të suksesshme të cilat e kanë kaluar testin e kohës dhe të aplikohen në Kosovë, gjithnjë nën garancitë e standardeve evropiane dhe praktikave të Këshillit të Evropës”, është shprehur mes tjerash Shasha.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img