2.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Kryetari i KOK-ut: Po përzihet politika me sportin, kjo po u kushton sportistëve që të motivohen

Politika del edhe një herë tjetër të jetë pengesë që sporti kosovar të ecë përpara. Kjo i ndodhi boksieres Donjeta Sadikut, në Kampionatin Botëror të Boksit, që nis sot, në New Delhi të Indisë.

Ani se Ministria e Jashtme e Indisë, dha tek të hënën dritën e gjelbër për marrjen e vizës për ekipin e Kosovës, vetëm disa orë më vonë, në po atë ditë, Federatës së Boksit të Kosovës i doli një tjetër problem, pasi iu kushtëzua pjesëmarrja me disa kushte.

Organizatori i Kampionatit bëri me dije se pjesëmarrja e boksieres Sadiku mund të bëhet vetëm me dy kushtet e vëna: Flamuri i Kosovës dhe himni shtetëror nuk do të përdoren në ndonjërën nga ceremonitë gjatë kampionatit botëror, si dhe pjesëmarrësit e Kosovës nuk do të lejohen të bartin flamurin e tyre, qoftë edhe në veshjet e tyre në formë të printuar.

Duke parë këto kushte dhe diskriminimin e bërë nga shteti i Indisë, FBOXK në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, vendosi të mos udhëtojë fare drejt Indisë.

Në lidhje me këtë, klankosova.tv ka kontaktuar me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili është shprehur se mospjesëmarrja e Donjeta Sadikut në Botëror, i kushton me humbjen e mundësisë për t’i sjellë shtetit tonë, medalje botërore.

”Komiteti Olimpik i Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Federatën e Boksit të Kosovës për t’iu mundësuar pjesëmarrja Donjeta Sadikut në Botërorin, që fatkeqësisht sërish po mbahet në Indi. Gjatë ditës së djeshme erdhi lajmi i mirë për marrjen e vizës dhe përkundër vonesës në udhëtim, organizatori vendosi të vë kushte, të cilat janë të papranueshme si për federatën, ashtu edhe për KOK-un, MKRS-në dhe vetë boksieren. Sigurisht se më e dëmtuara këtu është Donjeta, e cila po të merrte pjesë, do të ishte favorite, jo vetëm për medaljen e bronztë, por edhe të artë. Humbja e botërorit asaj i kushton me humbjen e mundësisë për t’i sjell vendit tonë medalje botërore, e cila Donjetës do të mund t’i sillte përfitime tjera të mëdha si nga IBA, ashtu edhe nga shpërblimet që jep shteti ynë për sportistët. Fatkeqësisht edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e ka të pamundur të ndërhyjë këtu, pasi Federata Botërore e Boksit është e suspenduar nga IOC”, ka thënë Krasniqi..

Ismet Krasniqi (@IsmetKrasniqiKS) / Twitter

I pari i KOK-ut, ka folur edhe në lidhje me moslejimin e sportistëve tjerë kosovarë që t’i përdorin simbolet shtetërore në shtetet që nuk e njohin Kosovën si shtet.

Ai tregoi se për çdo diskriminim ankohen në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar – që vendet që nuk ofrojnë trajtim të barabartë, të mos u jepet e drejta e organizimit të kampionateve.

”Ky është një problem prej vitesh, që nuk varet kryekëput nga institucionet tona. Problemet e tilla i hasim në vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me federata dhe sportistë, në mënyrë që ata të mos lejohen të diskriminohen, duke ua plotësuar dëshirën organizatorëve për t’u paraqitur pa simbolet tona shtetërore. Për çdo diskriminimin ne ankohemi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, i cili ka kërkuar nga Federatat Ndërkombëtare, që vendeve të cilat nuk kanë trajtim të barabartë për të gjithë sportistët, të mos u jepet organizimi i kampionateve. Ne, po ashtu kemi kërkuar nga federatat që ta ngritin zërin në Asambletë e Federatave Ndërkombëtare, në mënyrë që organizimet e tilla të mos u jepen shteteve që nuk garantojnë pjesëmarrjen e barabartë të sportistëve tanë”, u shpreh Krasniqi për klankosova.tv.

Krasniqi theksoi se mospjesëmarrja në kampionate të tilla ndikon keq në motivimin e sportistëve, të cilët vetëm shkaku i politikës mbesin të diskriminuar.

”Krahas përfitimeve materiale për sportistët dhe federatat, mospjesëmarrja e sportistëve në gara të tilla ndikon edhe në mos fitimin e pikëve për Lojërat Olimpike Paris 2024. Kjo ndikon keq edhe në motivimin e sportistëve, të cilët përgatiten për muaj të tërë për një garë të caktuar, dhe në momentet e fundit, shkaku i politikës mbesin të diskriminuar me mospjesëmarrje. Në anën tjetër, federata shpenzon mjete për t’i dërguar në përgatitje, kur në fund të vitit kjo ndikon edhe në kategorizimin e federatës dhe vetë sportistit”, shtoi ai.

Krasniqi potencoi se ani se me Ministrin e Sportit po i bëjnë të gjitha përgatitjet, po u ndodh shpesh që përkundur dhënies së vizës po kushtëzohen me simbolet shtetërore.

”Ne bashkë me MKRS-në kemi kërkuar nga të gjitha federatat vitin e kaluar, që të na dërgojnë kalendarin e garave ndërkombëtare, në mënyrë që të përgatitemi paraprakisht për problemet në të cilat mund të hasim. Mirëpo, edhe pse përgatitjet po bëhen me kohë, sidomos në rastin e boksit, kur aplikimi për viza është bërë disa muaj më herët, shpesh herë na ndodh që përkundër dhënies së vizës të kushtëzohen simbolet shtetërore, si rasti i boksit apo edhe karatesë. Pra, pavarësisht dëshirës dhe vullnetit për të bërë diçka më shumë institucionet tona, është e pamundur, kur në rastet e tilla, qeveritë e vendit përkatës arsyetohen me mosnjohje të vendit tonë, për çka e përziejnë direkt politikën me sportin”, përfundoi ai.

Kjo është hera e tretë që Sadikut i mohohet pjesëmarrja në Kampionatet Botërore në Indi dhe njëherazi mundësia për të fituar një tjetër medalje botërore. Ajo ishte përgatitur maksimalisht në lidhje me këtë garë.

Kosovo boxer Donjeta Sadiku set to be denied India visa again

Kujtojmë, një problem të tillë hasi edhe Federata e Karatesë një muaj më parë, që për arsye të njëjta nuk u lejua të garojë – vetëm këtë herë në Qipro, një shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Edhe aty sportistët kosovarë nuk u lejuan që të garojnë me simbolet shtetërore, ku vepruan njëjtë si Sadiku, duke e bojkotuar garën.

Me një gjë të tillë u ballafaquan edhe boksierët në tetor të vitit të kaluar, pasi Serbia nuk u dha leje që të merrnin pjesë në Kampionatin Botëror, që u mbajt në Beograd. Boksierët kosovarë tentuan tre herë që shkojnë dhe u kthyen prapa nga kufiri, ani se kishte presion të lartë nga Federata Ndërkombëtare e Boksit.

Boksierët nga Kosova nuk lejohen të futen në Serbi për Kampionatin Botëror

Sportistët kosovarë ka kohë që po përballen me këso kushtesh – kanë probleme të pajisen me vizë, ose në momentin që marrin këtë të fundit, ballafaqohen me kushtëzime të tjera si mospërdorimin e simboleve shtetërore në ngjarje të ndryshme sportive.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img